Dokument – Ekskluzive: Përpilohet një shtojcë e re në udhërrëfyes për ta tejkaluar ngërçin e Nenit 4, hartuesit i tregojnë Vuçiç’it se e ka keqlexuar paragrafin
Foto nga Albanian Post
Lirim Mehmetaj
03.03.2023 7:30Një shtojcë e re mund të bëhet pjesë e aneksit të udhërrëfyesit për implementimin e Marrëveshjes për rrugën e Normalizimit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, si mënyrë për ta qetësuar Serbinë dhe pajtuar Aleksandër Vuçiç-in për Nenin 4 të Marrëveshjes.
Përpiluesit e mekanizmave dhe vizionit politik prapa marrëveshjes thonë se kundërshtimi vjen nga një keqlexim i tërësishëm i këtij neni, megjithatë kanë propozuar një paragraf të ri në udhërrëfyes për ta zhbllokuar situatën para 18 marsit, kur edhe është paraparë takimi i radhës në Ohër të Maqedonisë së Veriut.
Ishte pikërisht ky nen që ka stopuar Vuçiç-in ta nënshkruajë marrëveshjen me 27 shkurt, derisa me t’u kthyer në Beograd ka deklaruar se nuk e pranon dot.
Ose hiqet Neni 4 ose “i lëmë fare negociatat” tha Vuçiç, duke shtuar se “Serbia është e gatshme të punojë për zbatimin e shumë gjërave nga propozimi, por ne e bëmë (në Bruksel) një kundërshtim të qartë (Nenin 4)”.
Neni 4 i marrëveshjes, paragrafi i dytë, thotë se “Serbia nuk do ta kundërshtojë anëtarësimin e Kosovës në asnjë organizatë ndërkombëtare” dhe presidenti serb ka drojën se kjo nënkupton edhe njohje indirekte të Kosovës, meqë ekziston rreziku që Kosova të anëtarësohet në Organizatën e Kombeve të Bashkuara e kjo është organizatë e shteteve të pavarura.
Albanian Post-it i është siguruar qasje ekskluzive në një dokument nga diplomatë të involvuar thellë në hartimin e udhërrëfyesit për zbatimin e Marrëveshjes, i cili përveç se sqarohen keqinterpretimet nga Vuçiç dhe analistë të caktuar në Serbi e Kosovë, propozon që të shtohet edhe një aneks shpjegues për këtë nen.
“Kjo formë e komunikimit është bërë e domosdoshme”, thonë ata për shkak të keqkuptimeve rreth tekstit të marrëveshjes.
“Një hyrje e re në Implementimin e Udhërrëfyesit (Shtojcës) mund të dëshmohet si e dobishme sa i përket ndjeshmërive politike”, saktësohet në dokument, derisa propozohet “hyrja e re”.
“Kosova nuk do ta kërkojë anëtarësimin në OKB pa konfirmimin eksplicit të pajtimit nga të gjithë anëtarët e përhershëm të Këshillit të Sigurimit nga OKB”, është formulimi që mund ta zhbllokojë situatën.
Kjo, sipas shpjegimeve në dokument, edhe do ta linte marrëveshjen e paprekur, sepse siç është sqaruar tashmë, ajo nuk ri-përpunohet dhe as nuk ri-negociohet më, por edhe do të shuante dyshimet e Vuçiç-it në raport me kuptimin/et e Nenit.
Ishte pikërisht Neni 4 pjesa e diskutimit më të madh edhe në takimin mes Albin Kurtit dhe Aleksandër Vuçiç. Ky i fundit e kishte shprehur edhe në takim se Neni 4 i paraqet problem të patejkalueshëm për shkak të paragrafit të dytë.
Në fakt, siç ceket edhe në dokumentin që i është dhënë Albanian Post-it “Neni 4 i Marrëveshjes i definon palët (Serbinë dhe Kosovën) si aktorë të ndarë në marrëdhënie ndërkombëtare. Gjithashtu thekson obligimin e Serbisë që të mos pengojë aspiratat e Kosovës për anëtarësim në organizata ndërkombëtare” dhe “aspirata e Kosovës për anëtarësim në OKB perceptohet se është e përfshirë në paragrafin e dytë”.
Sipas dokumentit, “autoritetet serbe argumentojnë se mos-kundërshtimi i anëtarësimit të Kosovës në OKB nga Serbia shkel mbi qëndrimin primar të Serbisë për të mos e njohur Kosovën si një shtet sovran dhe i pavarur”.
Në pikëpamjen e tyre, “anëtarësimi në OKB është ekskluzivisht për kombet sovrane dhe të pavarura; prandaj, mos-kundërshtimi nënkupton njohje indirekte”.
Por, sipas hartuesve të dokumentit, “kjo s’qëndron domosdoshmërisht”.
Ata japin dy shembuj, atë të Ukrainës/Bjellorusisë dhe Izraelit, për të dëshmuar se të qenurit pjesë e OKB-së nuk përbën kurrfarë rregulli universal se pranohet shtetësia me automatizëm nga ndonjë shtet individual.
Dhe anasjelltas, siç dëshmohet në rastin e Ukrainës dhe Bjellorusisë, të jesh pjesë e OKB-së nuk nënkupton ekskluzivisht as sovranitet në kuptimin klasik për një shtet.
“Ukraina ka fituar pavarësinë nga Bashkimi Sovjetik në vitin 1991. Gjithsesi, Ukraina është anëtar themelues i Kombeve të Bashkuara edhe pse, në atë kohë, nuk ishte një shtet i pavarur”, sqaron dokumenti.
“Me 26 qershor 1945, Republika Socialiste Sovjetike e Ukrainës, bashkë me Republikën Socialiste Sovjetike të Bjellorusisë, nënshkruan Kartën e Kombeve të Bashkuara derisa të dyja ishin pjesë e Bashkimit Sovjetik. Nga perspektiva e Moskës, nga 1945-1991, Bashkimi Sovjetik kishte tri ulëse në OKB: BS-në, Ukrainën dhe Bjellorusinë”.
Dokumenti adreson edhe një keqlexim nga pala serbe për Nenin 4.
“Autoritetet serbe gjithashtu argumentojnë se mos-kundërshtimi i Serbisë për anëtarësimin e Kosovës mund të interpretohet si një inkurajim nga shtetet e OKB-së që ta njohin Kosovën”, por, thonë autorët e tekstit, “prapë, s’është e thënë”.
Sepse, “anëtarësimi potencial i Kosovës në OKB nuk nënkupton inkurajim për njohjen e Kosovës apo dekurajim për çnjohjen e Kosovës”.
Për ta elaboruar, dokumenti prezanton rastin e anëtarësimit të Izraelit në OKB.
“Shteti i Izraelit iu bashkua Organizatës së Kombeve të Bashkuara me 11 maj 1949, një vit pasi shpalli pavarësinë, duke u bërë anëtari i 59-të i OKB-së. Gjithsesi, përkundër se anëtar i OKB-së, Izraeli nuk u njoh kurrë nga 20 anëtarë të tjerë të OKB-së, duke përfshirë disa shtete themeluese të OKB-së”, thuhet në dokument.
Gjithashtu, jepet edhe një shtesë ku tregohet se “dy anëtarë të OKB-së (Irani dhe Kuba) kanë tërhequr njohjet për Izraelin” dhe “gjashtë shtete anëtare të OKB-së (Venezuela, Mauritania, Mali, Nigeri dhe Maldives) kanë ndërprerë të gjitha marrëdhëniet dypalëshe me Izraelin”.
Serbia t’i kuptoj limitet, s’është në mundësitë e saj ta pengojë Kosovën për OKB
Përtej precedentëve historikë si Ukraina, Bjellorusia e Izraeli, autorët e tekstit thonë se “Serbia duhet të jetë e vetëdijshme për limitet e saj”, duke sqaruar se Serbia as s’mund ta pengojë Kosovën vetë për anëtarësim në OKB e as s’mund t’ia kërkojë dikujt tjetër ta bëjë këtë pengesë.
“Kundërshtimi i Serbisë nuk është domosdoshmërisht pengesë për anëtarësimin e Kosovës në OKB. Anëtarësimi i Kosovës varet ekskluzivisht nga pajtimi formal i pesë anëtarëve të përhershëm në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. Praktikat historike tregojnë se me pajtimin e pesë anëtarëve të përhershëm, Këshilli i Sigurimit i OKB-së dhe Asambleja e Përgjithshme e OKB-së veprojnë shumë shpejt”, thotë dokumenti.
“Serbia”, sqarojnë tutje autorët e dokumentit, “duhet ta ketë parasysh se një marrëveshje stabilizimi (e ashtuquajtura Jalta e Re) është e mundur në këto rrethana gjeopolitike të ndryshimeve rapide dhe tensioneve në rritje mes Lindjes dhe Perëndimit. Anëtarësimi i Kosovës në OKB mund të përfundojë duke qenë pjesë e kësaj marrëveshje/rregullimi”.
Prandaj, në një skenar të tillë individual, Serbia – nisur nga perspektiva e saj – “humbë çdo gjë, Kosovën, por edhe mbështetjen kaq të nevojshme të perëndimit”.
Gjithsesi, ata propozojnë këtë hyrje të re ku Kosova pranon të mos e kërkojë anëtarësimin pa e marrë pëlqimin paraprak nga pesëshja e përhershme, e cila mund të i ofrohet Serbisë si “policë sigurimi” dhe në të njëjtën kohë nuk është se po i kërkohet Kosovës diçka ekstra, madje besojnë se do t’i kontribuonte situatës në disa drejtim.
“Kjo hyrje (shtojcë) e shkurtër është e vlefshme të kërkohet për disa arsye”, thonë ata, duke renditur të parën “njohjen e relevancës së Rusisë dhe Kinës si lojtarë të fuqishëm gjeopolitikë”.
Ky pra, do të ishte “një gjest simbolik në drejtim të Moskës dhe Pekinit”, shkruan në dokument.
Gjithashtu, “adreson shqetësimin e Serbisë për anëtarësimin e Kosovës në OKB” dhe në anën tjetër as Kosova s’do humbiste sepse edhe ashtu “nuk fiton asgjë duke ndjekur anëtarësimin në OKB pa pajtimin eksplicit të pesëshes së përhershme”.
Krejt në fund, nëse Serbia pranon, qasja e saj konstruktive do t’i njihej si “favor” nga perëndimi.
E gjithë kjo përpjekje nga diplomatët e angazhuar bëhet për të mos e bllokuar procesin në një fazë kur u duk se përmes ofertës me karota e shkopinj, palët janë afruar shumë në qëndrime.
Ka pasur edhe një pajtim gojor për Propozimin Franko-gjerman dhe ai është publikuar në faqen zyrtare të Bashkimit Evropian në formën e një Marrëveshje.
BE nuk do të toleronte të ekspozojë një dokument si Marrëveshje e arritur në faqen zyrtare, derisa në terren realiteti të mos jetë si ai i dhënë në dokument.
Angazhimi ndërkombëtar është aq i madh saqë përbën edhe një rast të rrallë të mobilizimit të tillë të botës perëndimore.
Duke folur për përpjekjet e mëdha diplomatike nga nivelet më të larta politike në nivel global, në një intervistë për Radiotelevizionin Dukagjini, ambasadori amerikan në Kosovë, Jeff Hovenier, deklaroi se “atë që po e shoh tani e kam parë pak herë gjatë karrierës sime dhe unë jam diplomat profesionist pothuajse qe 33 vjet”.