Lajme

OKB për Kosovën është “vijë e kuqe” për ne, thotë Vuçiç


Aleksander Vucic

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, një ditë pas takimit me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, në një paraqitje televizive për Radio Televizionin e Serbisë, tha se nuk pret që Kurti të nis themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe.

“Unë nuk pres që Kurti të formojë Asociacionin. E kam thënë 55 deri në 60 herë në Bruksel. Ata e dëgjuan atë që thashë. Kur të formohet, atëherë do të duhet të ulemi dhe të diskutojmë të gjitha çështjet, edhe ato të vështirat. Kurti thotë se nuk do ta zbatojë atë që ka nënshkruar dikush tjetër, se ka qenë një qeveri kriminale në atë kohë”.

Ai ka treguar për atmosferën brenda takimit të mbajtur të hënën e 27 shkurtit në Bruksel mes tij, kryeministrit Kurti dhe përfaqësuesve evropianë, Josep Borrell dhe Miroslav Lajçak.

“Asgjë e bukur. Ne flasim anglisht, diçka më del në serbisht. Kurti flet shumë mirë serbisht, ishte në burg derisa e liruan nga burgu. Nënshkrimin mund ta shihni këtu. Kështu duket kur dikush nënshkruan diçka, e unë nuk kam nënshkruar asgjë. Nuk pajtohemi për asgjë”, tha ai.

Ai tha se amerikanët dhe evropianët e kishin paralajmëruar atë për pasojat e mospranimit të propozimit evropian, ku parashihej ndalimi i integrimeve evropiane, tërheqja e investimeve dhe një sërë masash tjera, duke përfshirë izolimin nga bota.

Vuçiç tha se duhet bërë “kompromise racionale për jetë normale”, megjithëse shtoi se nuk ka pasur marrëveshje në Bruksel dhe se ekzistojnë akoma “vijat e kuqe” që kanë të bëjnë me njohjen reciproke mes Kosovës dhe Serbisë dhe anëtarësimin e Kosovës në Organizatën e Kombeve të Bashkuara.

“Pra, ose këtë, ose i lëmë negociatat me të gjitha pasojat që pësuam në vitet e nëntëdhjeta dhe rrënim të plotë ekonomik. Unë komunikoj shumë saktë: Serbia është e gatshme të punojë për zbatimin e shumë gjërave nga propozimi, por ne e bëmë një kundërshtim të qartë”, tha ai.

“Jemi të gatshëm të diskutojmë për të gjitha temat, e kjo do të çonte në normalizim. Po, ne kemi nevojë për normalizim me shqiptarët. Por, këto nuk kanë lidhje me çështjet më të rëndësishme shtetërore, siç janë paraqitur në parlament, me ato shfaqjet e dhunshme, pankartat, sulmet, snajperët…”.

“Ne humbëm njerëzit dhe luftën me NATO-n. Çfarë pastaj? Ata thonë të shkojmë në paqe. A duhet t’i bindim shqiptarët të kenë autonomi nën Serbi? Të mos gënjejmë veten, 99.99 për qind e shqiptarëve janë për Kosovën e pavarur. Le të bëjmë kompromise racionale për jetë normale këtu”, shtoi Vuçiç.

Propozimi evropian që fillimisht u prezantua si “plan fillestar”, pastaj si dokument i modelit “merre ose lëre”, tani ka marrë konturat e një Marrëveshjeje Ndërkombëtare duke u ripagëzuar “Marrëveshja për rrugën e normalizimit të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë”.

Për herë të parë është zbuluar edhe zyrtarisht përmbajtja e marrëveshjes i cili parasheh të drejta të barabarta për Kosovën dhe Serbinë, respektim të integritetit territorial, paprekshmëri të kufijve, njohje të simboleve shtetërore e çka jo tjetër.

Por, në asnjërën nga 11 nenet e saj nuk parashihet njohja reciproke mes Kosovës dhe Serbisë, por kosovarëve përveç themelimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe iu kërkohet që së bashku me serbët ta formalizojnë statusin e Kishës Ortodokse Serbe në Kosovë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore