Lajme

Dodik: Asociacioni në Kosovë një ditë do të jetë si “Republika Serbe” në Bosnje


Milorad Dodik

Lideri nacionalist i serbëve në Bosnje dhe Hercegovinë, Milorad Dodik, tha se nëse themelohet Asociacioni i komunave me shumicë serbe në Kosovë, si një mekanizëm që do t’u jepte serbëve më shumë të drejta dhe garanci shtesë, një ditë do t’i ngjajë entitetit serb në BeH – Republika Serbe (RS).

“Është shumë mirë që thonë kështu, një ditë do të jetë Republika Srpska. E kam fjalën në kuptimin e saj thelbësor. Epo, do të quhet Asociacioni i komunave me shumicë serbe, do të ketë funksione ekzekutive të qeverisë siç ka RS. Marrëdhënie speciale me Serbinë siç ka RS. Ky është problem për ta dhe kjo është e gjithë historia”, tha Dodik, transmeton mediumi boshnjak “Klix“.

Ai lëvdoi presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç-in, se gjoja arriti ta kthejë çështjen e Kosovës nga një pozicion humbës, në qendër të interesave serbe duke iu bërë thirrje serbëve të jenë të bashkuar dhe të mblidhen sëbashku në dialog me Kosovën.

“Ajo që duhet pasur parasysh është se duhet të shikojmë pasojat që mund të dëgjojmë për Kosovën, që është se do të ndërpritet rruga evropiane, se do të ndalen investimet, do të futen përsëri vizat. Këto janë pasoja të rënda”, tha Dodik ndërsa shtoi se kërcënimet nga Perëndimi janë shtuar, sidomos nga Gjermania.

“Gjermania është antiserbe në atë zonë të Ballkanit. Gjithmonë ka qenë antiserbe, nuk ka qenë racionale, realiste dhe ka qenë gjithmonë kundër serbëve. Kështu është edhe në këtë rast për Kosovën”, tha ai, i cili njihet për deklaratat e tij irridentiste dhe kjo është arsyeja pse gjindet në listen e të sanksionuarve të Shteteve të Bashkuara.

Ndryshe, këshilltari i lartë në Departamentin amerikan të Shtetit, Derek Chollet, pas narrativës së krijuar mbi frikën se çfarë mund të paraqesë në një të ardhme Asociacioni i komunave me shumicë serbe, gjatë implementimit praktik, theksoi se SHBA-ja nuk mbështet diçka që i ngjan një krijese si ajo në BeH.

“Ne do të jemi shumë të qartë për pikëpamjet tona lidhur me këtë, rëndësinë që ka për ne dhe, gjithashtu, që nuk do ta krijojë një entitet sikur Republika Srpska brenda Kosovës. Ne do ta bëjmë pjesën tonë në tentimin për ta çmitizuar Asociacionin në disa mënyra, sepse mendoj se ka shumë pasiguri lidhur me çfarë është Asociacioni dhe çfarë nuk është”, tha Chollet.

Themelimi i Asociacionit është i rëndësishëm për SHBA-të, thotë Chollet

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore