Muzikë

“Do të kujtoj gjithçka që ke bërë për botën, Tony Bennett”, thotë Lady Gaga


Këngëtarja e muzikës pop, Lady Gaga e ka nderuar artistin, Tony Bennett për herë të dytë pas vdekjes së këngëtarit legjendar në moshën 96-vjeçe.

Në rrjetet sociale, krijuesja e hitit “Rain On Me” reflektoi për miqësinë e saj me këngëtarin e ndjerë në atë që do të ishte ditëlindja e tij e 97-të.

“Gëzuar ditëlindjen Tony. 3 gushti është Dita e Tony Bennett. Një ditë për të buzëqeshur. Por unë do t’ju festoj shumë më tepër se një herë në vit”, shkroi Gaga, 37 vjeçe, në Instagram.

“Do të të festoj sa herë që do të jem në skenë duke kënduar muzikë jazz, sa herë që jam me familjen tënde, sa herë që eci nëpër rrugët e Nju Jorkut, do të shikoj përreth dhe do të kujtoj gjithçka që ke bërë për këtë qytet dhe tërë botën”, ka shtuar ajo.

Homazhi erdhi vetëm disa ditë pas nderimit të saj fillestar për Bennett më 31 korrik.

“Do të më mungojë përgjithmonë shoku im. Do të më mungojë të këndoj me të, të regjistroj me të, të flas me të, të jemi bashkë në skenë”, ka shkruar në Instagram ylli i hitit “Bad Romance”.

“Me Tony-n, unë duhej ta jetoja jetën time në një hark kohor. Unë dhe ai e kishim këtë fuqi magjike. Ne e transportuam veten në një epokë tjetër, e modernizuam muzikën së bashku dhe i dhamë asaj një jetë të re si dyshe. Por nuk ishte një akt. Marrëdhënia jonë ishte shumë reale”, ka shkruar ajo.

“Sigurisht që ai më mësoi për muzikën, për jetën e showbiz-it, por gjithashtu më tregoi se si ta mbaja shpirtin të lartë dhe kokën të ngulurojë drejt. Ishte optimist, besonte në punë cilësore dhe në jetë cilësore. Plus, ishte mirënjohja. Tony ishte gjithmonë mirënjohës”, ka shkruar tutje.

Gaga vuri në dukje se ajo ka “vuajtur humbjen” e Bennett “për një kohë të gjatë”, pasi ai u diagnostikua me sëmundjen e Alzheimerit në vitin 2016, duke e detyruar atë të tërhiqej nga performanca në vitin 2021 pas tetë dekadash.

Dyshja pati publikuar dy albume së bashku, “Cheek to Cheek” të 2014-ës dhe “Love for Sale” të 2021-shit, që të dy u vlerësuan nga kritikët dhe fituan çmimet Grammy për albumin më të mirë tradicional të muzikës pop.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore