Shqipëria

Do ta thyejnë demokratët e ndarë bastionin socialist të Lushnjës?


Problematike rezulton të ketë qenë Bashkia e Lushnjës qysh se bastionin e saj e mori Fatos Tushe, tashmë i përjashtuar nga Partia Socialiste (PS).

Pasi u përfshi në tenderin abuziv për rehabilitimin e një kanali ujitës, Tushe do të prangosej në korrik të 2021-it.

Ish-kryetari i Bashkisë së Lushnjës, Fatos Tushe

Për të parën herë, si i pari i Lushnjës do të komandohej një grua.

Emri i së cilës u zyrtarizua si kandidate në zgjedhjet e pjesshme, nga PS-ja, në më pak se një javë vonesë nga ato të pesë kandidatëve të tjerë.

Megjithatë, drejtuesi politik i Qarkut të Fierit – ku i përket edhe kjo bashki – Taulant Balla, në atë kohë pat deklaruar se nevojitej një konsultim më i gjerë lidhur me emrin.

Kështu, më 16 korrik 2021, Eriselda Sefa – më parë nënkryetare e kësaj bashkie – u njoftua si kandidatja zyrtare për postin e kryebashkiakes.

Kryetarja e komanduar e Bashkisë së Lushnjës, Eriselda Sefa.

Edhe pse vetëm shtatë muaj në detyrë, Eriselda Sefa e njeh këtë institucion që në 2007-n.

Ajo është bërë pjesë e stafit 16 vite më parë, kur drejtimin e Lushnjës e mori partia e qendrës së majtë, Albert Sanxhaku, asokohe në bashkim forcash me PS-në.

Bashkia e Lushnjës i ka rrënjët qysh në vitin 1992.

Pas rënies së komunizmit, përmes zgjedhjeve të lira demokratike, drejtimin e mori kandidati i së djathtës Kujtim Haxhiu.

Ai do ta mbante këtë post për katër vjet.

Më pas, do t’ia linte vendin Agim Fugës, shokut të tij të partisë.

I treti i kësaj bashkie ishte socialisti, Ylli Myftiu, pasuar nga Sanxhaku, Tushe e tashmë Sefa.

Qyteti i Lushnjës, vite më parë

E ardhur në detyrë me 29 vota pro, katër kundër dhe një abstenim, Eriselda Sefa, në fjalën e parë të rastit me Këshillin Bashkiak, si për ironi të paraardhësit, foli për përgjegjshmërinë dhe moralin.

Lindur dhe rritur në rrethinat e Lushnjës, Sefa do t’i kryente studimet në degën e Historisë, ku më pas mori gradën doktore e shkencave në Albanologji.

Prej vitesh pedagoge, kryetarja e komanduar e Bashkisë së Lushnjës ka punuar paralelisht në të gjithë nivelet e strukturës së kësaj bashkie.

Kurse “valles” së anëtarëve të Asamblesë Kombëtare të PS-së, Sefa i hyri në 2015-n.

Bashkë me të ashtuquajturin “shok partie”, Erion Braçen, drejtuesin politik të të majtëve në katër njësitë administrative, Sefa iu bë krah në fushatën për zgjedhjet parlamentare të 2017-ës, si dhe të 2021-shit. Sipas saj, Braçen e ka krah dhe sot.

E komanduara e 29 anëtarëve të Këshillit Bashkiak, e sheh bujqësinë si bazën ekonomike të këtij qyteti.

Ndërsa nuk bën habi që kështu ta ketë parë dhe Tushe, kur në 2016-n bashkisë iu transferua dhe funksioni i ujitjes dhe kullimit, para se ish-kryetarit t’i zbulohej dhe abuzimi me fondin 24 milionësh në këtë sektor.

Në më shumë se një vit, Prokuroria e Posaçme (SPAK) do t’i mbyllte hetimet, duke i dhënë fund kështu periudhës “Tushe”.

Këtij rasti nuk i janë ndarë as të djathtët, përveç drejtësisë shqiptare, të cilët kanë zgjedhur të vendosin përballë Sefës një tjetër Sefë.

I njohur në Lushnjë si mbiemër i ndarë në dy grupe, Sefa i Partisë Demokratike (PD) vjen nga një familje patriotike lushnjare. Fokusin e së cilës ia ka dhënë dhe në fushatë.

Paraardhësit e Indrit Sefës kanë dhënë kontribut kryesor në momentet më të rëndësishme të shtetformimit shqiptar, atë të pavarësisë.

Kandidati i Partisë Demokratike (PD), Indrit Sefa.

Nebi Sefa ka qenë një prej nënshkruesve të Pavarësisë së Shqipërisë, më 28 nëntor 1912. Ndërsa në Kongresin e Lushnjës, familja e Sefës demokrat është përfaqësuar nga dy delegatë, Nebi Sefa dhe Jonuz Sefa.

I lindur e rritur në Lushnjë, Sefa i është kushtuar drejtësisë, ndryshe nga morali dhe përgjegjshmëria e Sefës së socialistëve.

Me një bagazh njohurish në studimet e nivelit Bachelor si jurist në Universitetin e Tiranës, duke vijuar më pas me një Mastër profesional në Administrim Publik pranë Universitetit “Marin Barleti”.

Gjithashtu i certifikuar në trajnime të ndryshme nga universitetet e mirënjohura, siç është ai i Harvard University dhe George Town University.

Luftës ndaj drejtësisë Sefa do t’i hynte me të djathtët blu, si sekretar i çështjeve ligjore pranë qytetit të tij të lindjes.

Dy muaj më parë, Sefa u zgjodh dhe si sekretar i çështjeve ligjore dhe Zgjedhore në PD, si dhe përfaqësues ligjor i kësaj partie.

Ndryshe nga Sefa e PS-së, ky i PD-së zyrtare ka qenë më aktiv në angazhimet politike të partisë ku aderon.

Qysh në vitin 2009 dhe deri në 2012-n, Indrit Sefa ka mbajtur detyrën si sekretari i Përgjithshëm i Forumit Rinor të PD-së, për Lushnjën.

Ai u zyrtarizua si demokrat i familjes së demokratëve, kur u anëtarësua në 2014-n.

Ndërsa, si anëtar i Kryesisë së PD-së Lushnjë, kandidati Sefa është që nga 2019-ta. Kurse anëtar i Këshillit Kombëtar të PD-së, u bë në korrik të 2021-shit.

Edhe pse i angazhuar me politikën në Lushnjë, Sefës nuk i ndahej shpirti nga studentët.

Përgjatë dy viteve, 2008-2010, ai ka mbajtur përgjegjësinë e kryetarit të Këshillit Studentor të Fakultetit të Drejtësisë dhe atë të nënkryetarit të Këshillit Studentor të Universitetit të Tiranës.

Kandidati i demokrates zyrtare do të sjellë frymën e bashkëpunimit mes dy partive më të mëdha të vendit, ndërsa është shprehur pro bashkëpunimit – nëse fiton – me kryetaren e komanduar të Lushnjës.

Edhe pse një mandat thuajse i papërfillshëm, në garë ka hyrë dhe një tjetër kandidat i zgjedhur nga blutë jozyrtarë.

Një demokrat tjetër po garon të marrë Bashkinë e Lushnjës, por i regjistruar me koalicionin e Lëvizjes Socialiste për Integrim (LSI) dhe Partisë Demokristiane (PDK) “Shtëpia e Lirisë”.

Kandidati nga Koalicioni “Shtëpia e Lirisë”, Elton Bano.

Por, i dalë nga primaret e ish-kryeministrit Sali Berisha, me 671 vota.

Bindjen për të djathtën Elton Bano e ka trashëguar nga i ati, ish-deputeti dhe nënkryetar i Grupit Parlamentar të PD-së, Ilir Bano.

Si i këtillë, Elton Bano, do të kontribuonte politikisht në radhët e demokratëve qysh në vitin 1990.

Por, viti 1997 do të shënjonte edhe pjesëmarrjen e tij të parë aktive në fushatën e PD-së, atëherë kur i ati u fitoi një ulëse në Kuvendin e Shqipërisë.

Që asokohe, Bano nuk i është ndarë kësaj partie.

I arsimuar po ashtu, njëjtë si kundërshtari i tij nga e njëjta bindje, në Universitetin e Tiranës, si jurist, Bano synon ta ndryshojë Lushnjën për 15 muaj.

De facto përkrahësi i Berishës dhe de juro përfaqësuesi i LSI-së, publikes i ka hyrë me përgjegjësi të mëdha.

Punësuar fillimisht në “Intesa Sanpaolo Bank”, në filialin e saj në Lushnjë, më pas në një drejtori pranë Bashkisë së Fierit, duke vijuar si avokat në Lushnjë e më pas në Entin Rregullator të Ujit, në Tiranë.

Bashkia e Lushnjës

Problematikat nuk kanë të sosur në Lushnjë, edhe me kandidatët.

E fundit ishte me Elton Banon, i cili rezulton se ka ndryshuar datëlindjen nga 24.01.1981 në 24.07.1978 dhe vendlindjen nga Prishtinë, Kosovë në Lushnjë.

Kandidati u përgjigj se ka jetuar jashtë shtetit për arsye studimore, në Bukuresht, në Londër për emigracion, në Romë (Itali) për arsye shëndetësore.

Si avokat dhe si jurist, si inspektor vlerësimi dhe drejtor dege, Bano kërkon mbështetjen e lushnjarëve.

Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta, dekretoi datën 6 mars si ditë për mbajtjen e zgjedhjeve të pjesshme.

Gjashtë janë bashkitë ku do të garohet nga partitë – Durrës, Shkodër, Lushnjë, Dibër, Vorë dhe Rrogozhinë.

Prej 11 vitesh, Lushnjën e mbajtën socialistët.

Prej shtatë muajsh, Lushnjën e mbajti një grua.

Prej dy muajsh, Lushnjën kërkojnë ta marrin edhe dy juristë.

Në garë – jo për “të treguar muskujt”, por alternativat më të mira për Lushnjën – tashmë janë tre kandidatë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore