Lajme

“Djaloshi i Vuçiç-it për operacione speciale” – Pse po e kthen Vuçiç në Serbi Gjuriç-in


Marko Gjuric i arretuar nga Policia e Kosoves

Marko Gjuriç, lolo më i besueshëm i Aleksandër Vuçiç-it, që aktualisht është Ambasador në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, do të kthehet në Serbi për një post të ri.

Gjuriç, i njohur mirë për kosovarët, meqë mbante postin e drejtorit të Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, po pritet të emërohet Ministër i Punëve të Jashtme të Serbisë, “por të gjitha opsionet e tjera janë gjithashtu të hapura”, kanë thënë për median opozitare serbe Danas, njohës të zhvillimeve në Serbi.

Njoftimin për kthimin e Gjuriç-it, Vuçiç e bëri në rrjetin social Instagram, derisa po qëndronte në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, pas fjalimit të mbajtur në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.

“Marko Gjuriç po kthehet në Serbi dhe besoj se do të kryejë një nga funksionet shumë të rëndësishme në vendin tonë”, shkroi Vuçiç.

Sipas, Milomir Mandiç, studiues nga organizata Demostat në Serbi, thotë se rikthimi i Gjuriç-it potencialisht si Ministër i Punëve të Jashtme është një mesazh i Vuçiç-it për Perëndimin.

“Marko Gjuriç, ambasadori i Serbisë në Uashington, i cili kushtimisht mund të thuhet se është anëtar i SNS-së (partia e Vuçiç-it) që nuk ka orientim antiperëndimor, do të zërë një post të rëndësishëm në qeverinë e re. Por gjithsesi, në thelb është një nga galaktikat e kuadrove të dëshmuara të bindura dhe besnike të Vuçiç-it. Mund të spekulojmë se çfarë funksioni do të ketë ai, por do të ishte logjike nëse ai vjen nga diplomacia, do të ishte Ministria e Punëve të Jashtme, e ndoshta diçka më shumë”, thotë Mandiç.

Për postin e mundshëm të shefit të diplomacisë me Mandiç pajtohet edhe analisti politik Dragomir Angjelkoviç, por shton se të gjitha opsionet e tjera janë të hapura.

“Pra, nuk do të përjashtoja mundësinë që ai të bëhet ministër i Jashtëm. Por çdo opsion tjetër, nga BIA (shërbimi sekret) e tutje, është i hapur”, thotë Angjelkoviç.

Por, ai shton se Gjuriç-it po i ndryshohet pozicioni para se gjithash për faktin se “Vuçiç-it nuk i pëlqen që njerëzit të jenë në një punë për një kohë të gjatë për të mos u profilizuar”.

“Sepse nëse dikush është në një punë për një kohë të gjatë, siç ka qenë Gjuriç-i për një kohë të gjatë në Amerikë, ai mund t’i bëjë kontaktet e tij pavarësisht nga Vuçiç-i dhe i shkon mendja të jetë më i pavarur. Atij i pëlqen të rrotullojë njerëz siç bënte Stalini”, thotë Angjelkoviç.

“Një tjetër gjë është se Gjuriç-it në Amerikë i ka skaduar afati. Atë që kishte, e bëri atje. Ai nuk është një diplomat karriere, por thjesht një djalë për operacionet speciale të Vuçiç-it. Atëherë ai kishte nevojë për një njeri të tillë. Sot ai nuk ka më nevojë për të”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore