Kosova

Djali i Ministres Nagavci punësohet në “Termokos”: Nga ngrohtorja thonë se i “plotësoi kriteret”


Foto: Albanian Post

Në shkurt të këtij viti, Shend Nagavci, djali i Ministres së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI), Arbërie Nagavci, ka nisur punën si kontrollor i distribuimit, në ngrohtoren e qytetit të Prishtinës “Termokos”.

Shend Nagavci ishte punësuar në këtë pozitë pasi që komisioni vlerësues e ka poentuar me 159 pikë, duke u renditur si i dyti, ndërsa konkursi ishte shpallur për pranimin e tre personave në ngrohtoren e kryeqytetit.

Sipas Afërdita Uka-Fejzullahu, zyrtare për marrëdhënie me publikun në “Termokos”, fakti që Shendi është djali i Ministres Nagavci, “nuk ka ndikuar” për punësimin e tij në këtë ndërmarrje publike.

Në një përgjigje me shkrim për Albanian Post, Uka-Fejzullahu ka thënë se Shend Nagavci është pranuar në këtë pozitë, pasi që, sipas saj, “i ka përmbushur të gjitha kriteret” e përcaktuara me konkursin dhe me aktet ligjore në fuqi.

“Personi i apostrofuar, sikur edhe çdo i punësuar tjetër në NP ‘Termokos’, paraprakisht është dashur që detyrimisht të përmbushë të gjitha kriteret e përcaktuara me konkurs, të kalojë me sukses të gjitha procedurat e përcaktuara me aktet ligjore në fuqi para se Komisioni përzgjedhës të përpilojë listën e kandidatëve më të suksesshëm për secilën pozitë, të cilët në bazë të rezultatit të treguar kanë fituar të drejtën e nënshkrimit të kontratës së punës”, tha ajo për AP.

Por, ky nuk është rasti i vetëm kur familjarët e personave të lartë të pushtetit të Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), punësohen nëpër institucione publike: si në nivel qendror, ashtu edhe në atë lokal, por edhe janë përfitues të fondeve publike të ndara nga ekzekutivi.

Flakron Zhitia, dhëndri i kryetarit aktual të Podujevës nga Lëvizja Vetëvendosje, Shpejtim Bulliqit, përveçse është i punësuar në Ndërmarrjen Publike “Kompania e Ujësjellësit Rajonal Prishtina”, ai mban edhe pozitë të punës në Kompaninë Regjionale “Pastrimi” Sh.A.

AP, pas raportimit se i njëjti ishte punësuar në Ndërmarrjen Publike të ujësjellësit, ka kuptuar se Zhitia mbante punë qysh më herët edhe në këtë ndërmarrjen publike pastrimi.

Përveç kësaj, AP kishte raportuar se në listën preliminare të organizatave joqeveritare që janë përfituese të thirrjes publike “Art dhe trashëgimi kulturore”, nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS), figurojnë disa organizata që janë të lidhura me eksponentë të pushtetit.

Njëra prej tyre është organizata “Ec Ma Ndryshe”, të cilën e kishte udhëhequr Ministri i MKRS-së, Hajrulla Çeku. I angazhuar në këtë organizatë ishte edhe vëllai i tij, Fati Çeku. Kësaj organizate Qeveria ia ndau 257 mijë euro. Ky nuk është rasti i vetëm kur nga thirrjet publike që i bën pushteti, përfitues janë njerëz të afërt me pushtetin.

Ndërsa, nga fondi prej 500 mijë eurosh të destinuara nga Zyra e Kryeministrit për OJQ dhe media të minoriteteve, përfitues i 5 mijë eurove kishte qenë Mentor Barani, vëllai i gruas së Ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.

Për shkak të shpërndarjes jo të duhur të këtyre mjeteve, dhe për shkak se ankesat e saj nuk ishin marrë parasysh, kishte dhënë dorëheqje nga zyra për Komunitete, Elizabeth Gowing, këshilltare e kryeministrit Albin Kurti.

Edhe Donat Kastrati, familjar i ministres së Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, ishte punësuar në MPJ. Donati, miku i vëllait të ministres, apo vëllai i gruas së vëllait, ishte punësuar në kabinetin e ministres si këshilltar politik i jashtëm.

AP kishte raportuar gjithashtu se pas punësimit të nipit në Qendrën e Mjekësisë Familjare, Kryetarit të Komunës së Shtimes, Qemajl Aliut, i ishte punësuar edhe dhëndri në Kompaninë e Ujësjellësit Rajonal “Prishtina” në Shtime.

Se Bujar Beqa, burri i N. Beqës, motrës së kryetarit të komunës, ishte punësuar në këtë kompani e kishte konfirmuar për AP edhe Ali Ademaj nga Kompania e Ujësjellësit Rajonal “Prishtina”, në Shtime.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore