Lajme

Dita e Kushtetutës, Osmani: Zbatimi i pakompromis i saj na përshpejton procesin integrues


Vjosa Osmani

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në 16-vjetorin e miratimit të Kushtetutës, ka thënë se zbatimi i saj na ndihmon në procesin integrues në familjen euroatlantike.

Këto komente, Osmani i ka i bërë në një komunikatë për media të lëshuar nga Presidenca.

“Sot, në ditën e miratimit të Kushtetutës, e cila është normë supreme që përcakton identitetin dhe vlerat e shoqërisë sonë demokratike, rikonfirmojmë përkushtimin tonë institucional për zbatimin dhe afirmimin e këtyre vlerave”, ka thënë Osmani.

E para e vendit ka theksuar se kushtetuta jonë është udhërrëfyese, “ndaj zbatimi pakompromis i saj na ndihmon dhe përshpejton procesin tonë integrues drejt familjes së madhe euroatlantike”.

Ditë e Kushtetutës e ka uruar edhe ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeffrey Hovenier.

Hovenier deklaroi se shteti që ai përfaqëson është krenar për mbështetjen ndaj popullit të Kosovës deri në përmbushjen e vizionit të përcaktuar në kushtetutë për një Kosovë të lirë, demokratike e paqedashëse.

“Gëzuar Ditën e Kushtetutës, Kosovë! Kosovarët e kanë përfshirë në kushtetutën e tyre vendosmërinë për të ‘ndërtuar një të ardhme si një vend i lirë, demokratik dhe paqedashës që do të jetë atdhe për të gjithë qytetarët e saj…’. Jemi krenarë për mbështetjen tonë teksa jemi partnerë me popullin të Kosovës për të arritur vizionin e përcaktuar në Kushtetutën e Kosovës”.

Sot bëhen 16 vjet nga miratimi i Kushtetutës së Kosovës (9 prill 2008) që e nxori Kosovën nga administrimi ndërkombëtar në bazë të rezolutës 1244 të Kombeve të Bashkuara (OKB), ndërsa Kuvendi i Kosovës, dy muaj më pas, ratifikoi aktin më të lartë juridik i cili më 15 qershor të të njëjtit vit hyri në fuqi.

Hovenier uron Ditën e Kushtetutës: Jemi krenarë me popullin e Kosovës

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore