Sport

Distria Krasniqi dhe Dardan Berisha, Laureatët e Vitit 2020


Distria Krasniqit dhe Dardan Berishës i takuan çmimet kryesore në edicionin e pestë të ceremonisë së Laureatëve të Vitit 2020, të mbajtur të hënën në Prishtinë.

Në ceremoninë e organizuar nga Komiteti Olimpik i Kosovës (KOK), pa praninë e mysafirëve shkaku i pandemisë Covid 19, morën pjesë kryeministri në detyrë i Kosovës, Avdullah Hoti, ministrja në detyrë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi, deputetja Saranda Bogujevci, si dhe Laureatët e përzgjedhur.

 

Xhudistja Krasniqi, fitoi çmimin “Sportistja e Vitit”, ndërsa basketbollisti Berisha “Sportisti i Vitit”.

Distria gjatë vitit të kaluar fitoi medaljen e bronztë të Evropës në Pragë dhe dy të arta në Grand Slamet e Parisit dhe Budapestit.

Viti 2020 ishte viti më i sukesshëm për Distrinë, pasi ajo fitoi medalje nga secila garë, dhe e mbylli vitin në vendin e parë të renditjes botërore dhe olimpike.

Dardan Berisha që ishte nominuar nga Federata e Basketbollit të Kosovës, gjatë 2020-ës, Dardani kontribuoi në dy fitoret e Kosovës në parakualifikimet e Kupës së Botës 2023.

Berisha falënderoi KOK-un për çmimin dhe FBK-në për përkrahjen, ndërsa çmimin ia kushtoi familjes.

Trajneri i mirënjohur ndërkombëtar, Driton Kuka fitoi për herë të pesë çmimin e “Trajnerit të Vitit”.

Kuka gjatë vitit 2020 fitoi dy medalje evropiane për seniorë dhe dy të tjera për të rinj, ndërsa nuk i munguan edhe medaljet në Grand Slame.

“Çmimi Special” shkoi për gjyqtarin ndërkombëtar të boksit, Latif Demolli, i cili ndau drejtësinë në finalet e kampionateve evropiane për të rinj.

Për të dytin vit radhazi, Kombëtarja e Vitit në konkurrencën e femrave u shpall Kombëtarja e futbollit, ndërsa çmimi i njëjtë, por në konkurrencën e meshkujve shkoi për Kombëtaren e Basketbollit.

“Shpresa Olimpike” në konkurrencën e femrave u vlerësua xhudistja Laura Fazliu, e cila fitoi për herë të tretë këtë çmim, ndërsa në konkurrencën e meshkujve u shpall karateisti, Betim Maliqi.

Presidenti i KOK-ut, Besim Hasani, dukë falënderuar të pranishmit për kontributin e dhënë gjatë vitit të kaluar, theksoi se viti 2020 ishte i suksesshëm, përkundër se pandemia Covid 19 shkaktoi telashe të mëdha për gjithë Lëvizjen Olimpike në Kosovë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore