Kosova

Distancohet nga qëndrimi i delegacionit eksperti i ekipit negociues: “Hapja e arkivave të UÇK-së, kërkesë e Serbisë”


Robert Muharremi

Robert Muharremi, i angazhuar në cilësinë e ekspertit në dialogun Kosovë-Serbi, ka deklaruar se distancohet nga qëndrimet e delegacionit qeveritar, në këtë proces.

Këtë e ka bërë pas deklarimeve të fundit të zëvendëskryeministrit të Kosovës, Bislim Bislimi, lidhur me hapjen e arkivave të UÇK-së, si kërkesë e tyre.

“Si pjesëtar i grupit të ekspertëve në mbështetje të delegacionit në bisedimet mes Kosovës dhe Serbisë, personalisht dhe profesionalisht distancohem nga qëndrimi i delegacionit lidhur me arkivat dhe përfshirjen e UÇK-së në diskursin për personat e zhdukur”.

Ai ka thënë se deklarimet kanë dëmtuar procesin e deritanishëm.

“Deklaratat e fundit kanë dëmtuar përpjekjet e delegacionit të mëparshëm që UÇK të mos përfshihet, në asnjë mënyrë, në diskursin rreth personave të zhdukur”.

Muharremi ka bërë me dije se hapja e arkivave të UÇK-së ka qenë kërkesë e vazhdueshme e Serbisë “për të ndryshuar narrativën e ‘fajtorëve’ për personat e zhdukur dhe për ta barazuar UÇK-në me Serbinë”.

Efekti i deklaratës së Bislimit, sipas tij, është i dëmshëm.

“Nuk është me rëndësi se si dhe në çfarë konteksti është bërë deklarata, por efekti i saj, i cili tani ka përfshirë edhe UÇK si pjesë të problemit”.

“Kjo është e dëmshme dhe me pasoja për Kosovën, marrë parasysh edhe proceset gjyqësore që po zhvillohen në Hagë kundër UÇK, dhe për këtë arsye distancohem nga ky proces”, ka shkruar ai.

Një ditë më parë, zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, pas takimit dyditor që pati me drejtorin e të ashtuquajturës Zyrë për Kosovën në Qeverinë serbe, Petar Petkoviç, në kuadër të dialogut me Serbinë, ka thënë se është gjetur pajtim nga të dy palët që të hapen arkivat shtetërore të Serbisë edhe të Kosovës.

“Gjatë takimit trilateral, pala serbe ka deklaruar se janë dakord që të hapen të gjitha arkivat. Sipas tyre, nënkupton edhe arkivat shtetërore të Kosovës që kanë të bëjnë me UÇK-në. Unë mendoj që kjo është në interesin tonë, sepse shumica e varrezave masive, ku pretendohet se janë pjesët e mbetura të mbi 1 mijë e 600 qytetarëve ndodhen në këto varreza, për të cilat kanë informata kryesisht arkivat ushtarake të Serbisë”, ka deklaruar Bislimi në një konferencë për media.

Pas kësaj deklarate, pati shumë reagime nga partitë opozitare dhe nga ish-kryenegociatorja e Kosovës për dialogun me Serbinë, Edita Tahiri.

Përmes një postimi në Facebook ka thënë se është skandaloze barazimi i arkivave të ushtrisë çlirimtare me atë të një ushtrie vrastare.

“Skandaloze barazimi i arkivit të një ushtrie vrastare me atë të një ushtrie çlirimtare, dështim i pafalshëm i delegacionit të Kosovës në dialogun e Brukselit dje”, ka shkruar Tahiri.

Ndërkaq, deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj, ka theksuar se me pajtimin për hapjen e arkivave mes Kosovës dhe Serbisë, po barazohet viktima me agresorin.

“As në ëndrrën time më të keqe nuk kam menduar se do ta përjetoj këtë ditë, kur Qeveria e Kosovës legjitimon gënjeshtrat e Serbisë, duke i ngjallur fantazmat serbe kinse për arkiva të UÇK-së”, ka shkruar Hoxhaj në Facebook.

“Kjo është barazim i viktimës me agresorin dhe krahasim i UÇK-së me ushtrinë serbe. Gabimet e Qeverisë Kurti në politikën e jashtme janë të përmasave alarmante, duke rrezikuar seriozisht trashëgiminë e luftës sonë çlirimtare dhe shtetësinë tonë”.

Në anën tjetër, kryetari i Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur, Andin Hoti, ka thënë se i kanë ofruar qasje të plotë Përfaqësuesit Special të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, në arkivat e Kosovës.

“Me qëllim që të heqim çfarëdo dyshimi që mund të kenë sa i përket ‘shpikjes së tyre për arkivat e UÇK-së’, ka shkruar në Facebook Hoti.

Sipas tij, “arkivat e Kosovës kanë qenë dhe janë të hapura, prandaj marrëveshja është në interesin tonë, sepse vetëm na mundëson qasje në arkivat ushtarake të Serbisë, e që është barriera kryesore për zbardhjen e fatit të më të dashurve tanë”.

Por, sipas Hotit, një gjë të tillë do ta bëjë edhe Serbia, duke i hapur arkivat e ushtrisë, “pasi që Serbia ka qenë e organizuar në nivel shtetëror me organet dhe forcat policore e ushtarake, si dhe me njësi paramilitare që kanë vrarë e masakruar anë e kënd Kosovës, duke i kidnapuar e zhdukur me forcë mijëra persona”, ka shtuar Hoti.

“Ne kemi kërkuar qasje të plotë në arkivat shtetërore të Serbisë, veçanërisht në arkivat e ushtrisë dhe policisë gjatë kohës së luftës në Kosovë”.

Kundër këtyre reagime, ka folur shefja e Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, Mimoza Kusari Lila.

“Arkivin e UÇK-së nuk e aktualizoji zëvendës-kryeministri Bislimi”, ka thënë Kusari Lila, “ai ka theksuar se nuk ka arkiv të UÇK-së, por ka arkiv shtetërore të Kosovës”, ka shkruar ajo në llogarinë e saj në Facebook.

Kusali Lila ka treguar se në legjislaturën e kaluar në Kuvend u draftua dhe u prezantua projektligji për mbrojtjen e vlerave të luftës së UÇK-së, ku përfshihet edhe arkiva e UÇK-së.

“Ndërsa, fatkeqësisht, atë e definuan ata që draftuan projektligjin për mbrojtjen e vlerave të luftës së UÇK-së”.

Ajo ka thënë se ishin po këta “të njëjtit aktorë dhe të njëjtat grupime politike” në pozitë, mandatin e kaluar kur “vetëdraftuan dhe prezantuan Projektligjin për mbrojtjen e vlerave të luftës së UÇK-së”.

“Në atë projektligj Neni 3, pika, 1.11 vlerë e luftës është shënuar: Arkiva e UÇK-së”, ka theksuar shefja e grupit parlamentar të VV-së.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore