Kosova

Diskutuam për nevojën e avancimit në propozimin franko-gjerman


Josep Borrell dhe Aleksandër Vuçiç

Shefi i diplomacisë së Bashkimit Evropian, Josep Borrell, ka takuar presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç në Mynih të Gjermanisë, konkretisht në margjinat e Konferencës së Sigurisë, me të cilin kanë diskutuar rreth procesit të dialogut Kosovë-Serbi.

Takimin në fjalë ka njoftuar vetë Borrell përmes një njoftimi në rrjetin e tij social në Twitter.

Sipas kryediplomatit evropian, ndër të tjera me Vuçiç, kanë folur për nevojën për të avancuar në propozimin franko-gjerman, i cili së fundmi dinamizoi procesin e dialogut.

“U takova me Vuçiç për të diskutuar përpara takimit të dialogut të nivelit të lartë që do të organizohet me 27 shkurt si dhe nevojën për të avancuar në propozimin e BE-së për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën dhe rëndësinë e harmonizimit të politikave të përbashkëta të Jashtme dhe Sigurisë së BE-së. Të dyja janë kyçe për rrugën e Serbisë në BE”, ka shkruar Borrell në Twitter.

Përveç Borrell, Vuçiç në Mynih u takua edhe me Sekretarin Amerikan të Shtetit, Antony Blinken, me të cilin po ashtu kanë diskutuar për rëndësinë e normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.

Takimi Vuçiç – Borrell dhe Vuçiç – Borrell vjen disa ditë para takimit të radhës në mes të kryeminsitrit të Kosovës, Albin Kurti dhe Vuçiç-it, i cili u njoftua këtë të premte nga Bashkimi Evropian.

Nëntë ditë para takimit të kryeministrit të Kosovës dhe presidentit të Serbisë me Përfaqësuesin e Lartë të Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Albanian Post sërish kupton nga burime diplomatike se një pajtim për nënshkrim të Marrëveshjes Bazë të mbështetur në propozimin franko-gjerman tashmë është dhënë nga të dyja palët.

Nëse gjithçka shkon sipas planit të rënë dakord, pas takimit të 27 shkurtit palët dalin me njoftimin se ka pajtim, edhe pse nënshkrimi zyrtar nuk bëhet atë ditë.

Kjo do ruhet për një moment tjetër, më ceremonial, dhe do marrë vëmendjen e nevojshme diplomatike e mediale të botës perëndimore.

Ekskluzive: Çfarë do të ndodhë në takimin e 27 shkurtit në Bruksel…

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore