Art&dizajn

Disa minuta për “Ukrainën në 10 orë”


Askujt s’i nevojitet më shumë se një orë për të përmbushur misionin e “Ukrainës në 10 orë”.

Gjithkujt i duhen ndoshta disa dhjetëra minuta për 67 fotografi të varura në muret e Qendrës për Hapje dhe Dialog (COD).

Kjo sallë pa autor dhe me autorësi kuratorësh ishte zaptuar nga një shkrimtar që përfytyronte udhëtimin e më pas riparaqiste tjetërsimin e udhës në aparatin e tij fotografik.

Si mund t’i përkthejë Ben Blushi (autori në mungesë) 10 orë jetë mes vdekjes në mesin e luftës për t’i dhënë shkas një improvizimi artistik?

Këtë pyetje e bëja vetëm unë pa i vënë pikëpyetjen vetes por siluetave në tre dhoma të COD-it.

Ndoshta duke i hequr ngjyrat shkrepjeve autentike e për t’i dhënë interpretim të njëjtë, luftës dhe njeriut që lufton, mendova në të hyrë të dhomës së parë.

Dhoma 1

Më kishte zënë vendin drita që binte në dy anë të dhomës, për të mos u ndjerë i mirëpritur në zbrazëtinë e mureve që nuk ziheshin nga kornizat.

Kisha para vetes armikun më vdekatar të artit, fotografinë.

Por si një kritik i fotografisë së dëlirë, si të Cartier-Bresson, dhoma e parë më vërviste pabesisht në pikënisjen e luftës.

Pak a shumë si të shohësh fundin e një akti pa dashur t’i kthehesh fillimit.

Me këmbët në dysheme, fotografia fillonte të ndërsente pezullimin e saj në ajrin e dhomës.

Territori i Kryeministrisë, trualli jo vendbanimi qeveritar, po më zhyste në ngadalësinë e jetës së pasigurt (britmat pa zë, bombat si gjurmë, alarmi shurdhues, i afërmi i pangjashëm dhe armiku i të gjithëve).

Dhoma e parë në të djathtë të hyrjes dezertohej nga e bardha për të krijuar kontrast me pallatet e nxira në Borodyanka.

Mu në kënd të saj gjendej një ushtar ukrainas që sa vinte dhe paqartësohej në zmadhim, si për të treguar se muri sheh më pak se syri.

Mes të dyjave, ishin dy pallate përballë njëri-tjetrit që të përngjanin sikur ndanin buzëqeshjen e stampuar të një vajze në një nga godinat që kish mbetur e pashkretuar me objektin e bombarduar që qëndronte si asgjësendi mes qiellit dhe tokës.

Mendimi i parë në këtë rast është kujtimi i jetës, gjallërisë, ngjyrave që mungojnë dhe shenjave të njerëzve.

Objektet s’lënë shenja, veçse po i mbartnin në armaturën e tyre gjurmët e armiqësive.

Holli kryesor

Ndërsa u riktheva andej nga hyra për të parë fotografitë e hollit kryesor të Kryeministrisë, mu kujtua që imazhet qofshin piktura apo fotografi nuk mund të jenë thjesht objekte në dhomë.

Kësisoj e bardha dhe e zeza (e përshtatur artificialisht) e fotografive duhet të mirëpriste thellësinë e dritës dhe errësirës në mungesë të ngjyrave.

Fotografitë (candid) ose të çiltërsuara nga anshmëria e syrit përmbajnë një element që ngrihet nga vendi i ngjarjes, qëllon prej saj si shigjetë dhe na shpon.

Dhe për të provokuar këtë agjitacion atipik të brendshëm, duhet të ecje deri në fund të hollit.

Aty ishin vendosur rastësisht (nga kuratorët) presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky përballë poetit Taras Hryhorovych Shevchenko.

Me plumbin në kokë si për të vrarë kulturën e jo materialin, Shevchenko shihte Zelensky-n e plakur nga rrudhat e luftës dhe pagjumësisë.

Në dukje, meqenëse çdo fotografi është kontigjente dhe të krijon pa dashur “animacion” pandeha reduktimin e parë.

Por kjo e fundit i rezistoi kuptimit deri në fund të ekspozitës.

Arsyeja për këtë ishte mëdyshja nëse po ndiqja një udhëtim 10-orësh rreth Ukrainës në zonat e luftës apo synimet e fotografit në dhomë.

Unë më së shumti isha në kërkim të afektit, të cilin e gjeta në dhomën e fundit.

Protagonisti i heshtur i kësaj salle ishte ushtari ukrainas në atë që mund të quhet “kolovajza e vetëvrasjes”.

Ai kish gjetur pak pushim mes kaosit, sepse çdo lëkundje ishte më e rëndë se e pararendësja.

Korridori

Përballë çdo ripërfytyrimi artistik ka një pasojë konjitive (njohëse) për popullin ukrainas si shpirt i lirë.

Pra, në mënyrë praktike edhe ndjesitë e mia janë cinike.

Në thelb, çdo fotografi zotëronte një përkushtim të përgjithshëm dhe entuziast mbi pasojat e njeriut ndaj njeriut; njeriut ndaj natyrës; njeriut ndaj natyrës njerëzore.

Ky “lloj edukimi” na lejon të vlerësojmë përçmimin ndaj përditshmërisë së jetës.

Mund të mbijetosh pa ekzistuar por s’mund të ekzistosh kurrsesi në mbijetesë.

Mjedisi i luftës është mjedisi më i pasigurt i jetës, rrjedhimisht ky aspekt mbivlerësohet më së shumti në syrin e spektatorit.

Këtë e tregonte grila e një ballkoni që nuk mbante më këmbë vetëm (veten) por edhe identitetin e banesës, godinës, lagjes dhe kombit – flamurin ukrainas.

Ndoshta banuesit e vjetër dhe dora që e preku për herë të fundit nuk jetojnë më, por bindja e tyre për fitoren lëvizte gjithë motorët e tankeve në ekspozitë.

Pikërisht secila godinë e pakornizuar në fotografi, e cila qëndronte, kishte më shumë jetë dhe forcë në armaturë.

Në korridorin më të ndriçuar të ekspozitës (që lidhte hollin me dhomën e tretë) gjendej ai të cilin e mbiquajta si “pavijoni i nderit”.

Pavijoni i ushtarit, i burrit që takon gruan në mes të luftës dhe i qenit-ushtar që bashkë me kolegun e tij putër përmbi putër dëshmonin dashurinë të pafragmentuar në fragmentet e fotografisë.

Njëri prej pesë operativëve specialë me fytyrën e mbuluar ishte i vetmi që më shoqëroi ndër dy dhoma.

I fotografuar pas Monumentit të Mëmëdheut në Kiev që përqafon krahëhapur me shpatë dhe mburojë krenarinë ukrainase, ai po qëndronte larg hijes së pemës.

Ndërsa në dhomën tjetër kishte bërë po të njëjtat hapa larg meje, larg monumentit.

Ai pranë luftës, unë pranë një triptiku.

Dhoma 3

Pa kuptuar, kisha mbërritur në një hapësirë meditimi duke u nisur drejt dhomës së fundit (të tretë).

Isha ulur në një tavolinë që shfrynte ajrin e kondicionuar mbrapsht për të freskuar triptikun e dashurisë (tre foto që vareshin krah njëra-tjetrës).

Dielli i vriste sytë vajzës ukrainase që ishte varur në shpatullën e bashkëshortit të saj.

Më pas, kuptova ndërsa shihja vërdallë se sytë e saj ishin e vetmja portë drejt luftës.

Blushi përmes lentes së tij kishte “vrarë”si pacifist mërzitinë e qetësisë dhe të gjendjes së jashtëzakonshme.

Në kënd, paksa e fshehur nga pjesa tjetër, ishte fotografia e një makine të shkatërruar.

Ajo qëndronte në trotuarin e një biblioteke, duke shfletuar realitetin dhe lexuar gjurmët e saj në asfalt.

Kisha lënë pas një hapësirë pune, si për të simuluar amullinë e të punuarit në reflektimin e tankeve dhe makinerive të luftës.

Por, ishte truproja shumë i sjellshëm që më bëri me shenjë (si për të ruajtur heshtjen) se kishte ardhur ora për të mbyllur ekspozitën.

Mua më duheshin edhe disa minuta për “Ukrainën në 10 orë”.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore