Lajme

Diplomojnë 445 kadetë të rinj të Policisë së Kosovës


Të enjten e 18 prillit është zhvilluar ceremonia e diplomimit të gjeneratës së 59-të kadetëve të rinj të Policisë së Kosovës.

Vendit i janë shtuar saktësisht 445 policë të rinj, prej të cilëve 345 janë djem, dhe 100 të tjerë janë vajza.

Në këtë ceremoni diplomimi morën pjesë edhe krerët e shtetit, duke përfshirë presidenten Vjosa Osmani, kryeministrin Albin Kurti, ministrin Xhelal Sveçla si dhe drejtorin e policisë, Gazmend Hoxha.

Gjatë fjalimit të saj, Osmani është shprehur se aktualisht pesë policë po mbahen peng nga Serbi, teksa u ka bërë thirrje aleatëve që “ta ngrisin zërin dhe t’i ndalin këto veprime” – këto të fundit, ajo i cilësoi si “shoviniste”.

Vjosa Osmani – Presidente e Kosovës.

“Në këto momente pesë policë të Republikës sonë po mbahen peng nga një shtet shovinist, nga Serbia. Prandaj u bëjmë thirrje të gjithë aleatëve tanë që ta ngrisin zërin dhe t’i rrisin përpjekjet që të ndalin mizoritë dhe veprimet e tilla shoviniste kundër qytetarëve dhe policëve tonë”, ka thënë Osmani.

“Por, jam e bindur se betimi i sotëm dhe gjithë këta kadetë dhe ky grup multietnik është përgjigja më e fuqishme kundër përpjekjeve të tilla. Në duart e juaja të dashur kadetë qëndron e ardhmja e qytetarëve tanë, ndaj u takon që ta formësoni atë me guxim, përkushtim e vendosshmëri të palëkundur”, ka shtuar ajo.

Edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, vlerësoi lartë kontributin e Policisë së Kosovës, tash e 25 vite.

Duke ua kujtuar kadetëve të rijnë rolin e rëndësishëm që kanë në mbrojtjen e shtetit.

“Vendit tonë do t’i shtohen edhe 445 policë të rinj të cilët do të shërbejnë gjithandej nëpër Kosovë, duke i dhënë një bazë përforcuese kolegeve tjerë policë. Nga 445 policët që diplomojnë sot, 345 janë djem, 100 vajza, 357 shqiptar dhe 88 nga komunitetet jo shumicë”.

“Kosova rri mbi shtyllat e progresit të vazhdueshëm social, ekonomik e kulturor në njërën anë dhe një vendi të sigurte dhe euro atlantike në anën tjetër. Respektoni dhe nderoni uniformen dhe punën tuaj”, ka thënë Kurti.

Gjithashtu, edhe ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, gjatë fjalimit të tij ka uruar gjeneratën e 59-të të kadetëve të rijnë policorë duke ua rikujtuar detyrën e tyre për ruajtjen e rendit dhe sigurisë në çdo cep të Kosovës.

Xhelal Sveçla – Ministër i Punëve të Brendshme

“Nga sot ju do të jeni pjesë e një organizate të madhe e ngritur mbi parime të shërbimeve të barabartë për të gjithë qytetarët tonë dhe garantimin e rendit dhe sigurisë në çdo cep të territorit të Republikës së Kosovës. Këto janë parimet dhe vlerat e qarta të Policisë së Kosovës, të cilat duhet t’i bartni në çdo ditë të punës suaj”.

“Policia jonë pjesë e secilës nga sot do të jeni edhe ju gëzon mirënjohje dhe vlerësim nga shoqëria jonë të arritura këto falë punës së pandalshme të gjeneratave të tëra në forcimin dhe ngritjen e saj”.

Më 14 korrik të 2023-së, kishin diplomuar po ashtu edhe 419 policë të rijnë.

Osmani: Pesë policë të Kosovës po vazhdojnë të mbahen peng nga Serbia

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore