Kosova

Diplomati gjerman: S’ka Asociacion nëse serbët në veri nuk marrin pjesë në zgjedhje


Ilustrim

Carsten Meyer-Wiefhausen, zëvendës-shef i misionit të Ambasadës së Gjermanisë në Serbi, tha të mërkurën se pa pjesëmarrjen e serbëve të Kosovës në zgjedhjet lokale të parakohshme që do të mbahen në katër komunat në veri të vendit, nuk do të themelohet Asociacioni i Komunave me shumicë serbe.

Meyer-Wiefhausen, siç raporton agjencia serbe e lajmeve “Beta” e ka sqaruar se formimi i Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, nuk është i mundur, nëse listat e kandidatëve për zgjedhjet lokale nuk janë dorëzuar.

Në një debat të mbajtur në Beograd me temën: “Asgjë në mes – Propozimi evropian për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës”, diplomati gjerman deklaroi se “nëse nuk keni zyrtarë, kryetarë komunash, nuk mund të krijoni një asociacion komunash”.

“Pa njerëz në to, nuk keni institucione. Ju duhen ato institucione. Kaq e thjeshtë është”, është shprehur diplomati gjerman, në debatin e organizuar nga Lëvizja Evropiane në Serbi dhe Fondacioni Friedrich Ebert.

Ndërkohë, sot (e merkurë) ka skaduar afati i caktuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve për aplikimin e kandidatëve për zgjedhjet që planifikohen të mbahen në katër komuna veriore të Kosovës. Lista Serbe nuk ka paraqitur listën e kandidatëve dhe për rrjedhojë ajo nuk do të marrë pjesë në zgjedhje.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore