Pajisje

Dilema për moshën e duhur të fëmijëve për të poseduar një telefon


Është një nga dilemat që i mundon prindërit e këtyre kohëve nëse duhet ose jo t’i japin fëmijës një smartphone.

Titujt befasues në lidhje me ndikimin e mundshëm të përdorimit të telefonit dhe rrjeteve sociale nga fëmijët janë të mjaftueshme për ta bërë këdo që të dëshirojë të tërhiqet.

Nga ana tjetër, secili e di tanimë se telefoni është thuajse i pashmangshëm pasi konsiderohet një mjet thelbësor në jetën e përditshme.

Edhe pse ka ende shumë pyetje pa përgjigje mbi efektet afatgjata të telefonave inteligjentë dhe mediave sociale te fëmijët, kërkimet ekzistuese ofrojnë disa prova mbi rreziqet dhe përfitimet kryesore.

Teksa nuk ka asnjë provë gjithëpërfshirëse që tregon se zotërimi i një telefoni ose përdorimi i mediave sociale është i dëmshëm për mirëqenien e fëmijëve, kjo mund të mos tregojë tablonë e plotë.

Shumica e hulumtimeve të deritanishme fokusohen tek adoleshentët dhe jo te grupmoshat më të vogla dhe provat e reja tregojnë se mund të ketë faza specifike zhvillimi ku fëmijët janë më të rrezikuar nga efektet negative.

Për më tepër, ekspertët bien dakord për disa faktorë kyç që duhen marrë parasysh kur fëmija është gati për një smartphone dhe se çfarë duhet të bëhet pasi ta ketë një të tillë.

Candice Odgers, profesoreshë e shkencës psikologjike, analizoi gjashtë meta-analiza duke parë lidhjen midis përdorimit të teknologjisë dhe shëndetit mendor të fëmijëve dhe adoleshentëve.

Ajo nuk gjeti asnjë lidhje të qëndrueshme midis përdorimit të teknologjisë së adoleshentëve dhe mirëqenies së tyre.

“Shumica e studimeve nuk gjejnë asnjë lidhje midis përdorimit të mediave sociale dhe shëndetit mendor”, ka thënë Odgers.

Dhe se në studimet që u gjet një lidhje, përmasat e efekteve ishin të vogla.

Një rishikim tjetër nga Amy Orben, një psikologe eksperimentale, gjithashtu gjeti provat jo përfundimtare.

Teksa kishte një korrelacion të vogël negativ, mesatarisht, në të gjithë studimet e përfshira, Orben arriti në përfundimin se ishte e pamundur të dihej nëse teknologjia po shkaktonte rënien e mirëqenies ose anasjelltas.

Sipas saj, pjesa më e madhe e kërkimit në këtë fushë nuk është e një cilësie mjaft të lartë për të dhënë rezultate kuptimplota.

Sigurisht, këto rezultate janë mesatare dhe i vetmi person që vërtet mund ta gjykojë këtë janë njerëzit që janë më të afërt me ta, ka shtuar ajo.

Çka nënkupton se pavarësisht provave, mund të ketë fëmijë që kanë vështirësi si rezultat i përdorimit të mediave sociale ose aplikacioneve të caktuara.

Nga ana tjetër, për disa të rinj, një telefon mund të bëhet një mjet shpëtimi.

“Imagjinoni se jeni një adoleshent i shqetësuar se puberteti po shkon keq, ose seksualiteti juaj nuk është i njëjtë me miqtë tuaj”, ka veçuar Sonia Livingstone, profesorëshë e psikologjisë sociale.

Megjithatë, në pjesën më të madhe, kur përdorin telefonin e tyre për komunikim, fëmijët flasin me miqtë dhe familjen.

Ndërsa telefonat inteligjentë shpesh fajësohen që fëmijët kalojnë më pak kohë jashtë, një studim danez i 11 deri në 15-vjeçarëve gjeti disa prova se telefonat u japin fëmijëve lëvizshmëri të pavarur duke rritur ndjenjën e sigurisë së prindërve dhe duke ndihmuar në lundrimin në mjedise të panjohura.

Fëmijët thanë se telefonat e përmirësonin përvojën e tyre jashtë duke dëgjuar muzikë dhe duke mbajtur kontakte me prindërit dhe miqtë.

Por aftësia për të qenë në komunikim thuajse të vazhdueshëm me bashkëmoshatarët nuk vjen pa rrezik.

Në një punim të botuar në fillim të këtij viti, Orben dhe kolegët gjetën “dritare të ndjeshmërisë zhvillimore” ku përdorimi i mediave sociale shoqërohet me një periudhë të mëvonshme të kënaqësisë më të ulët të jetës – në mosha specifike gjatë adoleshencës.

Duke analizuar të dhënat nga mbi 17 mijë pjesëmarrës të moshës midis dhjetë dhe 21 vjeç, studiuesit zbuluan se përdorimi më i lartë i mediave sociale në moshën 11 deri në 13 vjeç për vajzat dhe 14 deri në 15 vjeç për djemtë, parashikonte kënaqësi më të ulët të jetës një vit më vonë.

E kundërta ishte gjithashtu e vërtetë: përdorimi më i ulët i mediave sociale në këtë moshë parashikoi kënaqësi më të lartë të jetës vitin e ardhshëm.

Referuar studiuesve, kjo përputhet me faktin se vajzat priren të kalojnë pubertetin më herët se djemtë, megjithëse nuk ka prova të mjaftueshme për të thënë se ky është shkaku.

Përveç moshës, faktorë të tjerë mund të ndikojnë në ndikimin e mediave sociale te fëmijët dhe adoleshentët, por studiuesit sapo kanë filluar të eksplorojnë këto dallime individuale.

“Kjo është me të vërtetë një fushë thelbësore e kërkimit tani. Do të ketë njerëz që ndikohen më shumë negativisht ose pozitivisht në periudha të ndryshme kohore. Kjo mund të jetë për shkak të jetesës së ndryshme, kalimit të zhvillimit në pika të ndryshme, ata mund të përdorin mediat sociale ndryshe”, ka treguar Orben.

Marrë nga “BBC”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore