Shqipëria

Dilema për Lushnjën: Ndryshim apo vijimësi?


Bashkia e Lushnjës ndodhet mes dy zjarreve.

Për zgjedhjet e 14 majit, nën sloganin “Kurrë më pas, vetëm përpara”, Eriselda Sefa kërkon të ecë përpara me qëndrimin e saj në krye të bashkisë.

Kundërshtari i saj në garën për bashkinë, Eduart Sharka, i koalicionit “Bashkë Fitojmë”, kërkon ta thyejë këtë cikël, ai do ndryshim.

Sefa u zgjodh kryebashkiake e Bashkisë Lushnje nga Këshilli Bashkiak. Një zgjedhje kjo, që u bë pasi paraardhësi Fatos Tushe u shkarkua nga Kryeministri Edi Rama, pas arrestimit nga SPAK për korrupsion.

Tushe u arrestua për korrupsion në një tender me vlerë 24 milionë lekë, për ndërtimin e kanalit vaditës në rrethinat e Lushnjës.

Për t’u rikthyer te Sharka, ai ka mbajtur si pozicionin më të spikatur atë të kreut të Shoqatës së Fermerëve të Bashkuar për periudhën kohore 2019-2021.

Por cilat janë ofertat e tyre për qytetarët e Lushnjës?

Bujqësia ‘prioritet’

Siç mund të parafytyrohet, për kandidatin opozitar fitorja ka një rëndësi më të madhe se sa thjesht rotacioni i qeverisjes vendore, kurse për kryetaren aktuale të bashkisë fitorja nënkupton vijimin e mëtejshëm të punëve në proces dhe projekteve të reja.

Për Sharkën, fitorja mbart rëndësinë e nevojës për një ndryshim “të madh” që lidhet me përfaqësimin qytetar në vendimmarrje apo rritjen e cilësisë së shërbimeve. Për Sefën, mbart vijueshmërinë dhe përmbushjen e iniciativave të nisura tanimë.

“Toka e bekuar” e Lushnjës nuk ka se si të mungojë në prioritetet e secilit prej dy kandidatëve në këtë garë. Një e përbashkët mes tyre është promovimi i prodhimit vendas.

E kontaktuar nga Albanian Post, Sefa ka treguar se alternativa e saj konsiston në promovimin e prodhimit lokal përmes “panaireve dhe aktiviteteve te ndryshme”.

Sharka, po ashtu i kontaktuar nga Albanian Post, ka treguar se kjo sferë e ekonomisë lokale do të jetë në qendër të vëmendjes. Një nga pikat kyçe ai rendit “certifikimin dhe marketimin e vajit të ullirit, si dhe certifikimin global G.A.P për të rritur vlerën e produkteve të fermerëve në tregun rajonal dhe evropian”.

Sipas tij, bursa rajonale e çmimit të frutave dhe perimeve do të jetë emergjencë për të mbrojtur fermerët nga spekulimet e tregut dhe për të eliminuar krizat.

Ndër të përbashkëtat e programeve të tyre në sektorin e bujqësisë, i cili është primar për Lushnjën, është edhe këshillimi.

Sefa thekson nevojën për të “konsoliduar” sektorin e këshillimit në bujqësi. Edhe Sharka, ngjashëm parashikon krijimin dhe administrimin e sektorit vendor të informacionit dhe këshillimit bujqësor për t’u ardhur në ndihmë fermerëve me shërbim të specializuar.

Për ngritjen e zonave ekonomike bujqësore, kandidatja e PS-së planifikon “ngritjen e një magazine frigoriferike, të një tjetër magazine agropërpunuese, pikat doganore për prodhimet bujqësore dhe terminalin për autobusët”.

Gjithashtu ajo ka treguar se planifikon shtimin e flotës së mjeteve për pastrimin e kanaleve dhe hapjen e rrugëve të parcelave, si dhe rehabilitimin e sistemit të vaditjes për Njësitë Golem dhe Dushk.

Kandidati i PD-së, ndërkohë, planifikon krijimin dhe administrimin e “skemës vendore të granteve për bujqësinë dhe zhvillimin rural me financim nga buxheti apo bashkëfinancim nga të tretë”.

“Do të kompensojmë fermerët nga dëmet e shkaktuara nga fatkeqësitë natyrore, deri në 8 për qind të buxhetit të bashkisë”, ka thënë ai.

Dhe se do të vihen në dispozicion “10 për qind të fondeve buxhetore për të organizuar skema vendore të granteve për fermerët”.

Sa i përket sektorit financiar, Sharka premton taksa dhe tarifa “të denja” dhe të ulëta për biznesin dhe qytetarët, duke ravijëzuar transparencën e të gjitha proceseve përfshi shpenzimet.

Kurse kundërshtarja e tij në këtë garë premton angazhim të mëtejshëm për të rritur nivelin e arkëtimeve nga taksat dhe tarifat lokale dhe uljen e mëtejshme të detyrimeve të prapambetura.

Projekte infrastrukturore

Rehabilitimi i rrugëve, si urbane ashtu edhe rurale, është pjesë e planit të të dy kandidatëve.

Për Sharkën, ka shumë rrugë – në fshatra nga Bubullima në Thanasaj – që janë në gjendje “të mjerueshme”, te të cilat “do të ndërhyhet që në vitin e parë të mandatit”.

Ai ka folur edhe për rrugët e arrave që, sipas tij, janë të domosdoshme për tiparin bujqësor të bashkisë. “Këto rrugë do të riparohen dhe mirëmbahen çdo ditë, me qëllim që fermerët të shkojnë në çdo kohë me mjetet e tyre pranë parcelave”, ka thënë ai.

Kurse Sefa, nëse vijon drejtimin e Bashkisë Lushnje, planifikon “ndërhyrje në rikonstruksionin e shkollave dhe kopshteve që konsiderohen prioritet.

“Tanimë kanë nisur shkollat ‘Skënder Libohova’ dhe ajo në Golem”, ka thënë ajo.

Si prioritet ajo sheh përfundimin e punimeve për përroin e Lushnjës dhe ndërtimin e Unazës së Lushnjës.

Kandidatja gjithashtu ka folur për rikonstruksionin e spitalit të qytetit (investim i Qeverisë në vitin 2023), mirëmbajtjen dhe ndërhyrjen në disa qendra shëndetësore, dhe përfundimin e investimit për ndërtimin e Bibliotekës se re dhe Qendrës Rinore.

Teksa Sefa konsideron me rëndësi investimet për rehabilitimin e rrjetit ujësjellës në disa Njësi Administrative, kund[rishtari i saj në këtë garë ka përpiluar me ndihmën e specialistëve një projekt konkret për rrjetin e kanalizimeve.

Sharka parashikon krijimin e kushteve për një impiant pastrimi, sistemimin e infrastrukturës nëntokësore të qytetit dhe derdhjen e ujërave të zeza vetëm në një pikë për të ndalur ndotjen mjedisore.

Ndërkaq, Sefa ka sqaruar se në agjendën e saj do të jetë edhe rehabilitimi i shesheve dhe lulishteve në blloqe banimin në qytet dhe qendrat e Njësive Administrative, rehabilitimi i fasadave të pallateve dhe ndërtimi i këndeve te lojërave.

Për gjelbërimin?

Kandidati i djathtë, për të përmirësuar “ndjeshëm” cilësinë e jetës së qytetarëve, planifikon ndërtimin e një parku të gjelbër, ku qytetarët mund të shëtisin, të ecin dhe të vrapojnë.

E për shërbimin e pastrimit, ndryshe nga sot që sipas tij plehrat digjen në Krutje duke shkaktuar një krim mjedisor dhe jo në djegësin e Fierit, do të ketë një tjetër zgjidhje.

Bëhet fjalë për “menaxhim të integruar të mbetjeve urbane, ndarja në burim dhe ulja e kostos së këtij shërbimi”. Dhe se do të “rishikohet” kontrata me djegësin e Fierit.

Edhe për kandidaten e majtë, mjedisi do të jetë prioritar.

Në rastin e saj, mendohet për konsolidimin e menaxhimit publik të sektorit të pastrimit dhe gjelbërimit, shtimin e flotës së mjeteve për Ndërmarrjen e Pastrimit dhe të Zjarrfikëses dhe ndërtimin e Eco Parkut tek ish-fusha e mbetjeve dhe e Qendrës së Kompostimit të Mbetjeve.

Mbështetja sociale

Në sferën e shërbimeve sociale, Sharka ka programuar “funksionimin e mensave sociale dhe krijimin e paketës ushqimore për 300 familje në nevojë, projekt që do të realizohen qysh në muajin e parë”.

Por edhe krijimin e një strukture bashkie të shërbimit ambulant që do të mbajë në kontroll të vazhdueshëm gjendjen shëndetësore të të moshuarve të mbetur vetëm duke i vizituar pranë banesave të tyre.

Nga ana tjetër, Sefa programon fuqizimin e qendrës sociale për fëmijët PAK, që sipas saj aktualisht është “një nga më të mirat në vend”.

Në agjendën e saj nuk do të mbetet prapa as forcimi i programeve mbështetëse për komunitetin rom dhe egjiptian, si dhe mbështetja e shtuar për gratë artizane.

Tani, thjesht mbetet për t’u parë se cilat oferta politike janë më të rëndësishme për qytetarët e Lushnjës dhe se cili nga kandidatët do të arrijë t’i bindë ata për të marrë drejtimi e bashkisë.

Deri sa të vijë ora për të vendosur,  ‘lufta’ vazhdon.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore