Sport

Dikur konsiderohej e ardhmja, tash në listën e shitjeve


Marco Asensio është futur në listën e shitjeve nga Real Madrid-i.

Futbollisti spanjoll i mbretërorëve nuk po kalon fare periudhë të mirë në karrierën e tij.

Kur ai u shfaq para pesë viteve në skenë, të gjithë e konsideronin atë si të ardhmen e klubit të Real Madrid-it.

Realisht, dy sezonet e para për të ishin shumë të mira, duke marrë parasysh se roli i tij ishte si zëvendësues në formacion për Bale-in, Ronaldo-n, Isco-n ose Benzema-n.

Mirëpo, gjatë verës së vitit 2019, gjithçka u kthye për të keq për Marco Asensio-n.

Në një miqësorë përballë Arsenal-it, ai u lëndua duke pësuar këputje të ligamenteve të gjurit.

Ky lëndim, spanjollin nga Mallorca e mbajti jashtë fushave për afro një vit.

Dhe, që nga koha e rikthimit, Asensio nuk ka kaluar periudhë aspak të mirë.

Ai ka shënuar disa gola, por gjithmonë ka qenë një lojtar me vazhdimësi të dobët, duke u paraqitur mirë një herë e keq pesë herë.

Kjo, e ka shtyrë Real Madrid-i që atë ta fus në listën e shitjeve.

Tani, kanë mbetur vetëm dy zgjidhje, ta shesë verën që vjen ose t’ia rinovojë kontratën këtë vit, për të mos e humbur me parametra zero.

E para, duket më e mundur.

Deri më tani, tre skuadra kanë shfaqur interes për Asensio-n. Bëhet fjalë për Milan-in, Juventus-in dhe Liverpool-in.

Real Madrid-i deri në fund të sezonit do ta përcjellë nga afër situatën, madje edhe mendimi mund të ndryshohet përsëri.

Nëse Asensio paraqitet si kundër Mallorca-s, kur shënoi hat-trick, në vazhdimësi, ai mund të ketë një të ardhme në “Santiago Bernabeu”.

Në të kundërtën, Real Madrid-i do t’i shqyrtojë ofertat që vijnë për të. Asensio vlerësohet diku rreth 40 milionë euro.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore