Lajme

Dialogu Kosovë-Serbi, Tajani: S’do ketë inciativa tjera pa praninë e Italisë


Antonio Tajani

Ministri i Punëve të Jashtme të Italisë, Antonio Tajani, në konferencën për Ballkanin Perëndimor që po zhvillohet në Trieste, theksoi edhe njëherë se Italia i do vendet e rajonit në orbitën evropiane dhe për këtë arsye kërkuan që të angazhohen personalisht në dialogun Prishtinë-Beograd të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.

“Franca dhe Gjermania kane qenë deri tani të vetmit ndërmjetës. Ne kërkuam dhe arritëm që mos të ketë asnjë iniciativë evropiane dhe amerikane për të favorizuar paqen mes Kosovës dhe Serbisë pa praninë tonë”, tha Tajani, transmeton agjencia italiane e lajmeve.

Diplomati italian potencoi se Italia është e përkushtuar në gjetjen e një zgjidhje mes palëve dhe ruajten e paqes.

“Italia është pjesë e QUINT-it që merret me marrëdhëniet ndërmjet Serbisë dhe Kosovës. Italia ka një prani të fortë ushtarake në Ballkan, por kjo duhet të zgjidhet. Ne kemi ushtri në Kosovë, në Bosnje-Hercegovinë dhe në Shqipëri. Ne gjithashtu duhet të sigurohemi që prania jonë ushtarake të ndihmojë diplomacinë tonë”.

“Në politikë, kur lihen hapësira, ato i zënë të tjerët. Nëse jemi të pranishëm politikisht, me bizneset tona dhe me forcat tona ushtarake të paqes, nuk ka asnjë rrezik. Kjo është arsyeja pse Italia dhe Europa duhet të jenë më të pranishme”, shtoi Tajani.

Gjatë fjalës së tij, ai njoftoi se në muajt e ardhshëm do të ketë një takim të ministrave të jashtëm të Ballkanit në kryeqytetin italian në Romë.

“Me Bullgarinë, Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë do të organizojmë një tjetër aktivitet kushtuar Korridorit Pan-Evropian”, tha kryediplomati.

Kastës së top diplomatëve francezë dhe gjermanë që janë angazhuar në fazën finale të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, i është shtuar edhe Italia – e cila ishte shumë e zëshme gjatë “krizës së barrikadave”, në veri fundvitin e kaluar.

Vëmendja e shtuar e Italisë në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë – Politikë e re e Giorgia Melonit për Ballkanin, apo vazhdimësi e natyrshme?

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore