Lajme

Di Bella nga FMN-ja: Rritja ekonomike e Kosovës për këtë vit 2 ose 3 %


Gabriel Di Bella

Shefi i Misionit të Fondit Monetar Ndërkombëtar, Gabriel Di Bella, në një konferencë për media ka vlerësuar situatën ekonomike dhe financiare të Kosovës.

Di Bella i cili ka paraqitur të gjeturat e Fondit Monetar Ndërkombëtar për Kosovën ka bërë të ditur se me luftën në Ukrainë janë ngritur çmimet në shumë fusha dhe Kosova si një shtet kryesisht importuese ka pësuar nga kjo.

“Si pasojë e luftës në Ukrainë kemi pasur një rritje të çmimeve të ushqimit dhe të energjisë dhe Kosova kryesisht është importuese e ushqimeve dhe energjisë prandaj kjo ka bërë që në Kosovë të ketë inflacion dhe rrjedhimisht kemi parë që edhe rritja ekonomike është ngadalësuar në vitin 2022 pas një rritjeje të jashtëzakonshme të çmimeve”, ka shpjeguar Di Bella.

Ai më tej ka bërë të ditur se parashikimi i FMN-së për rritjen ekonomike të Kosovës për këtë vit varion nga 2 deri në 3 për qind.

“Natyrisht mund të ketë një rritje të implementimeve të investimeve që mund ta rrisin këtë përqindje, por duhet të presim deri në fund të vitit për të parë këtë rritje, ndërsa për vitin 2023 FMN parasheh një rritje prej 3 ose 4 për qind”.

Zyrtari i FMN-së më tej ka përgëzuar qasjen e Qeverisë së Kosovës në sekotrin financiar dhe ka vlerësuar me nota të larta përgatitjen e buxhetit për vitin 2023.

“Buxhet ky i cili është dorëzuar në Kuvend dhe mendojmë që është një buxhet i mirë që do ta ndihmojë Qeverinë të shpëtoj nga kjo rënie”.

Di Bella më tej ka bërë të ditur se Fondi Monetar është kundër tërheqjes së një shume të caktuar të mjeteve nga Fondi i Trustit.

“Sa i përket ideve që të shfrytëzohet fondi nga Trusti ne e kemi kundërshtuar atë pasi ky vendim nuk duhet marrë parasysh përfitimin afat shkurt dhe koston afatgjate të saj dhe shfrytëzimi i Trust-it do të ishte me dëme afatgjate për popullin e Kosovës”.

Ai ka folur edhe për çështjen e energjisë elektrike duke bërë të ditur se në Kosovë 18 për të konsumatorëve nuk e paguajnë rrymën.

“Ajo që ne kemi shprehur është që duhet të ndalohen konsumatorët për vjedhjen e energjisë”.

Në anën tjetër ministri i Financave Hekura Murati, po në të njëjtën konferencë duke folur për rritjen ekonomike, ka pranoi se ka një ngadalësim të normës ekonomike.

Por shtoi se për vitin e ardhshëm presin një rritje ekonomike 5.5 për qind.

“Shpresoj që të kemi rritje eksporteve që tani janë një trend i theksuar pozitiv. Për buxhetin e 2023 kemi adresuar të gjitha hendeqet, qoftë për buxhet për arsim, shëndetësi dhe infrastrukturë”, tha Murati.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore