DHSK-ja refuzon kërkesën e Kilajt për pushim në Shqipëri

Ish-pjesëtarit të UÇK-së i refuzohet kërkesa për pushim në bregdetin e Shqipërisë në kohëzgjatje prej 8 ditësh.
SHFLETO

Isni Kilaj

 

Armat Matoshi
25.09.2024 16:11
Loading Icons...

Gjykata Speciale ka refuzuar kërkesën e ish-pjesëtarit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Isni Kilaj, rreth ndryshimit të përkohshëm të kushteve të lirimit të cilat janë vendosur në maj të këtij viti, përkatësisht që atij t’i lejohet udhëtimi në bregdetin shqiptar për një pushim në kohëzgjatje prej 8 ditësh së bashku me bashkëshorten.

Kilaj, në arrest shtëpiak nga muaji maj, ka kërkuar leje nga Dhomat e Specializuara të Kosovës (DHSK) më 9 shtator që t’i kalojë pushimet verore në Shqipëri. Megjithatë, kjo kërkesë është refuzuar nga DHSK-ja nën arsyetimin se ndryshimet e propozuara të mbrojtjes nuk marrin parasysh rreziqet e kryerjes së veprave të mëtejshme.

“Lidhur me rrezikun e arratisjes, gjyqtari i vetëm kujton se fakti që Kilaj, në parim, do të kishte mjetet dhe mundësinë për t’iu shmangur drejtësisë duke udhëtuar lirshëm në juridiksione përtej mundësive të Gjykatës Speciale, duke përfshirë Shqipërinë, ka qenë një faktor konsistent në vlerësimin e gjyqtarit të vetëm për rrezikun e arratisjes”.

Ish-pjesëtari i UÇK-së, i cili ishte arrestuar nga DHSK-ja në nëntor 2023 nën dyshimet për veprat penale që kanë të bëjnë me pengimin e drejtësisë, në maj është liruar “me kushte të rrepta” të sigurisë, pas dhënies së dorëzanisë prej 30.000 eurosh. Kilaj ka qëndruar për pothuajse gjashtë muaj në qendrën e paraburgimit në Hagë të Holandës.