Lajme

Dezinformimi rus për të diskredituar Yulia Navalnaya-n ka nisur


Yulia Navalnaya është armikja e re e Rusisë. Në mediat sociale tashmë ka nisur puna kundër saj.

Qarkullojnë dokumente të falsifikuara, komente false, foto të vjetra të nxjerra jashtë kontekstit dhe thashetheme të pabaza.

Çdo gjë për ta diskredituar tani që ajo ka njoftuar se dëshiron të marrë stafetën nga burri i saj, Alexei Navalny, i cili vdiq në një burg rus më 16 shkurt.

Teksa autoritetet vazhdojnë t;ia mohojnë trupin nënës Lyudmila, e cila do të duhet të presë deri më 4 mars për një seancë dëgjimore për moskthimin e tij, mediat pro-qeveritare dhe mediat sociale i kanë vënë tashmë Yulia-s një pseudonim denigrues: “e veja e gëzuar”.

Gjithçka fillon me një video me lëvizje të ngadaltë të fjalimit të saj të paplanifikuar në Konferencën e Sigurisë në Mynih, kur lajmi për vdekjen e Navalny-t sapo ishte publikuar nga Shërbimi Federal i Ndëshkimeve Ruse dhe ajo ende nuk po mundte ta besonte.

Ajo ndërkohë iu përgjigj duartrokitjeve të të pranishmëve me një buzëqeshje të lehtë.

Një tregues i “etjes për vëmendje dhe fuqi” pavarësisht “maskës së dhimbjes”, sipas përdoruesve të ndryshëm në mediat sociale.

“Reagimi i një gruaje që nuk mund të përmbajë gëzimin dhe lehtësimin e saj”, sipas një komenti që i atribuohet psikologut amerikan Paul Ekman, një ekspert kryesor në shprehjet e fytyrës.

Por kur u kontaktua nga TV Dozhd, firma e Ekman e mohoi këtë duke shpjeguar se “nuk jep këshilla për çështje politike e aq më pak të komentojë sjelljet joverbale të të tjerëve”.

Por nuk mbaroi me kaq.

Profile të ndryshëm të mediave sociale, përfshirë në anglisht dhe gjermanisht, filluan të qarkullojnë një foto të Navalnaya duke buzëqeshur, me pantallona të shkurtra, në plazh, pranë një burri tjetër, shoqëruar me komente skandaloze: “Ditën e vdekjes së Navalny-t, Yulia po argëtohej në plazh!”.

Megjithatë, fotografia e bërë në Jurmala të Letonisë daton në gusht të vitit 2021. Miliarderi rus Yevgeny Chichvarkin e publikoi në Instagram me mbishkrimin e mëposhtëm: “Me Zonjën e Parë të Rusisë së bukur të së ardhmes, Yulia Navalnaya. Liri për Navalny-n”.

Themeluesi i operatorit celular rus Evroset, Chichvarkin, u arratis në Britaninë e Madhe në vitin 2008 dhe u hetua e iu nënshtrua një urdhër arresti ndërkombëtar dhe një kërkesë ekstradimi për zhvatje dhe rrëmbim deri në vitin 2011 kur Moska hoqi akuzat.

Sipas raportimeve, ai ndihmoi Navalny-n të financonte luftën e tij kundër korrupsionit dhe mbuloi një pjesë të shpenzimeve mjekësore pas helmimit të tij nga Novichok në vitin 2020.

Chichvarkin nuk është i vetmi flirtim jashtëmartesor që i atribuohet Navalnaya-s. Disa faqe që janë pjesë e makinës së propagandës ruse në Evropë dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës e kanë akuzuar atë si një “shoqëruese politike” dhe se ka një marrëdhënie me një “agjent të huaj”, Christo Grozev, gazetari investigativ i Bellingat që ndihmoi Navalny-n të demaskonte helmuesit e tij.

Burimi i thashethemeve do të ishte një asistente e supozuar e Navalnaya-s, Anna Gonchar: “Ata njihen për shumë vite, por tani janë në një lidhje. Yulia tha se Grozev shkon shumë mirë me fëmijët, veçanërisht me Zakhar. Unë u kujdesa për udhëtimet e tij për gjithë vitin 2023. Në verë ata fluturuan për në Nice. Ata qëndruan në të njëjtën dhomë. Në dhjetor ata fluturuan së bashku në Mont Blanc për Krishtlindje”.

Por doli se faturat e supozuara të rezervimit të hoteleve të përhapura për të mbështetur akuzat ishin falsifikuar.

Ama media e qeverisë ruse nuk ka nevojë të shkojë kaq larg. Mjafton të kujtojmë se Navalnaya prej dy vitesh jeton jashtë vendit, për të rinisur fotot e shtrëngimeve të duarve të saj me liderët e huaj në Monako dhe Bruksel ditët e fundit dhe për të argumentuar se hyrja e saj në lojë është një “provokim nga Perëndimi” për të sabotuar politikën e brendshme ruse.

Siç komenton politologia Tatiana Stanovaja, “për publikun rus, të jesh properëndimor do të thotë të tradhtosh, të punosh për armikun”.

Sfida më e madhe për Navalnaya-n tani do të jetë “të çlirojë veten nga kjo stigmë”.

Marrë nga “La Repubblica”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore