Shqipëria

Deti “rishkumëzon” politikën në Shqipëri – Nga marrëveshja e vitit 2009, tek rrëzimi në Kushtetuese e çështja në Hague, si shtjellohet ajo?


Presidenti i Republikës, Ilir Meta, ka risjellë në vëmendje të politikës shqiptare, një çështje thelbësisht delikate, e cila i takon marrëveshjes detare midis Shqipërisë dhe Greqisë – e pazgjidhur prej dekadash.

Me akuza shumë të forta ndaj kreut të Partisë Demokratike, Lulzim Basha, presidenti Meta deklaroi se kryedemokrati, ka bërë lojë të dyfishtë me marrëveshjen me Athinën.

Madje, ai ka vijuar më tej, duke pretenduar se veprimet e Bashës në vitin 2009, kanë pasur implikime shumë serioze në raport me shtetin shqiptar.

Presidenti i Republikës, Ilir Meta

Por kreu i shtetit e la gjithçka në vazhdën e këtij komenti, pa shpjeguar se çfarë ka ngjarë realisht në atë vit, kur ministër i Jashtëm i Shqipërisë, ishte pikërisht Lulzim Basha.

Nga ana tjetër, vetë kreu i opozitës, e përgënjeshtroi këtë akuzë të Metës.

“Trekëndëshi i Bermudës këtë punë do bëjë. Fakti është që negociatat e 2009-ës u kryen nga ekspertët e ministrisë dhe pjesa diplomatike u ndoq nga një person i sjellë nga Rama dhe Meta. Të tjerat janë trillime dhe gënjeshtra”.

Marrëveshja e 2009-ës

Pas thuajse 50 vjetësh diktaturë, çështja e kufirit detar midis Shqipërisë dhe Greqisë, ishte e pazgjidhur. Madje, tërësisht e patrajtuar.

Por ajo gjeti shtigje hapëse me fillimin e epokës demokratike në Shqipëri.

Viti 2009, do të ishte pikërisht përcaktues për këtë çështje.

Një marrëveshje mes Shqipërisë, të drejtuar asokohe nga Sali Berisha dhe Greqisë, të drejtuar nga Kostas Karamanlis, u arrit mbi shelfin kontinental dhe zonat e tjera detare, të cilat u përkasin sipas të drejtës ndërkombëtare.

Në bazë të kësaj të fundit, çdo shtet ka të drejtë të zgjerohet deri në një kufi prej 12 miljesh nga skaji i hapësirës së fundit tokësore që zë.

Nënshkrimi i marrëveshjes së detit, 2009

Mirëpo, marrëveshja e arritur mes dy vendeve, u denoncua menjëherë nga Partia Socialiste, opozitare asokohe. Akuzat do të arrinin deri aty sa Qeveria të përshkruhej si “shitëse e detit”.

Ato, përtej kryeministrit Berisha, do të rëndonin veçanërisht edhe tek ministri i Jashtëm, Basha.

Në pretendimin ligjor të socialistëve konkretisht, arsyet ishin të lidhura ngushtësisht me dy faktorë.

I pari, ishte vija nga ku niste matja. Kjo, për shkak se ngushtica jugore mes dy vendeve, është mjaft e vogël dhe në të tillë mënyrë, Greqia kishte mundësi të shfrytëzonte nenin e konventës, duke hyrë në kufijtë e zonave ekonomike ekskluzive të Shqipërisë.

Aspekti i dytë, ishte mënyra si negociatat ishin zhvilluar. Një mënyrë, tërësisht e fshehtë!

Matja e pretenduar nga Greqia prej ishullit të Korfuzit, ishte e papranueshme sipas opozitës së atëhershme.

Për këtë shkak, çështja shkoi në Gjykatën Kushtetuese.

Marrëveshja “nul”

Në vitin 2010, Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë, do të shpallte juridikisht të pavlefshëm dhe antikushtetues, akordin e arritur mes Shqipërisë dhe Greqisë, për përcaktimin e kufijve detarë.

Delimitimi i zonave përkatëse të shelfit kontinental dhe zonave të tjera detare, ishte i pavlefshëm.

Ato çfarë Kushtetuesja kishte vërejtur parësisht, ishin shkelje procedurale dhe substanciale, të cilat binin ndesh me Kushtetutën e Shqipërisë. Por jo vetëm kaq.

Zona e delimitimit për marrëveshjen e detit

Në bazë të arsyetimit, ato binin ndesh edhe me Konventën e Tretë Ndërkombëtare të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, për të drejtën e detit, e vitit 1982.

Ndër konkluzionet e Kushtetueses, ishte edhe thyerja e atij që njihet si parimi i “Equity” ose i shqipëruar, i barazisë. Pra, ndarja duhet të jetë sa më e barabartë për çdo shtet.

Në rastin e Shqipërisë dhe Greqisë, ky parim nuk ishte zbatuar. Kjo, pasi prekeshin zonat ekskluzive ekonomike.

“Refresh”

Pas ardhjes në pushtet të Qeverisë Rama, mbi çështjen e detit do të binte një heshtje. Për të nuk do të flitej më deri në prill të vitit 2018. Asokohe, Shqipëria rifilloi bisedimet zyrtarisht me Greqinë.

Gjërat kishin ndryshuar. Shteti helen tashmë, drejtohej nga Alexis Tsipras.

Sakaq, rasti i 2009-ës, ende ishte i freskët në kujtesë. Ndaj, aktorët e ndryshëm, nuk lejuan që historia të përsëritej.

Një grup pune i posaçëm vetëm për bisedimet e detit, u ngrit nga të dy palët.

Shqyrtimi rifilloi dhe avancimet mbi detin bëheshin herë pas here publike. Objektet e bisedimeve, po ashtu.

Imazh nga raundi i dytë i bisedimeve Shqipëri-Greqi, për çështjen e detit

Qëllimi i palës greke vijonte të mbetej i qartë: Zgjerimi me 12 milje, sipas Konventës Ndërkombëtare.

Mirëpo, këto 12 milje, do të ishin në dëm të Shqipërisë, ashtu si pati argumentuar edhe Kushtetuesja në vitin 2010.

Për këtë fakt, pala shqiptare solli në pah se aplikimi i 12 miljeve, mund të bëhej vetëm aty ku ishte e mundur.

Pala greke nuk e pranoi qasjen dhe bisedimet u prishën. Tym të bardhë mbi detin, nuk kishte sërish.

Konventë Ndërkombëtare – Gjykatë Ndërkombëtare

Pas dështimit të bisedimeve, veç një rrugë kishte mbetur për Shqipërinë dhe Greqinë, për të zgjidhur përfundimisht çështjen e detit.

Të dy vendet, ishin dakordësuar se ajo do të shkonte në Gjykata ndërkombëtare për t’u zgjidhur. Konkretisht, në atë të Hague-s.

Por, më 20 janar 2021, Greqia do të vendoste të miratonte në Parlament projektligjin e zgjerimit me 12 milje në detin jon.

Reagimi ishte i menjëhershëm nga të gjitha palët. Sipas Qeverisë shqiptare, ishte në të drejtën sovrane të Greqisë, ta ndërmerrte aktin. Mbi të gjitha, zgjerimi i tyre nuk e prekte tokën shqiptare.

Nga ana tjetër, opozita akuzonte se grekët, ishin futur në zonën e të drejtës ekskluzive ekonomike.

14 qershori i vitit 2021, do të zhurmonte me një lajm, këtë herë nga Brukseli.

Disa media greke, raportuan se gjatë Samitit të NATO-s, kryeministri shqiptar Edi Rama dhe ai grek, Kyriakos Mitsokatis, kishin “shtrënguar duart” për detajet e fundit të marrëveshjes detare.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama dhe ai i Greqisë, Kyriakos Mitsotakis, në Samitin e NATO-s

Albanian Post u interesua menjëherë për çështjen. Nga zyra e kryeministrisë shqiptare, qëndrimi ishte i qartë: Nuk ka marrëveshje.

Gjithçka, ashtu si e akorduar, do t’i mbetej Hague-s fjala e fundit.

Sot, sërish, pas rreth gjashtë muajsh në heshtje, ridel në sipërfaqe të jetës politikës shqiptare “shkuma e detit ende e papastruar”.

Veçse, këtë herë, nuk ka të bëjë me konkretizimin e marrëveshjes dypalëshe.

Kujtesa rikthehet tek marrëveshja e shkuar, e arritur, por e rrëzuar, e shumëdiskutuar, e vitit 2009.

Akuzat e Ilir Metës ndaj Bashës, u forcuan me deklaratën e fundit për detin.

“Basha gënjen kur thotë se unë i kam dërguar një ekspert, së bashku me Ramën”, replikon Meta forcërisht në distancë me kryedemokratin.

“Është fakt se në raport me marrëveshjen me Greqinë, Basha ka bërë dopio lojë”.

Detajet gjithsesi, mungojnë…

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore