Shqipëria

Dështon sërish mbledhja mes anëtarëve të Këshillit dhe kreut Dritan Leli


Anëtarët e Këshillit Bashkiak të Vlorës kishin planifikuar një tjetër mbledhje me kryebashkiakun Dritan Leli, e cila u anulua.

Kjo erdhi pasi këshilltarët, së bashku me kryetarin Leli, nuk kanë rënë dakord për formën e mbajtjes së mbledhjes.

Leli ka kërkuar vazhdimisht mbledhje online, ndërsa këshilltarët nuk pranojnë.

Nëpërmjet një statusi në median sociale Facebook, Leli bëri me dije se mbledhja kishte të bënte për interesat e qytetarëve.

Në këtë mbledhje, sipas kreut të Vlorës, do të miratohej ndihma ekonomike, dhe prej një viti është diskutuar me metodën online.

“Më vjen keq që, me këngën e kusureve të mia, Këshilli Bashkiak nuk po i përkrah sot fëmijët me probleme sociale të qytetit, që me miratimin e vendimit do të frekuentonin kopshtet dhe çerdhet me të ardhurat e bashkisë”.

Duke ju drejtuar këshilltarëve, Leli thotë se “e pranoj haraçin e veprimeve tuaja deri në masën që më prek mua, por jo qytetin”.

Kryebashkiaku iu bëri thirrje anëtarëve që të mendojnë për sezonin turistik të Vlorës dhe të mos “shëmtojnë” vendin përballë turistëve.

“Vlora duhet promovuar, jo sakatuar! Të gjithë mund të bëjmë më shumë, mund të bëjmë më mirë, pa shterpëzuar një energji të tërë që mund ta shfrytëzonim në dobi të Vlorës”.

Në përfundim, Leli iu kërkoi ndjesë qytetarëve për gjithë këtë “shfaqje teatrale”.

“Po e marr unë barrën e ndjesës, ndaj të gjithë banorëve të Vlorës”, e përmbylli Leli.

Tension mes Lelit dhe Këshillit Bashkiak

Të premten e 18 qershorit, një tjetër mbledhje është anuluar me pretekstin për të respektuar masat anti-Covid.

Këshilli Bashkiak kërkoi mbledhje urgjente pas kërkesës së kryetarit të bashkisë për të shkarkuar nga detyra sekretarin e përgjithshëm të këshillit, Agron Gjipali.

Kërkesa ka ardhur me argumentin se ka mbushur moshën e pensionit.

Shkresa e kryebashkiakut Leli u kërkonte anëtarëve të Këshillit Bashkiak të Vlorës të zgjedhin një sekretar të ri të përgjithshëm.

Nga ana e tyre, anëtarët e Këshillit Bashkiak të Vlorës e kanë konsideruar këtë gjë tendencioze, duke refuzuar shkarkimin e Gjipalit nga detyra.

Ndërsa të martën e 15 qershorit ka ndodhur përplasja e parë mes anëtarëve të Këshillit dhe Lelit.

Anëtarët kanë kërkuar zhvillimin e mbledhjes të 15 qershorit në teatrin “Petro Marko”, ndërsa Leli nuk e ka lejuar atë, duke thënë se janë shkelur masat anti-Covid.

Deputeti i Partisë Socialiste në Vlorë, Anduel Tahiraj, u shpreh se mënyra se si zhvillohet mbledhja e përcakton Këshilli Bashkiak dhe jo kryetari.

“Akti i Lelit, papërgjegjshmëri që cenon qytetarët e Vlorës”, tha Tahiraj në një deklaratë për mediat.

Sipas tij, Leli ka humbur besimin e qytetarëve dhe mbështetjen e Partisë Socialiste.

Më herët, këshilltarët e Këshillit Bashkiak të Vlorës kërkuan një mbledhje për të diskutuar mbi shqetësimet e komunitetit për gjendjen e shërbimeve vendore.

Ata, në atë kohë, kërkuan një ballafaqim me Dritan Lelin, dhe praninë e deputetëve të qarkut, përfshirë edhe kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore