Kosova

Dëshmitari në rastin Mustafa në Speciale – nuk kam pasur kontakt personal me të akuzuarin, por vetëm një përshëndetje


Dëshmitari i pestë i Zyrës së Prokurorisë së Specializuar në rastin e Salih Mustafës, identiteti i të cilit nuk dihet

Dëshmitari i pestë në rastin e ish-pjesëtarit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Salih Mustafa, i cili po dëgjohet gjatë ditës së martë të dy nëntorit, në Dhomat e Specializuara të Kosovës ka deklaruar se me të akuzuarin nuk kishte pasur asnjëherë kontakt personal, por vetëm një përshëndetje.

Një deklarim të tillë ai e ka bërë duke u përgjigjur në pyetjet e avokatit të Mustafës, Julius von Bone.

Se a ishte takuar ndonjëherë para, gjatë apo pas luftës me tani të akuzuarin Mustafa, kjo gjë nuk është bërë e ditur, meqë përmbajtja e deklaratës nuk është transmetuar.

Dëshmitari është pyetur se çfarë pune bënte ai në Shtabin e Komandës tek shkolla në fshatin Zllash, për çka, dëshmitari tha se aty kishte shkuar një apo dy herë për të dërguar ushqim.

Po ashtu, dëshmitari tha se kishte shkuar njëherë edhe tek baza e skifterëve.

Nga dëshmitari është kërkuar që të përshkruajë këtë bazë, por dëshmitari ka deklaruar se atij i kujtohej vetëm se kishte qenë një shtëpi.

Një pjesë e madhe e seancës ka vazhduar në sesion të mbyllur.

Avokati i Salih Mustafës, Julius von Bone

Dëshmitarit të pestë në rastin e Mustafës, pyetje janë parashtruar edhe nga prokurori i Zyrës së Prokurorisë së Specializuar Filip Deminçe.

Ku ai ka treguar se ka qenë pjesë e një njësie në kuadër të brigadës 153 të cilët kanë veshur uniforma të zeza, dhe shtabin e kanë pasur në fshatin Zlash.

Sipas dëshmitarit njësia ku ka qenë pjesë ai ka pasur edhe një skuadër të policisë ushtarake e cila ka veshur uniformë ushtarake.

Bazuar në deklaratat e dëshmitarit në Zlash shtabin e ka pasur edhe njësia me emrin “Skifterat”, ku komandant ishte i akuzuari.

Deri më tani në Gjykatën Speciale, për rastin e Mustafës janë dëgjuar katër dëshmitarë, derisa dy të tjerë pritet të dëshmojnë në muajin dhjetor të këtij viti dhe në janar të vitit të ardhshëm.

Ky është gjykimi i parë që ka filluar në Hagë si dhe Mustafa është i arrestuari i parë nga Specialja.

Aktakuza ndaj Mustafës është konfirmuar më 12 qershor 2020, ndërsa ai u arrestua më 24 shtator të vitit të kaluar, me pretendimin për krime lufte.

“Aktakuza e konfirmuar përcakton se afërsisht midis 1 prillit 1999 dhe 19 prillit 1999, në një kompleks ndalimi në Zllash, Kosovë, u kryen krimet e ndalimit arbitrar, trajtimit mizor dhe të torturës kundër të paktën gjashtë personave. Gjithashtu, në aktakuzë thuhet se në një datë midis 19 prillit 1999, ose rreth kësaj date, dhe rreth fundit të prillit 1999, në atë vendndodhje u vra një i ndaluar”, ka njoftuar Gjykata Speciale përmes një komunikate.

Bëhet e ditur se në aktakuzën e konfirmuar, Salih Mustafa akuzohet në kuadër të formave të ndryshme të përgjegjësisë penale, për: ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme si krime lufte të kryera në kontekstin e konfliktit të armatosur jo ndërkombëtar në Kosovë, ose në lidhje me atë konflikt.

Në deklarimin e tij para trupit gjykues, Salih Mustafa është deklaruar i pafajshëm.

I akuzuari, Salih Mustafa i cili në seancën gjyqësore është paraqitur përmes video-lidhjes

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore