Kosova

Dërgimi i projektligjit për konfiskimin e pasurisë në Komisioni e Venecias – “do të ishte i mirëseardhur”


Ilustrim.

Koncept-dokumenti, parasheh që hetimi për pasurinë e fituar në mënyrë të paligjshme, e cila nuk mund të justifikohet, të bëhet për 21 vjetët e fundit.

Organizata jo-qeveritare, “Demokracia Plus”, përmes një komunikate ka kërkuar nga Kuvendit të Kosovës, të kërkojë opinionin nga Komisioni i Venedikut për Projektligjin për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme.

Sipas tyre, pasuria e fituar nga korrupsioni dhe abuzimi me detyrën publike është brengë serioze në Kosovë dhe kërkon trajtim të menjëhershëm.

“Duke qenë një problem kompleks, zgjidhjet që ofrohen duhet të jenë në përputhje me standardet ndërkombëtare që balancojnë të drejtat e individit me ato të interesit të përgjithshëm”, thuhet në komunikatën për media të kësaj organizate.

Juristi, Arbër Jashari, thotë për Albanian Post se opinion i Komisionit të Venecias do të ishte shumë i mirëseardhur.

“Do të ishte garanci që me këtë ligj, të mos cenohet siguria juridike dhe të drejtat themelore të individëve”, thotë Jashari për AP.

Ai thekson, dy dilema kryesore të cilat deri tani janë ngritur deri tani për Projektligjin për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme.

“Me aq sa kam parë, deri me tash janë të paktën dy çështje për të cilat janë ngritur dilema ligjore: barra e provës, që bie mbi personat që do të jenë subjekt i hetimit si dhe vet institucioni i Byrosë, i cili ka gjasë që të shndërrohet një mjet që shteti mund ta përdor për përndjekjen e peronave të caktuar, pavarësisht se fjalën e fundit e thotë gjykata”.

Edhe hulumtuesja e lartë në Lëvizjen Fol, Albana Hyseni, për Albanian Post thotë se nevoja për krijimin e një Byroje të tillë është e pa diskutueshme, duke marrë parasysh nivelin e lartë të korrupsionit në shoqërinë kosovare.

Komisioni i Venecias.

“Por, se a do të ketë rezultate apo jo, mbetet të shihet pas hyrjes në fuqi të Ligjit”, pohon ai.

“Dëshira jonë është që të funksionojë si e tillë dhe të jap frytet e para të saj”.

Sipas saj, byroja si institucion i ri që do të krijohet, do t’i duhet shumë kohë që të vihet në funksion të zbatimit të detyrave ligjore.

Në anën tjetër edhe Yll Zekaj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, për AP potencon faktin se Byroja nuk është e pavarur në kuptimin objektiv.

“Drejtori i saj, i cili është autoriteti kryesor për fillim të procedurave të verifikimit dhe konfiskimit të pasurisë, zgjidhet me shumicë të thjeshtë nga Kuvendi dhe mund të shkarkohet lehtësisht. Kështu, Drejtori i Përgjithshëm— dhe rrjedhimisht Byroja— do të jenë objektivisht të varura nga partitë politike që zotërojnë shumicën në Kuvend”, pohon Zekaj.

Shqetësimi tjetër i Zekaj për Byron në fjalë, është mos harmonia e saj me Kushtetutën e vendit.

“Nuk ekziston një kontroll adekuat gjyqësor ndaj masave që Byroja mund të ndërmarrë për mbledhje të informacioneve. Njëherit, disa masa nuk duken të jenë të arsyeshme në aspektin juridik”.

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu.

Një kopje të këtij koncept dokumentit për çështjen e pasurisë së fituar në mënyrë të pajustifikueshme e kishte siguruar Albanian Post, me 8 prill.

Në këtë dokument parmendën pesë fazat e procesit të konfiskimit ashtu siç janë të përcaktuara në Dokumentin e Punës të Komisionit Evropian të vitit 2012.

Fillimisht synohet identifikimi përmes hetimeve financiare që ndihmojnë në përcaktimin e pasurive që potencialisht kanë origjinë të paligjshme.

Ruajta dhe ngrirja apo sekuestrimi i pasurisë përmes kërkesës, mjeteve juridike dhe një urdhri gjyqësor.

Më pas konfiskimi përfundimtar përmes një vendim gjyqësor.

Pika e katërt është përmbarimi – zbatimi i urdhrit proceduar për kalimin e pasurisë ligjërisht tek autoritetet.

Dhe pika e fundit është rishpërndarja, kush dhe si administrojnë pasurinë, rastet kur mbahet pasuria e kur duhet shitur.

Në këtë koncept dokument specifikohen edhe kushtet për vërtetimin e pasurisë duke u bazuar në katër indikatorë.

Se situata aktuale në fushën e konfiskimit të pasurisë me origjinë jo legjitime nuk është e kënaqshme është theksuar edhe në Raportin e Komisionit Evropian për Vendin të vitit 2019.

Në këtë raport, Komisioni Evropian ka nënvizuar se Kosova ka arritur progres shumë të vogël në fushën e konfiskimeve përfundimtare të pasurisë dhe e njëjta duhet të ndërmerr masa për të siguruar në mënyrë rigoroze se nuk ka ndërhyrje politike me aktivitetet operative të organeve të zbatimit të ligjit dhe të prokurorisë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore