Shqipëria

Derbi “paralizon” kryeqytetin, plani i masave të Policisë


Policia e Tiranës ka publikuar planin e masave që do të ndërmerren këtë të diel të 3 dhjetorit, kur do të luhet derbi i kryeqytetit mes Tiranës dhe Partizanit.

Perimetri i sigurisë do të jetë më i gjerë sesa ambientet e stadiumit.

Disa segmentet rrugore do të jenë të bllokuara, nga ora 17:00 deri në përfundim të aktivitetit.

Konkretisht: rruga “Lek Dukagjini”, përreth stadiumit, rruga “Dervish Hima”, rruga “Gjergj Filipi”, rruga “Papa Gjon Pali II”, nga kryqëzimi me rrugën “Ismail Qemali” deri tek stadiumi “Air Albania”, bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nga Presidenca deri te sheshi “Nënë Tereza”.

Rrugëkalimet e tifozëve do të jenë si më poshtë:

Lëvizja e tifozëve të Tiranës do të bëhet nga sheshi “Skënderbej”, bulevardi “Dëshmorët e Kombit, rruga “Bajram Curri”, ETC, Rruga “Papa Gjon Pali II”, COIN – stadium;

Lëvizja e tifozëve të Partizanit do të bëhet nga kryqëzimi i rrugës “Muhamet Gjollesha” me rrugën “Artan Lenja”, përgjatë rrugës “Muhamet Gjollesha”, rruga “Sulejman Delvina”, “Libri Universitar”, pas Presidencës, sheshi “Frederik Shopen”, shkallët e universitetit, MAK Albania – stadium.

Policia thotë se do të garantojë dhe do të sigurojë lëvizjen e tifozëve përgjatë rrugëkalimeve të caktuara dhe nuk do të lejojë grumbullim apo kalim të tifozëve, jashtë itinerarit të caktuar.

Gjithashtu ajo bën me dije se, do të ushtrohen kontrolle rigoroze ndaj tifozëve, para hyrjes në stadium, për sende të kundërligjshme (sende të forta, bidonë uji, çadra, çelësa metalik apo lëndë piroteknike etj). Çdo tifoz duhet të jetë i pajisur me dokument identifikimi.

Nuk do të lejohen të futen në stadium persona pa dokument identifikimi, si dhe fëmijët nën moshën 16 vjeç, pavarësisht se mund të jenë të pajisur me bileta, nuk do të lejohen pa praninë e prindit apo kujdestarit (shoqëruar me dokument).

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore