Sport

Derbi i Romës hap javën e 18 të Serisë A


Seria A do të hap javën e saj të 18, me një super përballje. Derbi i kryeqytetit italian, ose siç njihet përtejë Adriatikut “Derby della Capitale”. Ku Lazio do të presë Roma-n. Ndeshja do të luhet të premten në mbrëmbje, datë 15 janar. Duke filluar nga ora 20:45, në stadiumin “Olimpico” të Romës.

Ky do të jetë derbi i 175 zyrtar mes dy ekipeve të kryeqytetit. Lazio ka 46 fitore dhe 63 ndeshje janë ndalur në barazim. Ndërkohë Roma numëron 65 fitore, përballë lacialëve.

Gola të shënuar në portat kundërshtare, kryeson Roma, me 217 gola, kundrejtë Lazio-s me 171 gola.

Në dy ndeshjet e fundit mes dy ekipeve, në sezonin e kaluar nuk ka patur fitues. Dy barazime 1-1, në fushat respektive.

Skuadra e Simone Inzaghi-t, vjen në këtë sfidë në pozita pak më të lëkundura se verdhekuqtë e Roma-s.

Lazio aktualisht mban vendin e tetë në renditje, me 28 pikë, pas 17 javësh. Roma ndodhet në vendin e tretë me 34 pikë.

Për lacialët në pesë ndeshjet e fundit janë tre fitore, një barazim dhe një humbje. Situatë e ngjashme paraqitet edhe për romanët.

Ciro Immobile është lojtari më i vlerësuar te vendasit dhe pas tij Sergej Milinkoviç-Saviç-i. Përkatësisht nota 7.27 për Immobile-n dhe 7.24 për Milinkoviç-Saviç-in.

Tek skuadra e Roma-s, më të vlerësuarit janë Henrikh Mkhitaryan-i dhe Lorenzo Pellegrini. Me notën 7.54 Mkhitaryan-i dhe 7.51 nota e Pellegrini-t.

Immobile është golashënuesi më i mirë për lacialët me 11 gola. Për romanët është Mkhitaryan-i me tetë gola.

Asistuesi më i mirë për vendasit është Milinkoviç-Saviç-i me pesë asiste. Mkhitaryan-i përsëri lideri i Roma-s dhe për asiste. Armeni numëron tetë të tilla dhe udhëheq listën e asistuesve të Serisë A.

Roger Ibanez-i i Roma-s është rikuperuesi më i mirë i topave në këtë sfidë. Braziliani ka rikuperuar 161 topa. Kundrejtë 133 topave të rikuperuar nga Francesco Acerbi i Lazio-s.

Pellegrini është lojtari që ka dhënë më shumë pasa kyçe tek Roma, 12 të tilla. Për vendasit është Luis Alberto, me 11 të tilla.

Lojtarët që godasin më shumë portat kundërshtare, janë Mkhitaryan-i për Roma-n dhe Immobile për Lazio-n. Armeni ka goditur 46 herë, nga të cilat 23 në kuadrat dhe 12 jashtë kuadratit (një gjuajtje e bllokuar).

Immobile gjuan më shumë portat kundërshtare për Lazio-n. 42 goditje, prej të cilave, 20 në kuadrat dhe17 jashtë kuadratit.

Për kilometra të përshkuar, nga lojtaret e dy ekipeve, kryeson Mkhitaryan-i. Mesatarisht për romanin janë 11km për ndeshje. Në krahun tjetër është Milinkoviç-Saviç-i që përshkon më shumë kilometra. Për serbin janë mesatarisht 10.96km për ndeshje.

Derbi i Romës, do të jetë dhe një përballje mes shqiptarëve. Në krahun e lacialëve janë Thomas Strakosha, Marco Alia dhe Vedat Muriqi. Ndërsa pjesë e verdhekuqëve është Marash Kumbulla.

Inzagi pritet ta rreshtojë Lazio-n me formacionin 3-5-2, Pepe Reina në portë, Luiz Felipe, Acerbi dhe Radu në treshen e mbrojtjes, në mesfushë Marusic, Alberto, Leiva, Milinkoviç-Saviç dhe Lazzari, kurse dyshja e sulmit pritet të jetë Immobile dhe Caicedo.

Asnjë shqiptar në formacionin lacial, me Strakoshen që e ka humbur vendin e titullarit. Situatë e njejtë edhe për Muriqin, që nuk i besohet formacioni. Sidomos në ndeshje të tilla, derbi.

Paulo Fonseca e ka rreshtuar ekipin e tij, me formacionin 3-4-2-1. Në portë Pau Lopez, në mbrojtje Ibanez, Smalling dhe Mancini, në mesfushë Karsdorp, Cristante, Veretout dhe Spinazzola, Mkhitaryan dhe Pellegrini do të rreshtohen para mesfushës, për të mbështetur sulmuesin e vetëm Dzeko-n.

Edhe tek Roma, Kumbulla do të nisi ndeshjen nga stoli.

Mosha mesatare e të besuarve të Inzagi-t është 30.6-vjeç. Roma e ka moshën mesatare të lojtarëve të formacionit 27.6-vjeç.

Në konferencën për shtyp para ndeshjes janë prenoncuar të dy trajnerët.

“Në renditje nuk kemi filluar mirë. Nuk kemi fituar tre ndeshje radhazi këtë vit. Por të gjithë e dinë se çfarë përfaqëson derbi këtu në Romë. Të dy skuadrat do të rrezikojnë. Do të jetë e rëndësishme që ne të ndjekim rrugën tonë të fitoreve”- tha trajneri lacial, Inzagi.

“Një ndeshje derbi është e rëndësishme për të gjithë, por janë vetëm tre pikë në lojë. Ne do të fitojmë, për t’i marrë ato. Lazio është shumë e fortë kur rikuperon topin, kanë kundërsulm të shpejtë. ne kemi punuar dhe e kemi përgatitur lojën”- ka thenë Fonseca për mediat./ AlbanianPost.com

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore