Kosova

Deputeti shqiptar në Zvicër: Vizita zgjedhore e Kurtit, “kundër Kosovës”, “e rrezikshme” dhe “pakuptim”


Kurti ne Zvicer

Pas Shqipërisë ku themeloi parti politike, Maqedonisë së Veriut ku vizitoi vetëm opozitën shqiptare dhe Malit të Zi që dy ditë para zgjedhjeve komentoi fituesit e dëshirueshëm, Zvicra është shteti i katërt me radhë që Albin Kurti, si kryeministër i Kosovës, përfshihet direkt në zgjedhje të një shteti mik.

Si një politikan atipik, Kurti ka vendosur të mos përfillë rregullat e pashkruara të vendosura nga vendet demokratike që liderët e një shteti nuk përzihen në preferencat politike të qytetarëve të aleatëve dhe kjo mund të jetë edhe “e rrezikshme për Kosovën”, ka thënë për Albanian Post, Korab Rashiti, shqiptaro-zvicerani që në zgjedhjet e 22 tetorit garon si kandidat për deputet nga partia më e madhe në Zvicër, Partia e Popullit Zviceran e njohur ndryshe edhe si Unioni Demokratik i Qendrës.

Korab Rashiti

Në këto zgjedhje të ardhshme federale do ketë për herë të parë mbi 30 kandidatë shqiptarë për deputetë.

Parlamenti i Zvicrës, apo Asambleja Federale është parlament bikameral (dydhomësh) me 200 ulëse në Këshillin Kombëtar si dhomë e ulët dhe 46 të tjera në Këshillin e Shteteve, apo dhomën e lartë.

Rashiti është deputeti i vetëm shqiptar nga Kantoni i Bernit, ku edhe është i vendosur objekti i Asamblesë Federale.

Kurti shkoi në Zvicër për të kanalizuar votën shqiptare, por për partinë konkurrente të Rashitit, atë të Social Demokratëve që bashkëudhëhiqet nga miku i tij Cedric Wermuth.

Për Rashitin problemi nuk është se cilën parti përkrah Kurti vetë, por pse ai vjen si Kryeministër i Kosovës për të bërë fushatë në një shtet tjetër.

“Kjo vizitë është e pakuptimtë pasi Kurti është Kryeministër i Kosovës dhe prezanton të gjithë shqiptarët e Kosovës. Këtu njihet ai si kryeministër e jo si kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje”, deklaroi Rashiti për Albanian Post.

“Kurti kur të vjen në Zvicër duhet të vije si Kryeministër i Kosovës e jo si kryetar i LV-së. Kjo vizitë e tij mundet të jetë kundërproduktive dhe kundër Kosovës”, tha Rashiti.

Në këndvështrimin e Rashitit, vizita e kryeqeveritarit kosovar mund të interpretohet edhe si “ndërhyrje në zgjedhje të një shtetit tjetër”, derisa politikani që synon ulësen e ligjvënësit zviceran sërish, vizitën e Kurtit e cilëson edhe si “të rrezikshme”.

Tjetër problem që sheh Rashiti është edhe mungesa e vetëdijes së Kurtit kur bën fushatë për një parti që edhe ashtu do të përfundojë sërish në opozitë dhe shteti zviceran do të vazhdojë të udhëhiqet nga Partia e Popullit Zviceran që i bie praktikisht kundërshtarët politik të Kurtit.

“Mundet të afektojë edhe në raportet ndërshtresore pasi të gjitha partitë e djathta janë në pushtet në Zvicër qe disa vite dhe po shihet në sondazhe që këto parti do fitojnë në këto zgjedhje prapë. Me këtë vizitë kryeministri Kurti po i izolon shqiptarët në Zvicër, por realiteti është që shqiptarët kanë mendime të ndryshme politike”.

Kurti si shef qeverie duhet kursyer nga rreshtime të tilla vetëm për një parti të caktuar politike në një shtet ku jetojnë mbi 200 mijë shqiptarë, thotë Rashiti.

Nëse do të donte të përkrahte shqiptarët që garojnë në Zvicër, atëherë mund ta bëjë, por këtë do të duhej ta realizonte duke “mobilizuar të gjithë kandidatët shqiptarë në të gjitha partitë”.

“Atëherë vizita e tij do të ishte pozitive dhe me kuptim”.

Sipas sondazheve, Partia e Popullit Zviceran, apo Unioni Demokratik i Qendrës (SVP-UDC) po prinë bindshëm në sondazhe, derisa e dyta shumë më poshtë është Partia Socialdemokrate, kurse aty afër janë Partia Radikal Liberale (FDP), Partia e Qendrës dhe më pas vijnë të Gjelbrit.

Sipas Korporatës së Transmetimeve Zvicerane, në barometrin e tretë zgjedhor, me të dhëna të mbledhura nga 8 qershori deri me 22 qershor, SVP-UDC-ja printe me 27.1 për qind, SP-ja kishte 17.8, kurse FDP-ja 14.6 për qind, Qendra 14.3 dhe Të Gjelbërit 10.2 për qind.

Korporata e Transmetimeve Zvicerane

Kurse në një matje tjetër të vazhdueshme, ku kalkulohet mesatarja e të gjitha sondazheve, që përbën edhe matjen më të saktë të sondazheve apo (sondazhin e sondazheve), SVP-UCD ka ardhur në 28 për qind, derisa SP-ja ka rënë në 17 për qind.

Matja e vazhdueshme

Këto zgjedhje mund të shënojnë fitoren e tretë radhazi për SVP-në, meqë edhe në zgjedhjet e vitit 2019 ata kishin fituar me 25.6 për qind, kurse në ato të vitit 2015 patën shënuar fitore të lartë prej 29.4 për qind.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore