Lajme

Deputeti i LVV-së kërkon lirimin e Berishajt nga detyra: Ta mbrojmë imazhin e Kosovës


Martin Berishaj

Burim Meta, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje nga Lista Guxo, ka kërkuar lirimin e ambasadorit të Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, nga detyra kështu duke u bërë i pari deputet nga mazhoranca i cili ka kërkuar një gjë të tillë, pas skandalit financiar në Slloveni në të cilën është i përfshirë edhe ambasadori i Kosovës.

Me një vendim të tillë pra lirimin nga detyra të ambasadorit deri në vërtetim të pafajësisë, do të mbrohej imazhi i Kosovës, pakrahasimisht më shumë sesa me mbajtjen në detyrë të ambasadorit në fjalë.

“Gjithashtu, si shtet nuk guxojmë që të rrezikojmë që në një shtet mik, siç është Kroacia, shtet që e kemi referencë në shumë procese, të përfaqësohemi me një figurë të përfolur tashmë për gjëra që më së paku do të duhej të përfolen ambasadorët”, ka shkruar mes tjerash Meta në rrjetin e tij social në Facebook.

Burim Meta, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje nga Lista Guxo

Çka ndodhi?

Të enjten e 21 prillit një media sllovene, TV Planet, zbuloi një afër financiare ku dyshohej për shpëlarje parash dhe në të përfshihej opozitari, Robert Golob, kryetar i partisë Lëvizja për Liri dhe gjithashtu edhe ambasadori i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj.

Media sllovene raportoi se një kompani energjetike ballkanike GEN-I, dega në Serbi, i transferonte para kompanisë MB Consulting, pronar i së cilës është Martin Berishaj. Ky i tërhiqte paratë nga xhirollogaritë dhe në kesh ia dorëzonte Golob-it.

Berishaj u deklarua vetëm në Facebook. Mohoi se kishte të bënte me shpëlarje parash, por nuk mohoi se është pronar i kompanisë malazeze dhe gjithashtu nuk mohoi pagesat nga kompania e energjisë elektrike GEN-I, dega në Serbi.

Albanian Post më vonë kuptoi se ekzistojnë edhe dy kompani në Kosovë që pronarë kanë Martin Berishajn. Bëhet fjalë për kompanitë “Myloja L.L.C.” dhe “Zaslon Kosova L.L.C”.

Berishaj në këto kompani kishte partnerë sllovenë, edhe ata të dyshuar për dallavere në të kaluarën në Slloveni.

Një ditë pas skandalit Albanian Post, realizoi një një intervistë me gazetarin slloven Primoz Cirman. Ai tha se Skandalin e fabrikoi Janez Jansha (ish-kryeministri i Sllovenisë), ndërsa Berishaj ishte miku i tij, por atë e sakrifiuan duke e bërë pjesë të skandalit që të përfitonin për vete.

Më vonë, AP intervistoi edhe gazetarin dhe producentin e TV Planet, Bojan Pozar, i cili në mënyrë të prerë deklaroi se Berishaj është akteri kryesor i këtij rrëfimi.

“Ai [Martin Berishaj] është themeluesi i ndërmarrjes të lartpërmendur (MB Consulting), ai ka pranuar paratë dhe ai ka transferuar paratë tutje”, tha Pozar në një intervistë për Albanian Post.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore