Kosova

Deputetët votojnë pro tri marrëveshjeve ndërkombëtare


Në seancën e Kuvendit të Kosovës që po mbahet këtë të enjte janë miratuar me shumicë votash nga deputetët tri marrëveshje ndërkombëtare.

Ligjvënësit kanë miratuar Projektligjin për ratifikimin e Marrëveshjes për njohjen e kualifikimeve profesionale për infermier, kirurg veterinar, farmacist dhe mami në kontekstin e Marrëveshjes së tregtisë të lirë të Evropës Qendrore.

Po ashtu, deputetët kanë votuar pro Projektligjit për ratifikimin e Amendamentit të Marrëveshjes për Themelimin e Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim.

Me 80 vota për, është votuar edhe ratifikimi i Marrëveshjes së Kredisë në mes të Republikës së Kosovës përfaqësuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve, dhe Bankës Zhvillimore të Këshillit të Evropës (BZHKE) për Projektin “Banimi social adekuat”.

Ndërkaq më 16 maj, Partia Demokratike e Kosovës kishte votuar pro 12 marrëveshjeve ndërkombëtare, tri ditë pas takimit mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti me kryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi.

Këto marrëveshje deri tani nuk kishin kaluar, kjo pasi sipas ligjit në Kosovë marrëveshjet ndërkombëtare duhet të kenë votat e 2/3 e deputetëve.

Partitë opozitare në Kosovë nuk i kishin votuar marrëveshjet ndërkombëtare për një kohë të gjatë për shkak të kursit problematik të këtij pushteti në raport me aleatët e shtetit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore