Lajme

Deputetët s’duhet të dënohen për hedhjen e gazit lotsjellës, thotë Haxhiu


Ilustrim

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, në mënyrë krejt të çuditshme ka vlerësuar se asnjë prej deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje të cilët kanë hedhur gaz lotsjellës nuk do të duhej të dënoheshin.

Meqë sipas saj qëllimi i opozitës në atë kohë nuk ka qenë kriminal, por politikë.

“Qëllimi i opozitës ka qenë mbrojtja e Kosovës, pra me e ndal Zajednicën dhe unë besoj se fal atyre veprimeve ne e kemi arrit me e ndal bosnjëzimin e Kosovës”, ka argumentuar ajo në një intervistë për Televizionin A.

Gjykata Themelore në Prishtinë e ka shpallur të pafajshëm kryetarin e Kuvendit, Glauk Konjufca lidhur me akuzën për përdorim të armës ose mjetit të rrezikshëm lidhur me hedhjen e gazit lotsjellës në mbledhjen e Kryesisë së Kuvendit më 18 gusht të vitit 2016.

Kryetarja e trupit gjykues, Edita Çanta, ka thënë se “përgjatë procesit gjyqësor nuk është vërtetuar që Konjufca e ka kryer veprën penale për të cilën e akuzon Prokuroria Themelore në Prishtinë”, ani pse Konjufca në vitin 2019 vet kishte shkruar në platformën sociale, Facebook, se ka hedhur gaz.

“Jam penduar që kam hedh gaz lotsjellës në Kuvend. Ish pas dashtë me marrë një allti me gaz e me gjuajt qeverinë. Gjykata paska pas me më shpall të pafajshëm e me më liru. Nuk kanë thane kot pleqtë – njeri hjek për mend”, kishte shkruar Konjufca.

Më 23 shkurt, në fjalën përfundimtare, prokurori i rastit Besart Mustafa ka kërkuar që kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, të dënohet për veprën penale “Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm”, për rastin e hedhjes së gazit lotsjellës.

Prokurori Mustafa ndër të tjera gjatë elaborimit të rastit ka potencuar se provat materiale dhe profesionale të administruara gjatë shqyrtimit gjyqësor, është vërtetuar se Konjufca ka kryer veprën penale për të cilën po akuzohet.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore