Shëndet

Depresioni pas divorcit – ju nuk jeni vetëm


“Afro 26 % e martesave në Shqipëri përfundojnë në divorc”.

Këto janë të dhënat që tregojnë statistikat e INSTAT-it për vitin 2019 – ndryshe një në katër martesa përfundojnë në divorc.

Psikologia Jondia Shehu dhe Valentina Telhaj për Albanian Post shpjegojnë sesi ndikon divorci te një çift.

“Martesa është zakonisht një eksperiencë e bukur, që mund të jetë burim lumturie dhe kënaqësie. Por, nëse dështon, mund të ndikojë në shëndetin fizik dhe mendor”, thotë Shehu.

34-vjeçarja G.L (preferon të mbetet anonime) tregon se periudha e divorcit ka qenë një ndër eksperiencat “më të vështirat që kam kaluar në jetën time”.

“Për disa kohë kalova në depresion. Nuk doja të shihja njeri”.

Një ndër arsyet, përveç vendimmarrjes për divorc, “janë edhe fjalët e botës”.

“Të gjithë donin të dinin arsyet e ndarjes. Mentaliteti në Shqipëri rëndon më shumë se gjithçka”, thotë G.L për Albanian Post.

Në këto raste, sipas Shehut dhe Telhajës, është shumë e rëndësishme të konsultohesh me një psikolog.

Psikologia Telhaj shpjegon se, “të mbijetosh nga një divorc nga burri/grua (njeriu) juaj i dashur pa humbur veten, qetësinë shpirtërore dhe të kuptosh që do të jesh i lumtur sërish, është ndër gjërat më të rëndësishme”.

Specialistet takohen në një pikë, pas ndarjes, shëndeti, “sidomos ai mendor” mund të ndikohet.

Ndjenja e ankthit, stresit, zemërimit dhe depresionit mund të zgjasin për muaj, ndonjëherë edhe vite, te të dyja gjinitë.

Sipas një studimi në Danimarkë, divorci, pas një martese, e cila kishte zgjatur 13 vjet, te burrat reflektohej në probleme të shumta fizike, vitalitet më i ulët, ulje e funksionimit shoqëror dhe shëndet më i keq mendor.

Ndërsa te gratë, ndarja ndikonte në shëndet më të keq mendor.

Sa i përket Shqipërisë, thonë specialistet, divorci mbart një peshë tjetër. Në vendin tonë, pasojat e ndarjes janë më të rënda, për shkak të kushteve ekonomike dhe sociale.

Ndarje me (pa) fëmijë

Psikologia Telhaj argumenton se, në rastet kur një çift ka fëmijë, pasojat e divorcit dhe depresioni është më i lartë.

“Prindërit gjenden përballë faktit se çfarë duhet të bëjnë, dhe kjo gjë shkakton konfuzion në ndjesitë e tyre”.

Në Mbretërinë e Bashkuar, studiuesit kanë arritur në përfundimin se fëmijët që jetojnë bashkë me prindërit e tyre biologjikë (në një marrëdhënie të shëndetshme) janë 20–35 % më të shëndetshëm psikologjikisht sesa fëmijët me prindër të divorcuar.

Ndarja e prindërve shoqërohet me vështirësi akademike, duke përfshirë rezultate më të ulëta, braktisjen para kohe të shkollës, sjellje përçarëse, zënka, konsumim droge dhe vjedhje.

“Fëmijët dhe adoleshentët, që përjetojnë divorcin nga prindërit e tyre, gjithashtu kanë nivele më të larta të depresionit, vetëbesim më të ulët dhe shqetësime emocionale”, thotë Telhaj.

Zgjidhja, sipas saj, për të përballuar efektet negative emocionale dhe mendore të një divorci “është të kërkoni ndihmë profesionale”.

Kur shëndeti ynë mendor ka probleme, kjo mund të ndikojë në jetën tonë. Ne mund të përfundojmë duke anashkaluar aktivitetin fizik, ose u ushqyer në mënyrë të pashëndetshme.

“Sigurohuni që po hani ushqime të shëndetshme në orare të caktuara”, shprehet edhe Shehaj.

Një faktor tjetër, sipas psikologeve, është edhe gjumi.

“Mungesa e tij mund t’ju ​​bëjë edhe më të irrituar dhe të mërzitur. Ju mund të përjetoni gjumë të parregullt, për shkak të stresit ose ankthit, por sigurohuni që të flini mjaftueshëm, të flini në të njëjtat orare etj”.

Përveç asistencës nga psikologet, ka raste kur duhet kombinuar dhe me psikofarmakologji nga mjekë psikiatër, për ndërveprim më të mirë neuro-biologjik, kombinimi në të shumtën e rasteve ndihmon më shumë për rikuperimin e depresionit dhe jo vetëm.

Ndaj pas një ndarjeje është e rëndësishme që t’i drejtoheni një specialisti. Ju nuk jeni vetëm, konkludojnë psikologet.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore