Shqipëria

Depozitat në euro u rritën me 15.5%, thotë Banka e Shqipërisë


Banka e Shqipërisë bën të ditur se në dhjetor 2023, stoku i depozitave në euro arriti në 7.3 miliardë euro.

Krahasuar me nëntorin, shtesa e kursimeve ishte vetëm 16 milionë euro, ndërsa në dhjetor 2022, kursimet u rritën me 112 milionë euro.

Operatorët e tregut pohojnë se një prej arsyeve lidhet me dobësimin e euros, që ka bërë që shumë emigrantë të mos vijnë në vend, duke sjellë si rrjedhojë dhe më pak valutë.

Me bazë vjetore, depozitat në euro janë rritur me 15.5% në 2023-n, ose rreth 920 milionë euro më shumë.

Muaji më pozitiv ishin korriku e gushti, ku kursimet në euro në banka u shtuan përkatësisht me 130 dhe 286 milionë euro.

Shtesa vjetore në 2023 është pothuajse e njëjtë me shtesën e vitit 2022.

Të dhënat e Bankës së Shqipërisë bëjnë të ditur se stoku i kursimeve në monedhën vendase në dhjetor arriti në 579 miliardë lekë, me një rritje prej 2.5% më krahasim me muajin e mëparshëm, ose 14 miliardë lekë më shumë (rreth 125 mln euro).

Edhe në nëntor, kursimet në lekë u zgjeruan ndjeshëm, me rreth 17 miliardë lekë, më e larta që nga dhjetori 2021.

Në ecurinë pozitive të kursimeve në lekë ndikuan individët, që shtuan kursimet e tyre pa afat në banka, që sollën 75% të rritjes. Ndikimi i dytë më i lartë erdhi nga korporatat jo financiare publike.

Me bazë vjetore, depozitat në lekë u rritën me 5%, ose 27 miliardë lekë më shumë. Ritmet e rritjes së depozitave në lekë në 2023 u përshpejtuan ndjeshëm në krahasim me vitet e mëparshme, kur njohën ngadalësim për shkak të tendencës në ulje të interesave (në 2022 depozitat në lekë me bazë vjetore ranë me 0.1%).

Politika shtrënguese monetare, që është shoqëruar me rritje të normës bazë nga banka e Shqipërisë dhe të interesave të depozitave nga bankat, ka ndikuar pozitivisht në ecurinë e kursimeve në lekë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore