Lajme

Departamenti Amerikan: Dialogu duhet vazhduar


Ilustrim

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë kërkuar vazhdimin e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, pasi takimi i djeshëm në Bruksel përfundoi pa rezultat.

Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit Amerikan, Ned Price, në një konferencë për media ka bërë të ditur se Uashingtoni po monitoron nga afër situatën.

Price më tej ka theksuar faktin se Uashington e mbështet plotësisht dialogun dhe se sipas tyre në gjithë këtë mes është e rëndësishme që të dyja palët të shfrytëzojnë këto bisedime në mënyrë efektive.

“Palët duhet të çojnë përpara diskutimin për normalizimin e marrëdhënieve që ka në qendër premisën e njohjes së ndërsjellët”, ka theksuar Price.

Zëdhënësi i DASH-it, ka bërë të ditur gjithashtu se Gabriel Escobar, është duke vëzhguar diskutimet nga afër.

“Janë një mori zyrtarësh të lartë që po e vëzhgojnë këtë çështje nga afër. E kemi një zyrtar të lartë që është në Bruksel, duke vëzhguar nga afër këto bisedime. Ju siguroj që këto bisedime e kanë vëmendjen e zyrtarëve të lartë amerikanë”.

“Kjo është një çështje me të cilën vetë Sekretari Blinken është angazhuar personalisht prej një kohe të gjatë. Ky është një prioritet që përfshinë gjithë organizatën tonë, në terren dhe këtu në SHBA”, ka shtuar ai.

Zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit nuk ka pranuar të përgjigjej nëse Shtëpia e Bardhë i ka dorëzuar një mesazh të enjten Bashkimit Evropian në lidhje me dialogun Kosovë Serbi, por ai tha se “ne jemi të kënaqur që këto diskutime kanë filluar dhe po vazhdojnë edhe tani.

5 orë bisedime, 1 deklaratë, asnjë marrëveshje

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore