Sport

Dënimi nga Disiplina, reagon Tirana: Shuplakë ndaj komunitetit të futbollit në vend


Klubi i Tiranës ka reaguar menjëherë pas vendimit të Komisionit të Disiplinës dhe Etikës, ku bardheblutë u dënuan me 90 ditë pa praninë e tifozëve në stadiume. Gjithashtu dënime pati për disa lojtarë dhe zyrtarë të klubit.

Në një reagim të shpërndarë në mediat sociale të klubit, nën moton “Drejtësi në futboll”, Goldi Halili, anëtare e Tiranës foli mbi vendimin e fundit të Disiplinës, duke e cilësuar si një “shuplakë të rëndë ndaj komunitetit të futbollit në mbarë vendin”.

“Ndeshja Tirana – Bylis pati një përfundim të trishtueshëm për të gjithë komunitetin bardh e blu. Kjo ndeshje e cila u mbyll nga një episod tepër flagrant, siç ishte ajo penallti e akorduar në fundin e takimit, arriti të provokonte në limite tifozerinë e klubit tonë”, thotë Halili fillimisht.

“Një tifozeri e cila ka qenë shembull i qytetarisë në mbështetje të skuadrës së zemrës në të githë historinë e klubit tonë”.

“Kjo ngjarje nuk prek vetëm tifozat e Tiranës apo dashamirësit e saj. Kjo është një shuplakë e rëndë ndaj komunitetit të futbollit në mbarë vendin. Futbolli luhet për tifozët dhe KF Tirana ka tifozerinë e saj, e cila jeton çdo ditë me skuadrën e futbollit”.

“Ngjarja e ndeshjes së fundit na kthen shumë vite pas, vite kur futbolli ynë kishte fusha sportive të amortizuara, arbitra të kontestuar për gjykimet e tyre dhe shumë hallka të tjera të cilat na privonin nga ato hapa madhor drejt futbollit profesionist ku ne kemi aspiruar gjithnjë”, vijon ajo.

Duke vazhduar më tej, Halili, ka shprehur dhe “distancimin” e klubit bedheblu nga “aktet e dhunës”.

“Distancohemi nga aktet e dhunës dhe nënvizojmë se si dje dhe çdo herë tjetër, kemi zbritur në fushë vetëm për të luajtur futboll. Ata që gjykojnë në fushë duhet të jenë të drejtë në vendimet e tyre dhe të denjë për uniformën që mbajnë veshur”, thotë ndër të tjera Goldi.

“Të mos harrojnë kurrë se vendimet e tyre peshojnë në mijëra zemra që mbushin shkallët e stadiumit për çdo ngjyrë skuadre. Dje këto zemra u thyen, u tradhëtuan. Dhe fryma me të cilën bërtasin çdo vit u vodh”.

“Pavarësisht padrejtësive dhe qëllimeve dashakeqe kundrejt punës së tyre, në raste të përsëritura të vendimeve të arbitrave, drejtuesit, klubi dhe lojtarët kanë qenë të gatshëm të qetësojnë të gjitha situatat duke u sjllë konform rregullave”.

“Asnjëherë nuk gjykuam, por mbrojtëm denjësisht dhe me kulturë mundin e një sezoni të gjatë. I ftojmë të gjitha palët të reflektojnë”, përfundon Goldi Halili në deklaratën e saj në kuadër të ngjarjve të fundit në futbollin shqiptar.

Vendimet e Komisionit të Disiplinës

Kryefjala e vendimeve të Komisionit tëDisiplinës ishte klubi i Tiranës për kaosin e shkaktuar në përfundim të ndeshjes me Bylisin, ku pati episode dhune ndaj gjyqtarëve të takimit, madje dhe tifozë që u futën në fushë.

Tirana është dënuar me një afat 90-ditor pa tifozë në stadium, ndërsa gjashtë lojtarë dhe tre zyrtarë të klubit kanë marrë dënime me pezullime të përkohëshme.

Dënimi më i rëndë ka ardhur për mbrojtësin, Besir Iseni, për pështymjen ndaj zyrtarëve të ndeshjes. Ai është dënuar me 24 muaj pezullim nga aktivitetet sportive.

Portieri bardheblu, Visar Bekaj, për nxitje të urrejtjes dhe akteve të dhunës, është pezulluar me 12 muaj nga aktivitetet sportive, si dhe me një gjobë në masën e 100 mijë lekëve.

Lojtarët e tjerë si: Albano Aleksi, Aldi Gjumsi dhe Bruno Lulaj janë dënuar me gjashtë ndeshje pezullim për shkak të sjelljeve antisportive. Florent Hasani u dënua me katër ndeshje pezullim.

Tre zyrtaret e klubit, Arzen Vocaj, Kostandinos Jani dhe Marvi Kastrati për sjellje antisportive u dënuan me nga tetë ndeshje pezullim.

Çfarë ndodhi në ndeshjen Tirana – Bylis

Tirana priti Bylisin në ndeshjen e javës së 35 dhe të parafundit për këtë sezon në Abissnet Superiore. Duke qenë se “Air Albania” ishte i zënë me koncert, u vendos që takimi të zhvillohej në “Egnatia Arena” në Rrogozhinë.

Dhe drama e Rrogozhinës me siguri do të mbahet mend gjatë për atë që ndodhi në lojë dhe pas saj. Para ndeshjes, Tirana po udhëhiqte kampionatin me dy pikë më shumë se rivalët e përjetshëm të Partizanit. Por, rezultati i të enjtes solli befasitë e mëdha.

Tirana kaloi e para në avantazh, por miqtë, të cileve ju interesonte së paku një pikë për luftën për mbijetesë, arritën të barazonin pesë minuta më vonë pas një gafe në prapavijën bardheblu.

Megjithatë, kryeqytetasit arritën të shënonin përsëri në fillimin e pjesës së dytë. Por, një penallti e dyshimtë për miqtë në minutën e 74 do të sillte kaosin që do të pasonte pas ndeshjes, ku skenat e dhunës u rikthyen në futbollin shqiptar edhe një herë.

Lojtarët e Tiranës dhe i gjithë stafi, me në krye trajnerin Orges Shehi u futën në fushë duke protestuar për penalltinë. Dhe, pas gjashtë minutash përplasje verbale dhe shtyrje në fushë mes gjyqtarit dhe anëtarëve të skuadrës së Tiranës u vendos ekzekutimi i 11 metërshit, që solli dhe barazimin 2-2 të sfidës.

Në fund u akorduan 10 minuta shtesë, por bardheblutë humbën disa raste shënimi, duke qenë të paqartë. Dukeshëm ajo penallti u prishi ekuilibrin dhe kthjellësinë mendore. Me së qarti e trgon rasti i humbur nga Filip Najdovski në sekondrat e fundit vetëm disa centimetra larg vijës fatale.

Teksa në fund u dëgjua fishkëllima e trefishtë e gjyqtarit Meta, lojtarët dhe stafi i skuadrës së Tiranës nxituan të kërkonin llogari te ai. Dhe këtu nisi ajo që duhej shmangur. Tifozët bardheblu të pranishëm në stadium u futën në fushë dhe skenat e dhunës shpërthyen.

Sipas raportimeve të gazetarëve të pranishëm në atë ndeshje, grushtat dhe shkelmat e tifozëve nuk kursyen asnjë prej gjyqtarëve të takimit. Denis Rexha u godit në kokë dhe veshin e djathtë, Kridens Meta në nofull dhe ka marrë disa të çjerra. Xhulio Mani u godit me shkelma, ndërsa arbitri i katërt, Olti Çela, me grusht në fytyrë.

Por, nuk mbaroj vetëm me gjyqtarët, pasi edhe Bylisi ka akuzuar në mediat sociale të klubit se lojtarët e tyre janë goditur. Madje ata kanë treguar edhe pamje se si një tifoz bardheblu godet me grusht mesfushorin brazilian, Loran, teksa ky i fundit ishte duke lënë fushën.

Pas incidenteve, Policia e Shtetit doli në njoftim zyrtar duke thënë se kishte shoqëruar disa persona që kishin tentuar të dhunonin gjyqtarët.

“Më datë 25.05.2023, në përfundim të ndeshjes Bylis-Tirana, në Rrogozhinë, disa tifozë të Tiranës kanë hyrë në fushë dhe kanë tentuar të dhunojnë gjyqtarët e ndeshjes. Shërbimet e Policisë kanë reaguar menjëherë duke shoqëruar këta shtetas, për të cilët po kryhen veprimet e mëtejshme procedurale. Grupi hetimor po punon për sqarimin e rrethanave të ngjarjes”, thuhej në njoftimin e policisë.

Renditja e Superiores

Pasi janë luajtur 35 javë, Partizani ngjitet në kyre me 64 pikë. Po aq pikë ka edhe Tirana, por zbret në vendin e dytë për shkak të përballjeve direkte.

Egnatia ka 52 pikë, në vendin e tretë, dhe tashmë rrogozhinasit e kanë siguruar kualifikimin në Kupat e Evropës.

Teuta, me 48 pikë, mban vendin e katërt. Një pikë më pak se durrsakët kanë shkodranët e Vllaznisë. Teksa Laçi i vendit të gjashtë ka 45 pikë.

Kukësi, me barazimin e arritur, ka 42 pikë. Verilindorët nuk e kanë të siguruar ende qëndrimin në Superiore, pasi mund të përfundojnë në vendin e tetë në varësi të rezultateve.

Erzeni mban aktualisht vendin e tetë me 40 pikë, dy pikë më shumë se Bylisi i vendit të nëntë. Janë pikërisht këto dy skuadra që luftojnë më shumë për qëndrimin në Superiore.

Kastrioti me humbjen që mori ndaj Partizanit tashmë është i rënë zyrtarisht nga kategoria.

Ndeshjet e javës së fundit të Superiores

Ndeshjet e javës së 36 dhe të fundit për këtë sezon në Superiore do të zhvillohen të hënën, më 29 maj, duke filluar nga ora 16:00.

Erzeni – Tirana;

Partizani – Teuta;

Egnatia – Kukësi;

Laçi – Kastrioti;

Bylis – Vllaznia.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore