Kosova

Dënimi i Shalës me 18 vjet burgim, Krasniqi: Vazhdim i verdikteve drakoniane


Memli Krasniqi

Si vazhdim i verdikteve drakoniane e ka cilësuar, kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi dënimin me 18 vjet burgim të ish-eprorit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Pjetër Shalës, nga ana e Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë.

“Lufta e UÇK-së është pjesa më e lavdishme e historisë së Kosovës, të cilën askush dhe asgjë nuk mund ta ndryshojë e ta rishkruajë”, ka shkruar ai në platformën sociale, Facebook.

Krasniqi ndërsa ka shprehur indinjatën e tij ndaj këtij vendimi, ka potencuar se “drejtësia dhe e vërteta, do të triumfojnë herët a vonë”.

Shala është shpallur fajtor për ndalim arbritrar, torturë dhe vrasje të paligjshme, derisa është liruara nga akuza për trajtim mizor.

Sipas aktgjykimit që është lexuar në Speciale, 18 persona u mbajtën të ndaluar në kushte çnjerëzore në fabrikën e metalit në Kukës të Shqipërisë, derisa njëri nga ta u vra.

Ndërkaq gjatë shqiptimit të dënimit, Shala dëgjohej duke bërtitur, ndërsa trupi gjykues i tërhiqte vërejtjen duke thënë se nuk dëgjohet dhe se nuk e ka radhën të flas.

Gjyqtarja që e ka lexuar aktgjykimin ka thënë se trupi gjykues ka dëgjuar disa dëshmitarë që janë ndaluar në këtë fabrikë dhe është bindur për ndikimin psikologjik që kanë pësuar nga këto ngjarje në jetët e tyre.

“Viktimat ishin shqiptarë të Kosovës, dëshmitë ishin të hollësishme dhe bindëse. Të ndaluarit u keqtrajtuan keq nga Shala dhe njëri nga ta u vra”, tha gjyqtarja.

Shala dënohet për krime lufte nga Specialja me 18 vjet burgim

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore