Shqipëria

Dënim ekstrem – sipas legjislacionit shqiptar – për vrasësin e 8-vjeçarit


Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, në një konferencë për mediat, ka reaguar pas ngjarjes makabër të ndodhur të mërkurën e 16 nëntorit në Fier, ku një 8-vjeçar u vra nga fqinji i tij.

“Vendimi më ekstrem në përputhje me legjislacionin duhet të merret për autorin”, këmbënguli Rama, duke i bërë thirrje drejtësisë të jetë e shpejtë dhe në lartësinë e saj.

Kryeministri i ka shprehur ngushëllime familjarëve të viktimës.

“Ju shpreh ngushëllimet prindërve familjeve, i vetëdijshëm që fjalët janë të pakta”, tha Rama.

Sipas tij, edhe pse nuk e bën të lehtë peshën e kësaj humbje, por pritet me padurim nga të gjithë është verdikti më ekstrem i drejtësisë “mbi barbarin i cili falë reagimit të menjëhershëm nga Policia e Shtetit gjendet sot prapa hekurave”.

I pyetur për rikthimin e dënimit me vdekje, kryeministri u shpreh se, kjo çështje është adresuar kohë më parë si çështje e civilizimit tonë.

“Dënimi me vdekje nuk i bën të paevitueshme ngjarjet e tilla”, tha Rama.

Reforma në Drejtësi, një rrugë drejt zgjidhjes

Numri një i Qeverisë theksoi se, po studiohen rastet e tilla, ku ka pasur përsëritje dhe po projektohet një ndryshim në Kod në bashkëpunim me ministrinë e Brendshme dhe asaj të Drejtësisë.

“Patjetër që mundësitë për të rishikuar legjislacionin janë gjithmonë, por thelbi është ngritja e trupave gjykues në nivelin e legjislacionit”, shpjegoi ai.

Ai theksoi se, adresimi i problemit kërkon qetësi, pasi drejtësia nuk duhet vetëm të veprojë në një rast, por në mënyrë sistematike.

Sipas tij, është e gabuar që të thuhet se shumë persona me probleme mendore enden të lirë rrugëve të Shqipërisë, pasi kjo nuk mbështetet në asnjë statistikë.

“Patjetër, që nuk ka nevojë të jenë shumë persona me probleme mendore, por edhe pak të jenë janë potencial rreziku”, tha Rama duke u ndalur te rasti i Fierit.

Kryeministri tha se rasti i Fierit, ka të bëjë me një individ që është dënuar më parë nga Drejtësia.

Për Ramën mbetet problem, raporti nga operacionet e Policisë për kapjen e autorëve dhe mosdënimi i tyre nga Gjykatësit, të cilët kryeministri i cilësoi si të “korruptuar”.

“Vetting-u mbetet i vetmi mjet për pastrimin e Gjykatësve të degjeneruar”, shtoi ai.

Rama u shpreh se, në buxhetin e 2022 do të ketë një trefishim të mbështetjes për njerëzit që janë të dhunuar, apo pre e trafikimit.

Çfarë ndodhi në Fier?

Sipas raportimeve nëpër media, ashtu çdo ditë, 8-vjeçari ishte nisur për në shkollë. I mituri ndiqte klasën e dytë. Ai nuk kishte shkuar në shkollë, ndërsa ishte parë në lagje teksa shëtiste me biçikletë.

Ka qenë nëna e djalit që dha alarmin në lagje se i mituri nuk kishte shkuar në shkollë dhe as në shtëpi.

Pasi kontrolluan në lagje, ajo bashkë me bashkëshortin bënë denoncimin në polici.

Pas vëzhgimit të disa kamerave të sigurisë në lagje, prindërit vunë re se 8-vjeçari kishte hyrë në banesën e Çalamanit, me biçikletën e këtij të fundit.

Më pas, policia zbarkoi në banesën e 38-vjeçarit.

Ky i fundit, pasi u mor në pyetje në Polici, pranoi edhe autorësinë e krimit makabër.

Vrasësi ka qenë i arrestuar për pengmarrjen e një vajze në vitin 2012, por nuk dihet sesi ka mundur të përfitojë nga drejtësia.

Ai deklaroi se e kishte qëlluar 8-vjeçarin me lopatë pasi e kishte sharë. Më pas autori i krimit e kishte groposur atë në oborr.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore