Biznes

Denaj: Qeveria krah bizneseve pas pandemisë


Denaj: Qeveria, krah i bizneseve pas pandemisë.

“Qeveria është pa diskutim në anën e bizneseve për të lehtësuar pasojat e pandemisë dhe për të luftuar informalitetin”.

Kështu i është përgjigjur ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj, pyetjeve të ngritura nga deputeti Artur Roshi, gjatë një interpelance në Parlament.

“Bizneset e vogla në Shqipëri gjatë vitit 2020, ishin në valën e parë të mbylljes së ekonomisë”, theksoi Denaj. “Kjo është edhe arsyeja pse u ndihmuan të parat”.

Ministrja veçoi faktin se nga “situata e vështirë, bizneset dolën edhe me ndihmën e qeverisë”. “300 mijë punonjës morën pagat falë qeverisë”, shtjelloi Denaj. “Masat fiskale u lehtësuan gjithashtu. Tatimi për bizneset e vogla u bë zero, edhe pse në buxhet munguan 19 miliardë lekë”.

Kjo shumë, është kryesisht e lidhur me mungesën e fitimeve nga kjo fashë biznesi. Përsa i përket planit të qeverisë Rama, deri në vitin 2030, programi parashikon tatim zero për bizneset deri në 14 milionë lekë xhiro vjetore”.

Sipas ministres, statistikat e bizneseve reflektojnë se masat e marra nga qeveria, kanë dhënë efekt.

“Këstet e kredive të bizneseve janë shtyrë dhe janë ndihmuar gjithashtu me likuiditet”, deklaroi Denaj. “Rol kanë luajtur edhe garancitë sovrane. Falë tyre, punonjësit nuk u hoqën nga pozicionet. Janë 26 miliardë lekë garanci sovrane të dhëna në dy faza. Ky ishte plani afatmesëm për rimëkëmbjen”.

Përsa i përket akuzave se këto reforma janë shpikje shqiptare, Denaj u përgjigj se “çdo vendim, është bazuar në praktikat më të mira ndërkombëtare”.

“Janë shtatë sisteme në tërësi që do të mundësojnë mirë administrimin fiskal” shtoi ministrja. “Gjatë dhjetorit 2020, ka pasur 1 mijë të punësuar më shumë se sa gjatë dhjetorit 2019. Kjo tregon një trend pozitiv dhe të qëndrueshëm, pavarësisht pandemisë”.

Ministrja gjithsesi, nuk e ka mohuar faktin se biznesi ka vështirësi.

Përsa i përket pyetjes së ngritur nga deputeti Roshi mbi taksën e arsimit, Denaj replikoi se ajo nuk quhet taksë arsimi, por “taksë e përkohshme për infrastrukturën arsimore”. “Këto taksa vendosen nga bashkitë”, shpjegoi ministrja. “ Taksat vendosen nga pushteti vendor. Në këmbim, jepet infrastrukturë arsimore”.

Deputeti Roshi, ka kundërshtuar fjalën e ministres, duke thënë se “shqiptarët e kanë të pamundur të jetojnë me 26 mijë lekë në muaj”. Ministrja nga ana tjetër, shpjegoi se “nuk ka më paga 26 mijë lekë”.

Prej janarit 2021, ka hyrë në fuqi ligji, ku cilësohet se paga minimale në Shqipëri do të jetë 30 mijë lekë.

Denaj, është ndalur sërish për të ritheksuar se “kompromisi për të ndihmuar biznesin, ka qenë i pa kushtëzuar nga qeveria”. “7,2% e prodhimit të brendshëm bruto vjen nga bizneset. Për shkak të kësaj, është cilësuar prioritare ndihma ndaj tyre dhe shumë e rëndësishme”.

Përsa i përket masave administrative të vendosura në 2020-ën, Denaj shtjelloi se ato janë falur nga qeveria. Pavarësisht se kostoja për shtetin ka qenë e lartë për këtë vendim, falja ka sjellë lehtësim tek bizneset.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore