Shqipëria

Denaj: 1 korriku, data e fundit për fiskalizimin e subjekteve


Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj dhe Drejtoresha e Përgjithshme e Tatimeve Delina Ibrahimaj, gjatë një takimi në një biznes privat kanë sqaruar se 1 korriku është afati i fundit për fiskalizimin.

“Më 1 korrik 2021 është afati për fiskalizimin e subjekteve që kryejnë transaksione pa para në dorë, Biznes me Biznes (B2B). Po ashtu 1 shtatori është afati për fiskalizimin e subjekteve që kryejnë transaksione me para në dorë, Biznes me Konsumator”, tha ministrja nga takimi.

Sipas Denaj fiskalizimi është një nga mënyrat e reja për të menaxhuar të dhënave tatimore.

Ministrja theksoi se ai është në përmirësim të vazhdueshëm me qëllim finalizimin me “sukses të kësaj reforme”.

Nga ana tjetër, ajo sqaroi se qasja e qeverisë nuk është penalizuese, por mbështetëse me qëllim vendosjen e një metodologjie raportimi ndërmjet biznesit dhe Administratës Tatimore.

Delina Ibrahimaj, shprehu mbështetjen e plotë të Administratës Tatimore në lehtësimin e procedurave dhe të kostove kryesisht për biznesin e vogël.

Ibrahimaj analizoi se kjo bëhet me qëllim informimin dhe nxitjen për fillimin e procesit të fiskalizimit.

Deri më tani janë fiskalizuar mbi 4 mijë e 500 subjekte dhe janë lëshuar në total mbi 2 milionë fatura të fiskalizuara për transaksione me dhe pa para në dorë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore