Kosova

Deklarata skandaloze e Sveçlës dhe protesta e veteranëve të UÇK-së, çka ndodhi dje?


Disa orë para se të fillonte protesta e Organizatës së veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, në përpjekje për të diskredituar protestën e bëri një deklaratë tejet problematike.

Veteranët do të protestonin kundër Qeverisë, si shenjë frustrimi ndaj publikimit të audio-incizimeve ku dëgjohej kryeshefja e deputetëve të Lëvizjes Vetëvndosje, Mimoza Kusari-Lila, duke koordinuar politikat shtetërore me kriminelin dhe terroristin Milan Radojiçiç.

Arsye tjetër ishte lënja jashtë e veteranëve nga Ligji për Pagën Minimale, i cili u miratua në seancën e së enjtes.

Mirëpo, këto arsye nuk e bindën ministrin Sveçla.

Sveçla, që mund të konsiderohet më së paku sikur një teoricien i konspiracionit, e jo një ministër i një dikasteri mjaft të rëndësishëm, u përpoqë që ta lidhë protestën e paralajmëruar në Prishtinë me ato në Serbi të cilët po mbahen kundër presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç.

Përmes një shpjegimi të cekët, Sveçla, shkroi se presidenti Vuçiç i është kthyer metodave të tij të luftës hibride duke tentuar të nxisë trazira në Kosovë, “pasi ka kuptuar se po e humb betejën në terren me Kurtin”.

Prandaj ai deklaroi se “mbetet të shihet sot nëse qytetarët e Kosovës do të ruajnë dinjitetin personal dhe pozicionin e shtetit, apo do të bien në këtë grackë të luftës hibride të Serbisë”, meqë sipas tij protesta e thirrur vinte në një farë mënyre si një urdhër nga Serbia.

“Është e çuditshme se si qëlloi që protesta të jetë e organizuar të shtunën, kohën e njëjtë me protestën në Beograd që atje po organizohet kundër Vuçiç-it”.

“Është edhe më e çuditshme që këtë protestë e kanë thirrur Berat Buzhala e Vehbi Kajtazi në emër të mbrojtjes së vlerave të UÇK-së, kur të gjithë i dinë deklaratat e tyre publike se UÇK-ja ka kryer krime lufte në Kosovë”, përpiqej Sveçla përmes diapazonit të tij të thukët të shpjegonte arsyen e protestës.

Sveçla në postimin e tij skandaloz foli edhe për audio-incizimet e publikuar ku dëgjohet një bisedë e Shefes së Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari – Lilës dhe anëtarëve të Listës Serbe, Slavko Simiç e Milan Radojiçiç, duke potencuar se “këto audio-incizime nga dora e Vuçiç-it gjetën rrugën e tyre për t’u publikuar në një media në Kosovë”.

“Dhe tani si rezultat i keqinterpretimeve të qëllimta e patëm një skenë dhune të provokuar në parlamentin e Kosovës, dhe si të mos mjaftonin ato skena që portretizuan Kosovën si vend jo-stabil në të gjitha mediat ndërkombëtare, sot ka edhe një protestë të thirrur para qeverisë”.

Por, përkundër konspiracioneve të Sveçlës, protesta e veteranëve të UÇK-së përfundoi pa asnjë incident dhe ishte tejet paqësore.

Në protestën e së shtunës – në të cilën ka pasur një numër të konsiderueshëm të qytetarëve – janë dëgjuar thirrje kundër Qeverisë së udhëhequr nga Albin Kurti, madje kanë kërkuar dorëheqjen e saj, por jo edhe iluzionet e ministrit të Brendshëm për ndonjë trazirë të imagjinuar nga ai.

Ilustrim

Fillimisht para qytetarëve do të fliste Bajram Qerkinaj – kryetar i shoqatës “Zëri i Prindërve”.

Në fjalën e tij ai akuzoi Qeverinë e udhëhequr nga Albin Kurti se nuk po i mbështet veteranët e luftës së UÇK-së, duke shtuar se të njëjtit nuk e dinë se çfarë është liria dhe se të njëjtit vetëm gënjejnë.

“Nuk mundesh me i rrejt ata që i ke rrejt para dy vjetësh. Edhe ata janë mbush mend me e ditë kush është Albin Kurti”.

“UÇK, Liri, ju jeni liria e Kosovës. Flisni fort e flisni çlirë. Unë shoqatën e dëshmorëve, veteranëve e luftës janë edhe dëshmorë edhe më të mëdhenj…. Krejt Kosova është për liri. Kush është ai që s’i përkrah. O ju që po na udhëheqin, ku jeni more? Ku jeni more për këtë popull?”.

Bajram Qerkini

Para protestuesve të mbledhur në sheshin “Skënderbe”, foli edhe ish-luftëtari i UÇK-së, Avni Ajeti, duke thënë se nuk e kishin menduar që pas 25 vitesh do të duhej të dilnin për të kërkuar liri dhe të drejta.

“Kush e kishte menduar se pas 25 vite pas luftës, do të dilnim këtu për të kërkuar liri dhe të drejtat tona. Ato po na mohohen, jo nga regjimi i (Sllobodan) Millosheviç-it, por nga qeveria për të cilën dhamë gjithçka që kishim tonën”.

“Por dita paska ardhë. Sot kemi ardhë para qeverisë së Kosovës së pavarur, qe e çliruam me gjakë e sakrificë, e në të cilën hala po veten kriminelët serb që na vrasin e na rrahin policët në Veri”, pohoi ai.

Ne edhe sulmet e befasishme të armikut, tregonte Ajeti “i kemi kthyer në kundërsulme”, duke shtuar se “andaj jemi këtu që me fjalë të lirë t’i japim përgjigje këtij trajtimi të padinjitetshëm që po i prek kufijtë e tradhtisë”, theksoi Ajeti.

“Mimozë, a të kallëzoi (Milan) Radojiçiç se ku janë 1600 të zhdukurit e luftës”.

Kjo ishte një nga pankartat që e mbanin qytetarët që po protestonin në protestën e thirrur nga shoqëria civile dhe Organizata e Veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), kundër Qeverisë së Kosovës, kjo pas publikimeve të audio-incizimeve ku dëgjohet kryeshefja e deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, duke koordinuar politikat shtetërore me kriminelin dhe terroristin Milan Radoijçiç.

Ilustrim

Reagimet e ashpëra ndaj Sveçlës

Reagimet ndaj deklaratës skandaloze dhe tendencioze të Ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ishin të shumta, nga kryetarë partish, deputetë e aktivistë të ndryshëm.

Si të pamatur, nxitëse dhe ofenduese e ka cilësuar kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, deklaratën e tij.

“Etiketimi i pabazë i gazetarëve e ofendimi i turpshëm i luftëtarëve – edhe nëse s’pajtohemi me ta – është nivel i ri i ulët i politikëbërjes në Republikë”.

Sveçla i cili shkroi edhe për audio-incizimet e publikuara këto ditë, ku dëgjohet një bisedë e Shefes së Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari – Lilës dhe anëtarëve të Listës Serbe, Slavko Simiç e Milan Radojiçiç, duke potencuar se “këto audio-incizime nga dora e Vuçiç-it gjetën rrugën e tyre për t’u publikuar në një media në Kosovë, sipas Abdixhikut, është një maskaradë.

Lumir Abdixhiku

“Të injorosh komunikimin e shefes së partisë me një terrorist, e të ndërtosh gjuhë nxitëse e përplasëse me plot imagjinatë është maskaradë. Kjo gjuhë, e dhënë tani, kërkon përplasje. Kërkon dhunë e kërkon krizë. Duket se mendja e pushtetit është mu në dhunë e krizë”.

Abdixhiku, në gjithë këtë mes, apeloi për maturi.

“Na duhen mendje të urta, që afrojnë e s’ndajnë. Sot, mbi të gjitha na duhen politikanë që distancohen nga një mendësi primitive e tillë. E mendësia e tillë meriton veçse shkarkim. Asgjë më pak. Kosova meriton më mirë. Kosova duhet ta bëjë një rrugë të re. Kjo gjuhë, dhuna e nxitja e saj, nuk kanë vend”.

Kundërshtim ndaj deklaratës së ministrit pati edhe nga Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi.

Sipas Krasniqit Qeveria e Kosovës, përmes deklaratës së ministrit Sveçla, të cilën e ka cilësuar si skandaloze dhe fyese ndaj veteranëve dhe gazetarëve, po kërkon përplasje.

“Vetëm një Qeveri e dështuar, e papërgjegjshme dhe pa fijen e ndërgjegjes, përmes veprimeve të saj, kërkon dhunë në mesin e popullit të saj. Veteranët kanë paralajmëruar sot protestë paqësore, për të kërkuar respekt dhe dinjitet nga një Qeveri e cila po i diskriminon në çdo hap e vendim”.

Krasniqi e cilësoi deklaratën e Sveçlës në funksion për ta eskaluar protestën e veteranëve, duke nxituar ata të përballen me policinë, vëllezërit dhe motrat e veta.

“Një ministër pa karakter si Xhelal Sveçla del me fyerje dhe nxitje të tilla. Kjo Qeveri e ka humbur arsyen. E ka humbur rrugën. Shpëtimin, sikur gjatë gjithë historisë së saj, e kërkon në përplasje civile. Turp i madh! Fatkeqësi e madhe!”.

Memli Krasniqi

Ai ftoi veteranët dhe të gjithë pjesëmarrësit në protestë për vetëpërmbajtje dhe qetësi.

“Mos bini pre e këtij orkestrimi antikombëtar”, ka deklaruar ai.

Nga ana tjetër, në reagimin e tij, Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, iu drejtua drejtpërdrejtë kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, të cilit i tha që “pushteti nuk është gjithçka”.

“Albin Kurti, tërhiqi mbrapshtë sejmenët e tu. Lëri njerëzit të protestojnë për të drejtën e tyre dhe mos e ndajë e mos e përçajë popullin”, shkroi ai në “Facebook”.

Ramush Haradinaj

Ato që dikur e ke shfrytëzuar, pohoi ai “si të drejta për vete, (protestat e demonstratat) mos provo t’ua ndalosh të tjerëve”, duke iu referuar protestave të shumta që Lëvizja Vetëvendosje i ka organizuar gjatë kohës sa ishte në opozitë.

“Nuk ta kanë fajin veteranët, as shoqëria civile, as mediat, as gazetarët e as opozita! Fajin e ke vet që nuk po qeverisë me vendin, por po mundohesh ta sundosh atë”, shtoi ai.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore