Lajme

Deklarata e Kurtit për Melonin, “mund t’i rëndojë seriozisht raportet me Italinë”


Foto: Albanian Post

Deklarimin e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti për homologen e tij nga Italia, Giorgia Meloni të cilën e konsideronte si të lidhur me fashizmin dhe pendesën e tij për këtë çështje, ish-diplomatë të Kosovës që kanë shërbyer në Itali e konsiderojnë si gjuhë “jo diplomatike” dhe “të pamatur”.

Ish-themeluesi i Ambasadës së Kosovës në Romë, Albert Prenkaj, thotë për Albanain Post se kjo dalje publike dhe thumbuese e Kurtit ndaj Melonit, është e pa menduar mirë, apo e nxjerrur qëllimisht nga entuziazmi i Kongresit të Partisë së Socialistëve Evropian (PES) të mbajtur në Romë këto ditë.

“Mund t’i rëndojë seriozisht raportet me këtë shtet tejet të rëndësishëm për paqen dhe stabilitetin, progresin, proceset integruese dhe anëtarësimet në nisma dhe organizata ndërkombëtare. Deklarata e Kurtit në lidhje me Melonin duke e klasifikuar si fashiste, me notën se tashmë ka ndërruar mendim për të ia bartur këtë epitet politikanit tjetër italian, Salvinit, është deklaratë e pamatur që i ngjan asaj kur e quante Sekretarin Blinken naiv”, mendon Prenkaj.

Në këndvështrimin e ambasadorit Prenkaj, deklarimi i Kurtit është “naivitet në vetvete” që tashmë ka shkaktuar “dëme enorme” të Kosovës në relacion me vendet e QUINT-it.

“Kosova asnjëherë si deri më tani nuk ka qenë në gjendje më të rëndë në arenën ndërkombëtare. Italia është njëra nga shtetet e QUINT-it që është shtyllë dhe sponsor i lirisë, pavarësisë, demokracisë që garanton integritetin e Republikës së Kosovës”, potencoi ai.

Veçse ai insiston që përfaqësuesit e shtetit të Kosovës duhet të projektojnë qasje miqësore dhe përpjekje për të ruajtur dhe ngritur relacionet me Italinë, meqë ky vend është tejet i rëndësishëm në Bashkimin Evropian dhe NATO.

“Nuk duhet harrojmë se bombardimet e caqeve që i shërbenin mekanizmave shtetërore të Serbisë të udhëhequra nga Millosheviçi janë nisur nga Aviano e Italisë”.

Edhe për ish-ambasadoren e Kosovës në Itali, Alma Lamën, kryeministri Kurti është treguar “i pakujdesshëm” në përzgjedhjen e gjuhës kur ka folur për homologen italiane dhe për më tepër për zv-kryeministrin Matteo Salvini.

“Gjuha e tij nuk është aspak diplomatike siç do të duhet të ishte, por më shumë flet si një analist politik, duke përmendur komentet që lexohen nëpër media në lidhje me përshkrimin që i bëhet karrierës së Melonit në raport me trashëgiminë fashiste”, potencoi Lama për AP.

Ish-deputetja thotë se Kurtit nuk i takon të hyjë në këto komente dhe në politiken e brendshme italiane, me kualifikime të papërshtatshme.

“As nuk ka pse jep vlerësime personale për liderë të huaj, nuk është punë e tij vlerësimi, sepse ata i vlerësojnë popujt e tyre që i votojnë. Duhet të flas për raportet ndërshtetërore dhe në rastin konkret të jetë shumë falënderues për kontributin e Italisë për Kosovën gjatë dhe pas luftës”, tha Lama.

Edhe ish-ambasadorja e Kosovës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Vlora Çitaku, ka reaguar të dielën duke thënë se Kurti e ka ofenduar kryeministren e Italisë dhe zëvendësin e saj.

“Imagjinojeni, Kryeministri i Kosovës jep intervista e sillet si analist i pavarur. Në një intervistë për mediumet italiane, suksesshëm paska arritur të fyej edhe Kryeministren e Italisë Meloni, dhe zv\kryeministrin Salvini”, shkroi Çitaku në Facebook.

Të dielën, në një intervistë për mediumin italian “AGI”, Kurti ka thënë se ishte “skeptik” për përzgjedhjen e Melonit si kryeministre e Italisë, për shkak të kaluarës së saj, që sipas tij, lidhet me fashizimin.

Por, kryeqeveritari kosovar ka thënë se pasi Meloni filloi punën si kryeministre, ka vërejtur se ajo ka marrëdhënie të shkëlqyera me partnerët ndërkombëtarë si dhe mbështetja ndaj Ukrainës ka qenë e palëkundur.

“Duhet të jem i sinqertë. Në të kaluarën e kam konsideruar Giorgia Melonin të lidhur me të kaluarën e saj të djathtë, me fashizmin. Që kur është bërë kryeministre kam vënë re marrëdhëniet e saj të shkëlqyera me [Joe] Biden dhe SHBA, mbështetje të bindur për Ukrainën. Jo kështu për Salvinin që ka marrëdhënie me Putin-in”, theksoi Kurti.

Ndryshe, në vitin 2022, Giorgia Meloni në zgjedhjet e përgjithshme triumfoi duke u bërë kryeministrja e parë grua e Italisë.

Fitorja e saj ishte historike jo vetëm për shkak të gjinisë së saj, por sepse ajo drejton një parti që është më e djathtë se çdo lëvizje politike kryesore që Italia ka parë që nga koha e ish-udhëheqësit të saj fashist, Benito Musolini.

Meloni shumë shpejtë u vu në shënjestër të mediave pikërisht për faktin se udhëhiqte një parti të ekstremit të djathë – “Vëllezërit e Italisë”.

Skepticizmi qëndronte në atë se si një kryeministre me tipare të ekstremit të djathtë do të mund ta udhëhiqte një vend demokratik si Italia.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore