Jetesë & Stil

Dekada pas ndarjes, Soni Malaj dhe Flori Mumajesi bëhen bashkë përsëri


Shumë vite më parë, në skenën e festivalit “Kënga Magjike”, këngëtarja, Soni Malaj dhe kantautori, Flori Mumajesi, interpretuan këngën “Fluturimi 3470”, e cila shpejt u shndërrua në hit, aso kohe duke pushtuar me transmetim radiot dhe televizionet, si në Shqipëri, ashtu edhe në Kosovë, dhe kudo ku jetonin shqiptarët.

Ani pse kurrë nuk e pranuan me fjalë se ishin një çift, Soni e Flori, veç daljeve të hapura në ambiente të ndryshme, pohimin më të madh e bënë pikërisht gjatë performancës së tyre në “Këngën Magjike”, ku mes të tjerash ata shkëmbyen një puthje, që u duartrokit nga i gjithë publiku në sallë, dhe bëri bujë në mediet rozë.

Pas më shumë se një dekade të ndarë, raportet e tyre vazhdojnë te mbesin korrekte duke treguar personalitetet e tyre të forta dhe mendje hapësinë e tyre në raport me fenomenin e ndarjes, mirëpo diçka i ka bërë sërish bashkë – Kënga Magjike.

Saktësisht, Soni Malaj e ka konfirmuar pjesëmarrjen e saj në festivalin “Kënga Magjike”, dhe për këngën e saj, kësaj radhe është përkujdesur labeli “Three Dots”, në krye të së cilit qëndron kantautori Flori Mumajesi.

“Është një nga këngët më të veçanta që unë kam. Kënga mu propozua nga Threedots. Djemtë pasi përfunduan këngën thanë: “Këtë këngë vetëm Soni Malaj mund ta këndojë”, ka shpjeguar Soni për produksionin e spektaklit.

Kënga prezantuese e saj në festival titullohet “Versioni im”, vijën melodike e së cilës e ka krijuar artisti, Bruno.

Ndryshe, deri më tani Soni Malaj ka marrë pjesë nëntë herë në festivalin “Kënga Magjike”, dhe pothuajse çdo herë ka fituar çmime në kategori të ndryshme.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore