Kosova

Dejona Mihali intervistohet nga Specialja, në lidhje me rastin e Nagip Krasniqit


Dejona Mihali

E mirënjohura e Lëvizjes Vetëvendosje, Dejona Mihali, është intervistuar nga Prokuroria Speciale këtë të premte.

Albanian Post kupton se ajo po intervistohet në lidhje me rastin për dyshimet për korrupsion në Korporatën Energjetike të Kosovës, apo siç njihet rasti i Nagip Krasniqit.

Siç ka kuptuar AP ftesa për intervistim Mihalit i është bërë për të premten e kaluar, por ajo nuk ishte përgjigjur pozitivisht deri për këtë të premte.

Mediumi gjithashtu ka kuptuar se arsye e thirrjes së Mihalit është gjetja e provave për të gjatë hetimit të Krasniqit.

“Janë disa mesazhe mes Mihalit dhe Nagip Krasniqit që e involvojnë atë”, ka thënë një burim brenda Prokurorisë Speciale.

Mihali zyrtarisht në Vetëvendosje është Koordinatore e Komiteteve, por jo formalisht ajo përflitet si një nga njerëzit më me influencë në Vetëvendosje dhe personi më i besuar i Albin Kurtit.

Mihali kujdeset edhe për fjalimet e deputetëve të Vetëvendosjes e gjithashtu për postimet e tyre në Facebook.

Nagip Krasniqi, ish anëtar i Lëvizjes Vetëvendosje u emërua nga qeveria e Kurtit si kryeshef i KEK-ut.

Krasniqi u arrestua në prill të vitit 2023 dhe ishte mbajtur në paraburgim nën dyshimet për keqpërdorim të pozitës, ushtrim të ndikimit dhe konflikt interesi.

Ai u lirua në shtator 2023.

Ndërkaq Prokuroria Speciale e Kosovës në gusht të këtij viti ka ngritur aktakuzë ndaj tij për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Prokuroria e akuzon Krasniqin për shkelje të detyrës gjatë një periudhe më pak se dyvjeçare.

Mihali është një nga anëtarët e Vetëvendosjes që njihen si “grupi i Shqipërisë”, bashkë me persona si Arbër Zaimi, Bojken Abazi, Elvis Hoxha e të tjerë.

Përkundër që secili prej tyre ka mbajtur dhe mban funksione të larta në Vetëvendosje, Mihali ka ngjitur shkallët drejt kreut të Vetëvendosjes, më shumë se gjithë të tjerët.

Në media nuk prononcohet pothuajse asnjëherë, derisa komunikimin e bën përmes faqes në Facebook.

Deputetët e Vetëvendosjes të pyetur rreth saj nuk kanë mohuar fuqinë e kësaj gruaje në përcaktimin e politikave edhe të grupit parlamentar.

Por, ata kanë thënë se kjo ndihmë është e mirëseardhur, meqë ajo është “punëtore e madhe”.

Albanian Post kishte raportuar disa raste të dallavereve të Nagip Krasniqit, ku ai kishte siguruar kompanive greke tender me miliona euro.

Krasniqi kishte dhënë kundërligjshëm një tender mbi 630 mijë euro kompanisë greke – “Tuv Hellas”. Njoftimi për dhënien e kontratës kompanisë “Tuv Hellas” ishte bërë me 2 mars 2023, derisa kompania angazhohej për konsulencë, më saktësisht “blerje e shërbimeve për mbikëqyrjen e implementimit të projektit, dizajnit, furnizimit dhe kryerjen e punëve lidhur me dilatimet e Kalldajave në B1 dhe B2”.

Në kundërshtim me ligjin, pa ekzistuar specifikat e nevojshme, Nagip Krasniqi, kishte vendosur që të shpallë tender njëburimor, ku nuk hapet thirrja për të aplikuar kompanitë me oferta, por vetë KEK-u thërret një kompani të caktuar dhe me të, përmes negocimit të fshehtë, përjashton automatikisht të gjitha kompanitë e tjera që do të mund të aplikonin për tenderin.

Kjo ishte hera e parë që KEK-u për një shërbim të tillë të konsulencës po angazhonte një kompani përmes kësaj forme të tenderimit. Kjo nuk ishte rasti i vetëm. Që të sigurohej se një kompani e caktuar do të fitonte tenderin prej mbi 1 milion e 600 mijë eurove, Nagip Krasniqi, kishte obliguar zyrtarët e Zyrës së Prokurorimit, që t’i dërgojnë e-mail njoftues kompanisë greke “ErgoTem SA” para se të hapej tenderi për aplikim. Njoftimi kompanisë greke “ErgoTem SA” – që asnjëherë më parë s’kishte punuar për KEK-un – i kishte shkuar në dhjetor, derisa me 3 mars 2023 kompania fitoi tenderin.

Albanian Post kishte siguruar dokumentet për dhënien e kontratës që dëshmojnë shkeljet ligjore në këtë proces dhe ndryshimin e kritereve të tenderit, vetëm që të eliminoheshin kompanitë e tjera dhe të fitonte “ErgoTem SA”, nga qyteti i Mandra në perëndim të regjionit të Atikës në Greqi.

Ndër të tjera Albanian Post kishte raportuar se Krasniqi akuzohet edhe për konflikt interesi për dhënien e një tenderi me procedurë të kundërligjshme zyrës së avokatit të tij personal në vlerë prej 60 mijë eurosh.

Përkundër se pjesë përbërëse e KEK-ut është edhe zyra ligjore që trajton lëndët, korporata kishte shpallur tender, me kërkesë të drejtorit Krasniqi, për angazhimin e një zyre ligjore të jashtme. Tenderi, siç e kërkojnë procedurat, fillimisht ishte i hapur.

Por, i njëjti më pas ishte anuluar nën arsyetimin se “një dispozitë në Ligjin e Prokurorimit Publik kërkon anulimin e aktivitetit të prokurorimit”. Siç do kuptohej më vonë, tenderi do të anulohej vetëm për t’u hapur më pas përsëri si tender njëburimor.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore