Shqipëria

Debati i parë në Kuvend… brenda PD-së


“Nuk më përjashton dot njeri mua nga Partia Demokratike ai që futi kriminelë në seli dhe goditi me gaz lotsjellës”.

Menjëherë pas nisjes së seancës së parë plenare për vitin 2022 të Kuvendit të Shqipërisë, ka pasur një deklaratë nga deputeti i Partisë Demokratike, Edmond Spaho, i cili me tone të larta ka hedhur akuza mbi kryetarin e kësaj force politike, Lulzim Basha, lidhur me vendimin e këtij të fundit për përjashtim nga Grupi Parlamentar.

Sipas tij, Basha ka bërë gjithçka vetëm që të ruajë karrigen e tij.

“Nuk kanë të ardhme demokratët me këtë, me një njeri që ka humbur katër palë zgjedhje dhe shitet si e ardhmja e demokratëve. Do t’i vijë dita, mos kujtojë se e ka të largët. Qytetarët do t’i japin atë që meriton këtij njeriu”.

Ndërsa, deputeti demokrat Tritan Shehu, i cili gjithashtu është një prej të përjashtuarve nga Lulzim Basha, ka dalë kundër vendimit të Grupit Parlamentar të PD-së, duke i kërkuar kryetares së Kuvendit, Lindita Nikolla, që të shqyrtojnë dokumentet, pasi ato që i janë dërguar janë “nule”.

“Mos u ktheni në mbështetëse të ndryshimeve antikushtetues, antiligjore, që grupet parlamentare i quan pjesë e saj. Unë ju këshilloj që të verifikoni, të thërrisni, të shikoni dokumentet dhe pastaj t’i paraqisni Kuvendit gjëra që janë deformime të realitetit dhe të qëllimshme”.

Gjithashtu, edhe deputetët Oerd Bylykbashi dhe Flamur Noka kanë kundërshtuar vendimin për përjashtimin apo pezullimin e tyre nga Grupi Parlamentar i PD-së.

Sipas Bylykbashit, deputeti largohet me dëshirën e tij nga grupi.

“Rregullorja dhe Kushtetuta nuk parashikon asnjë lloj kufizimi në lidhje me këtë. Nuk mund të bëhet kjo, përndryshe vendoset precedent i rrezikshëm”, tha ai.

Ndërsa Noka tha se “ju keni marrë urdhër nga kreu i regjimit të shoqatës së bravave”.

“Ju duhet kjo shoqatë, sepse pa të jeni të mbaruar. Vetëm kështu ju fusni në thes opozitës dhe e kontrolloni pluralizmin. Askush nuk ua përcakton përkatësinë deputetëve përveçse votuesit”, tha Noka drejtuar Nikollës.

Deputeti i radhës i përjashtuar, i cili replikoi në Kuvend ishte Belind Këlliçi.

“Çdo deputet ka të drejtë të largohet nga grupi parlamentar, por duke i paraqitur kërkesë me shkrim burosë së Kuvendit. Unë nuk di të ketë shkresë të tillë.  Deputetët bëjnë deklarimet me shkrim kujt grupi i përkasin dhe kjo është kryer. Ku e keni dispozitën që jeni bazuar për atë njoftim që bëtë? Kjo që lexova, është rregullorja e Kuvendit! Është e trishtë që ju zonjë merrni përsipër të lexoni cilët janë deputetët e PD-së”, tha ai.

Përjashtimet nga Basha me vendim Kryesie

Lulzim Basha, në mbledhjen e Kryesisë së forcës politike gjatë mbrëmjes së 10 janarit, vendosi të përjashtojë nga Partia Demokratike ish-kryetarin dhe bashkëthemeluesin e saj, Sali Berisha, së bashku me shtatë anëtarë të Komisionit të Rithemelimit.

Shtatë anëtarët e tjerë të përjashtuar, janë Bujar Nishani, Flamur Noka, Albana Vokshi, Edmond Spaho, Arben Ristani, Klevis Balliu dhe Keltis Kruja.

Një seri emrash gjithashtu janë pezulluar përkohësisht nga organet e demokratëve.

Ndër këta të fundit, bëjnë pjesë emra të rëndësishëm, si: Agron Shehaj, Aldo Bumçi, Belind Këlliçi, Edith Harxhi, Edi Paloka, Tritan Shehu dhe Oerd Bylykbashi.

Kjo lëvizje e Bashës dhe kryesisë së demokratëve, është edhe ajo më drastike, pas protestës së thirrur nga Berisha dhe mbështetësit e tij më 8 janar në selinë blu.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore