Lajme

Debat në Komisionin për Arsim mes Bashës dhe Jasharaj – kreu i SBASHK-ut lëshon mbledhjen


Kreu i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj.

Mbledhja e Komisionit për Arsim është shoqëruar me një serë debatesh për grevën e punëtoreve të Arsimit deri në momentin kur kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj lëshoi sallën.

Largimi i tij nga komisioni erdhi pas deklaratave të deputetit Dimal Basha, teksa ai po fliste rreth ndarjes për grevën e punëtorëve të Arsimit. Jasharaj, u nda i pakënaqur.

“Sektori privat i ka 300 mijë punëtorë që paguajnë taksa dhe na i paguam pagat edhe neve edhe mësuesve. 105 mijë qytetarë që punojnë nën pagën minimale”, tha Basha.

Pas reagimeve të SBASHK-ut, përgjigja e Bashës ishte se “këtu jam në shtëpinë time, ju tregova zgjedhjet që ka dhënë qeveria”.

Ai shfrytëzoi rastin të sqaroj edhe pakon e Qeverisë për të ndihmuar luftimin e inflacionit.

Kreu i SBASHK-ut gjatë lëshimit të sallës në Komisionin për Arsim.

“Për qytetarët tema është kthyer në pare. Fillim 0 euro e pastaj kërkesa 100 euro. Nëse e di dikush mes tjetër 100 eurove, pos 50, atëherë të thotë. Qeveria e ka pa problemin e inflacionit. Ka nda 50 euro. Opozita ik nga këtu pasi nuk ka bërë zgjidhje për mësuesit me sëmundje të rënda”.

“Ne kemi bërë zgjidhje Kemi ndarë mjete. Janë 2000 mësues tepricë që bëjnë 10 milionë euro. SBASHK nuk po i merr parasysh 1.6 milionë euro të ndara për mësuesit me sëmundje të rënda, 10 milionë për mësuesit tepricë, 100 asistentë për fëmijët me nevoja të veçanta, 500 mijë euro. 300 tjerë do të angazhohen pra 1.5 milionë euro. Ka investime në kabinete e shkolla”.

Basha theksoi edhe sakrificat e qytetarëve për të paguar pagën e mësimdhënësve në shkolla.

“300 mijë punëtorë të sektorit privatë paguajnë pagat tona dhe të mësuesve. 105 mijë qytetarë punojnë nën pagën minimale, që duam ta bëjmë 246 euro. E që opozita s’po e voton. Problemi duhet me u adresu qysh me ju bë zgjidhje sektorit privat, nuk mund të mendojmë për 80 mijë veta as 20 mijë mësues. Duhet zgjidhur total”.

Ndërkaq ai ka vënë në dyshim nëse kërkesa e SBASHK-ut është e sinqertë.

“Është pyetja mesi është i ndarë nga Qeveria i ka nda paret, a është e sinqertë kërkesa e juaj? Pse po i mbani peng fëmijët? Po të ishit të sinqertë greva do të fillonin në korrik e gusht, do të ktheheshin mësimdhënësit në shkolla. Por kur morën fëmijët peng at minutë ka mbajtur greva. Vet kryetari i SBASHK-ut i kërkon deputetit midis parlamentit të mos ia jap fjalën një deputeti, kjo tregon mentalitetit”, ka thënë ai.

Jasharaj, gjatë komisionit deklaroi se po t’ia bënin 82 kërkesa edhe Bideni do të pranonte të takohej me ta.

“Mos hapni dezinformata. Ne u kemi dërguar kërkesat për grevë, ofroni mundësi këtu. Dëgjoni drejt fjalitë, jemi në hall dhe të vetmet që po mundohen të bëjnë zgjidhje janë sindikatat. Mos na torturoni. Qeveria për një orë mund të ulet e të bisedojë dhe gjejmë zgjidhje. 9 muaj kërkesa. Po askund në botë nuk ka. 82 kërkesa me ja dërgu edhe Bidenit sindikatat e Kosovës do të gjenin 5 minuta për ne. 82 kërkesa vetëm nga BSPK-ja”.

Ai tutje ka theksuar edhe një herë se i vetmi takim me Kurtin ka qenë ai që ka zgjatur dy orë i cili përfundoi pa zgjidhje.

“I vetmi takim ishte ai për dy orë që nuk dha rezultat. Jo po na flisni për sukseset që janë arritur se si kemi mësuar në baraka në vitin 2000 e tash kemi shkolla të mira. 32 vjet kam punuar arsim në ditët më të vështira. Grevën nuk e ndalim ne, por Qeveria. Mos u kapni për fjalë. Mos na torturoni”, ka thënë Jasharaj.

Debati mes tyre ka vazhduar edhe në hollin e Kuvendit.

Si filloi greva?

25 gushti i gjeti sërish në greva mësimdhënësit, edukatorët në kopshtet publike, punëtorët e administratës publike, shërbyesit civilë në institucione lokale dhe qendrore të Kosovës.

Të gjithë kanë të njëjtën kërkesë – rritje të pagës prej 100 eurove. Por, akoma pa përfunduar një ditë e grevës, Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve, doli me vendim që grevistët të pezullohen nga e drejta për pagesë, pasi nga ta po kërkohet detyrim i bindjes për të punuar.

Çfarë duan grevistët?

Grevistët kanë kërkesë që qeveria t’ua rris pagat për 100 euro shërbyesve publikë, përfshirë mësimdhënësit, derisa të futet në fuqi ligji për paga, i cili parasheh rritjet e nevojshme.

Ata thonë se për nëntë muaj rresht kanë kërkuar takim me Kurtin, por ai nuk i ka pranuar.

Gjithashtu, Jasharaj kishte deklaruar se i kanë dërguar 83 shkresa në qeveri dhe asnjëherë nuk kanë marrë përgjigje.

Çfarë do qeveria?

Qeveria do që grevistët ta ndalin grevën, por pa ua plotësuar kërkesën për rritje page, pa e procedura ligjin për pagat me procedurë të shpejtë dhe pa pranuar që të takohet me ta.

Zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu, ka lëshuar një komunikatë për media, ku thotë se takimet nuk kanë munguar.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore