Dayton 2.0: Ideja e Edi Ramës për ndryshim formati në dialog mund të jetë zgjidhje

SHFLETO

Ilustrim

 

Dreni Himbeqa
27.06.2023 22:13
Loading Icons...

Një ndryshim eventual i formatit të dialogut në mes të Kosovës dhe Serbisë, siç propozoi kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, për njohësit marrëdhënieve ndërkombëtare do të ishte një manovër e qëlluar marr parasysh fragjilitetin e situatës aktuale në Veri të Kosovës dhe rrjedhimisht ngurtësinë e Prishtinës dhe Beogradit për të qenë konstruktivë në zbatimin e Marrëveshjes së dakordësuar fillimisht në Bruksel më 27 shkurt e më pastaj më 18 mars në Ohër të Maqedonisë së Veriut.

Kreu i Qeverisë shqiptare, ditë më parë, parashtroi një kërkesë të re dhe të qartë sa i takon dialogut mes Kosovës dhe Serbisë. Rama propozoi ndryshimin e formatit të procesit të dialogut nga ai i zakonshmi në një konferencë normalizimi nën kujdesin dhe trysninë e ndërkombëtarëve pa të drejtë daljeje – njëlloj Dayton-i 2.0.

Për analistin politik, Visar Ymerin, ndonëse ndryshimi i formatit të dialogut do t’i kishte përparësitë e veta, veçanërisht në përshpejtimin e arritjes së marrëveshjes, pasi në këtë mënyrë rritet edhe presioni ndaj palëve që të nënshkruajnë marrëveshjen, ky skenar nuk mund t’i zgjidh problemet akute me të cilat është ballafaquar dialogu – implementimi i marrëveshjeve.

“Ngecjet e mëdha që i kemi aktualisht lidhen me implementim, meqë marrëveshje të pranuar edhe nga Kryeministri Kurti edhe nga Presidenti Vuçiç kemi. Faktori kohë megjithatë po bëhet përherë e më i rëndësishëm në dialog marrë parasysh që viti i ardhshëm është vit zgjedhor ne SHBA e po ashtu në nivel të BE-së. Kështu që sa më shumë që të zvarritet procesi i dialogut aq më shumë mund të shtohet nevoja për ta përmbylluar me një tip konference të mbyllur”, thotë për Albanian Post Ymeri.

Duke u nisur nga paaftësia e Kosovës dhe Serbisë për të arritur një akord të mirëfilltë paqeje mes tyre, Rama i cili e do të mbyllur çështjen e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë duke kërkuar kështu ta shoh rajonin jo më peng të së kaluarës, por fryt i së ardhmes euroatlantike argumentoi se dy liderët shtetëror duhet të mbyllen brenda në një konferencë nën kujdesin dhe trysnin e kumbarëve të planit që është dakordësuar në bazë.

Sipas ish-bashkëpartiakut të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit, Ymerit, llojet e tilla të konferencave shquhen për efikasitet për arritjen e marrëveshjeve, mirëpo formatet e tilla në vetvete, siç beson Ymeri, mund të kenë kundër-efektin e tyre, siç pati Dayton-i në Bosnje e Hercegovinë.

“Kujtojmë këtu procesin e Dayton-it, i cili e përfundoi luftën në Bosnje dhe Hercegovinë, por la shumë probleme të qeverisjes, të administrimit e veçanërisht të integrimit të shoqërisë. Kjo nuk po them që është problem domosdoshmërisht që ndërlidhet me formatin e procesit të dialogut, por shpejtësia e nevojshme për të arritur marrëveshjen (një konferencë e mbyllur nuk mund të zgjasë me muaj) mund të shkaktojë nguti në marrëveshje. E implementimi varet mjaft shumë prej cilësisë së marrëveshjes. Si dhe përfitimet/sanskionet përcjellëse të saj që prapë nënkupton përkushtim të vazhdueshëm të sponzorizuesve”, potencon më tej ai.

Visar Ymeri dhe Dritëro Arifi

Për një ndryshim formati është edhe ligjëruesi i marrëdhënieve ndërkombëtare, Dritëro Arifi, megjithatë ndryshe nga ideja e kryeministrit Rama, Arifi beson se formati duhet të ndryshojë brenda Unionit ku më saktësisht Franca dhe Gjermania marrin primatin për të udhëhequr dialogun duke qenë kështu më serioz dhe më vendimmarrës dhe duke propozuar një limit kohorë deri kur eventualisht mund të përfundojë dialogu.

“Gjithashtu edhe të gjitha shtetet e tjera duhet të subordinohen Francës dhe Gjermanisë në çështjen e dialogut sepse përndryshe nëse vazhdon me të njëjtën rritëm nuk besoj që do të ketë sukses ky format që është aktualisht”, thotë Arifi për AP.

Arifi ndër të tjera beson se ndryshimi i formatit të dialogut duhet të bëhet paralelisht edhe në mes të BE-së dhe Kosovës.

“Pra BE-ja nuk duhet të fshihet prapa pesë vende që nuk e njohin Kosovën, edhe kjo e ka kaluar çdo limitë dhe çdo logjikë të politkbërjes së BE-së në Kosovë, BE-ja duhet ta vendos këtë çështje si prioritet sepse nuk mundet njëkohësisht të jetë për Ballkanin Perëndimor të integruar dhe njëkohësisht të prodhojë politika pro-ruse dhe destruktive vetë në Ballkanin Perëndimor, pra me qasjen e atyre 5 vendeve karshi Kosovës realisht po krijohet një bindje që BE-ja sikurse nuk po dëshiron të zgjidh çështjen realisht”, potencon ai.

Me ndërmjetësimin e BE-së dhe mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Kosova dhe Serbia janë në negociata për normalizimin e marrëdhënieve qysh nga viti 2011.

Ato kanë arritur dhjetëra marrëveshje, por shumica e tyre nuk janë zbatuar dhe palët kanë fajësuar njëra-tjetrën për ngecje.