Familja

Dashuria në kohë teknologjie


Mënyrat e njohjes dhe perceptimi i dashurisë ka ndryshuar në shekullin XXI. Ajo cilësohet nga shumë njerëz, si burim i lumturisë, energjisë, motivimit, forcës dhe të jetuarit.

Me zhvillimin e teknologjisë dhe shtimin e aplikacioneve të ndryshme, sipas hulumtuesve, u vu re një qasje ndryshe e shoqërisë në krijimin e marrëdhënieve.

Sipas tyre, koha që gjithsecili prej nesh kalon në rrjete sociale, si Facebook, Instagram, Whats’App, dhe Tinder, ka sjellë dhe krijimin e shumë lidhjeve, të cilat mund të nisin pikërisht aty. Me sa duket, jeta sociale po zhvillohet pjesërisht në internet.

V.N, e rritur në qytetin e Durrësit, rrëfen për Albanian Post (AP) sesi djalin, që sot është i fejuari i saj, e njohu përmes Instagram-it.

“Lindi si një flirt në Instagram, ku një djalë simpatik filloi të më komplimentonte për sytë”.

23-vjeçarja tregon për AP-në se patën një kimi të pashpjegueshme. “Komunikimi dhe kimia ishte e menjëhershme te ne. Sa vinte dhe bisedat bëheshin më të thella. Po më pëlqente çdo detaj dhe mënyra sesi ai argumentonte”.

Edhe vetë, sot, i duket e pabesueshme sesi një i panjohur u bë pjesë e rëndësishme e jetës së saj, “është e çuditshme sesi mund të krijohet një lidhje shumë e fortë me një të panjohur. Pas bisedave, ndodhi takimi i parë, i cili ishte po aq i bukur sa dhe bisedat. Ishte ashtu siç e imagjinoja dhe mendoja për djalin e ëndrrave të mia”.

Lidhjet e dashurisë përmes rrjeteve sociale kanë zënë një pjesë të rëndësishme. Interneti ka transformuar mënyrën si punohet dhe komunikohet. Njerëzit po marrin një nga vendimet më të rëndësishme në jetë siç është përzgjedhja e partnerit.

Një tjetër vajzë, Ana, rrëfen për AP-në sesi u lidh nëpërmjet Instagram-it. “Njohja në këtë mënyrë më ka dhënë kohën e duhur, për të analizuar njeriun që njoha dhe për të ecur me hapa të ngadaltë”.

Sipas hulumtuesve, në të gjithë botën, të paktën 200 milionë njerëz përdorin aplikacionet e njohjeve çdo muaj. Probabiliteti për të gjetur një partner duket që është më i madh.

Për këtë ka shumë shembuj sesi, përmes rrjeteve sociale, ka lindur dashuria, e cila në disa raste është finalizuar në martesë.

Kohë më parë, kur nuk ekzistonin rrjetet sociale, mënyrat më të zakonshme të njohjeve kanë qenë në ambientet e punës, shkollës ose midis miqve.

Psikologia Mirjeta Pestisha shpjegon për Albanian Post, “Forma e komunikimit virtual ka lehtësuar pjesën e vështirësive për të komunikuar me një person. Sikundër për shumë nga njerëzit, të cilët janë të turpshëm dhe nuk marrin guximin të shprehin pëlqimin një femre. Kjo formë komunikimi ka shumë avantazhe”.

Ajo thotë se shumë njerëz sot e kanë më të lehtë të shohin jetën sociale të dikujt, aktivitetet, udhëtimet, shkollimin e shumë elementë që ndihmojnë pjesërisht në njohjen e dikujt.

Sa ndikon ky komunikim tek emocionet tona?

Sipas Pestishës, marrëdhëniet më të tjerët janë pjesë e gjendjes shpirtërore dhe bëhet fjalë për mirëqenien tonë.

Kur ne ndajmë gjendjen emocionale, thotë psikologia, kjo rrit lidhjen ndërpersonale me të tjerët. Kërkimet tregojnë se njerëzit, të cilët komunikojnë në rrjetet sociale, pothuajse pas çdo ngjarjeje pozitive dhe negative, ndihen më mirë dhe më të lehtësuar. Por, përpos realitetit, shumë njerëz në Shqipëri kanë ende komplekse, të pranojnë njohjen e tyre në rrjetet sociale.

Ndjenja e dashurisë ka frymëzuar shumë autorë të shkruajnë për të.

 

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore