Lajme

DASH: Qeveria e Kosovës s’ka arritur ta shtrijë autoritetin në veri


Ilustrim

Çështjet e sigurisë në pjesën veriore të territorit kosovar të banuar me shumicë serbe kanë kufizuar aftësinë e Qeverisë së Kosovës për ta shtrirë autoritetin në këtë zonë, ka zbuluar raporti i Departamentit Amerikan të Shtetit (DASH) për vitin 2022, derisa janë spikatur edhe praktikat e Rusisë në drejtim të nxitjes dhe tensionimit të situatës.

“Veçmas, çështjet e sigurisë dhe paqëndrueshmëria politike në veri të Kosovës vazhduan ta kufizojnë aftësinë e Qeverisë së Kosovës për të konfirmuar autoritetin e saj në atë rajon”, ka zbuluar raporti periodik mbi terrorizmin, ndërsa është përmendur bashkëpunimi ndërmjet Policisë së Kosovës, KFOR-i dhe EULEX-i për një mjedis të sigurt dhe forcimin e sundimit të ligjit.

“Që nga pushtimi i plotë i Ukrainës nga Rusia, ambasada në Prishtinë ka vërejtur një rritje të dezinformimit rus dhe ka vlerësuar se është nxitës gjithnjë e më i pranishëm i të menduarit të dhunshëm ekstremist dhe polarizimit ndëretnik që kontribuon në tensionet ndëretnike në veri të Kosovës”, ka zbuluar raporti i DASH-it i publikuar rishtas.

Në raportin e DASH-it janë veçuar zhvillimet e vitit 2022, ku në pjesën veriore të Kosovës ka pasur ngritje të tensioneve, posaçërisht në prill dhe dhjetor, ndërsa krahas situatës në veri, aty ndër të tjera përmendet edhe rreziku që paraqesin organizatat terroriste me orientim politik etnonacionalist ose fetar për qytetarët e Kosovës, brenda dhe jashtë vendit.

“Qytetarët e Kosovës, brenda dhe jashtë vendit, janë objektiv i mundshëm për rekrutim nga organizatat ekstremiste të dhunshme me orientim politik etnonacionalist ose fetar. Veçmas, çështjet e sigurisë dhe paqëndrueshmëria politike në veri të Kosovës vazhduan ta kufizojnë aftësinë e Qeverisë së Kosovës për të konfirmuar autoritetin e saj në atë rajon”.

DASH-i ka përmendur edhe riatdhesimin e shtetasve kosovarë nga qendrat e paraburgimit dhe kampet e personave të zhvendosur në Siri. Në raportin e DASH-it është thënë se deri më tani janë riatdhesuar më shumë se 120 kosovarë, kurse rreth 80 shtetas kanë mbetur në kampet e personave të zhvendosur ose qendrat e paraburgimit në Siri.

Në raport është analizuar edhe korniza ligjore, për të cilën është vlerësuar se përgjithësisht mundëson ndjekjen penale dhe burgosjen e individëve të dyshuar për mbështetje të aktiviteteve terroriste ose pjesëmarrje në luftëra të huaja. Megjithatë, dënimet e ulëta, lirimi me kusht dhe mbikëqyrja e çorganizuar pas lirimit, përbëjnë kërcënim për sigurinë.

Programi i Asistencës Antiterror i DASH-it, sipas raportit, ka siguruar grante për pajisje teknike për të forcuar gatishmërinë operacionale të Drejtorisë Kundër Terrorizmit në kuadër të Policisë së Kosovës dhe ka zhvilluar trajnime dhe ka dhënë këshilla specifike mbi aftësitë hetuese, shpartallimin e komploteve terroriste dhe sigurinë kufitare.

“Sistemi policor dhe korrektues ndihmuan në reduktimin e radikalizimit të burgjeve në dhunë duke identifikuar tendencat dhe kërcënimet brenda institucioneve penale; duke forcuar koordinimin e policisë, inteligjencës dhe agjencive korrektuese; dhe duke përgatitur institucionet e sigurisë me një kuptim më të mirë se si ekstremizmi i dhunshëm përhapet pas burgosjes”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore