Shqipëria

DASH falënderon Kosovën “partnere” dhe Shqipërinë “bujare”


Nëpërmjet një deklarate për shtyp, Departamenti Amerikan i Shtetit (DASH), ka falenderuar autoritetet kosovare – mes vendeve partnere – dhe bujarinë e autoriteteve shqiptare për zhvendosjen e afganëve në rrezik.

Publikimi nis me fjalën e Sekretarit Amerikan të Shtetit, Antony Blinken, i cili falenderonte më 31 gusht fillimisht aleatët dhe partnerët e Shteteve të Bashkuara.

“Ky operacion ishte një përpjekje globale në çdo aspekt. Shumë vende u angazhuan me kontribute të fuqishme në transportin ajror, duke përfshirë punën nga ana jonë në aeroport. Disa tani po shërbejnë si vende tranzite, duke lejuar që evakuuesit të regjistrohen dhe të përpunohen gjatë rrugës për në destinacionet e tyre përfundimtare”, tha Blinken.

Komunikimi për shtyp i DASH sqaron se në total SHBA-të dhe partnerët kanë zhvendosur më shumë se 124 mijë njerëz – përfshirë 6 mijë shtetas amerikanë.

“Me mbështetjen e partnerëve dhe aleatëve, Shtetet e Bashkuara krijuan një rrjet global – i përbërë nga më shumë se dy duzina vende që shtrihen në katër kontinente – me kapacitet total të përkohshëm tranzit prej 65 mijë personash në baza lëvizëse, duke përfshirë deri në 2 mijë hapësira për të akomoduar personat që kanë nevojë përpunimi afatgjatë”, shton më tej DASH.

Në falenderimin e DASH-it, Kosova renditet mes partnerëve dhe aleatëve të SHBA-ve.

Duke përfshirë; Bahreinin, Danimarkën, Finlandën, Francën, Gjermaninë, Gjeorgjinë, Hungarinë, Italinë, Kuvajtin, Holandën, Norvegjinë, Pakistanin, Katarin, Spanjën, Zvicrën, Turqinë, Ukrainën, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Mbretërinë e Bashkuar.

Të gjitha këto vende sipas Departamentit Amerikan të Shtetit, kanë ndihmuar kalimin e sigurt të amerikanëve ose të tjerëve.

Shqipëria – në falenderimet e zyrtarëve amerikanë – renditet mes vendeve që kanë bërë “oferta bujare për të ndihmuar në mënyra të ndryshme në lidhje me përpjekjet e zhvendosjes për afganët në rrezik”.

Përveç Shqipërisë, mes shteteve “bujare” renditen; Bahreini, Kanadaja, Kolumbia, Kosta Rika, Kili, Ekuadori, Guajana, India, Kuvajti, Meksika, Holanda, Maqedonia e Veriut, Polonia, Portugalia, Katari, Ruanda, Singapori, Uganda dhe Emiratet e Bashkuara Arabe.

Deklarata e DASH përmbyllet me angazhimin se autoritetet amerikane po punojnë gjatë gjithë kohës për të siguruar që qytetarët amerikanë, civilët afganë të rrezikuar dhe të tjerët “janë në gjendje të arrijnë destinacionet e tyre përfundimtare në mënyrë të sigurt dhe efikase”.

“Inteligjenca, zbatimi i ligjit dhe profesionistët kundër terrorizmit nga Departamenti i Sigurisë Kombëtare, Departamenti i Mbrojtjes, Byroja Federale e Hetimit, Qendra Kombëtare Kundër Terrorizmit dhe partnerë të tjerë të Komunitetit të Inteligjencës, po punojnë gjatë gjithë kohës për të përshpejtuar përpunimin dhe verifikimin e afganëve para se të lejohen të hyjnë në Shtetet e Bashkuara”, ravijëzon DASH.

Kjo përfshin rishikimin e të dhënave biografike dhe biometrike.

Në Shtetet e Bashkuara deri më tani kanë mbërritur gati 40 mijë njerëz.

Në Kosovë, deri të premten kanë arritur 467 refugjatë afganë.

Këtë e ka bërë të ditur ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sfeçla, të premten në një takim koordinues me organizatat ndërkombëtarë të Kosovës.

“Deri të premten (3 shtator) në Kosovë kanë arritur afërsisht 467 refugjatë afganë, të cilët do të qëndrojnë përkohësisht”.

Shqipëri, deri të enjten kanë mbërritur 644 refugjatë afganë.

Një pjesë e mirë e afganëve janë shoqëruar tashmë në strukturat ku do të vendosen. Kjo, deri në largimin e tyre nga Shqipëria.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore