Dama e vetmuar nga Sussex-i

Në mendjen e saj, bota ishte në një gjendje të tmerrshme dhe njerëzit ishin mjaft budallenj në përgjithësi
SHFLETO
Klevis Hoxhaj
27.09.2024 18:48
Loading Icons...

Maggie Smith jetonte midis shtëpisë së saj në Londër dhe banesës në Sussex, të cilën e kishte blerë në vitin 1981.

“Mund të rri shumë mirë vetëm, ndoshta më mirë seç duhet”, pohonte ajo.

Smith ishte një person shumë i turpshëm, nuk ishte një qenie sociale, e tërhequr, sakaq mjaft e izoluar – kjo ishte natyra e saj.

Më së paku një brez spektatorësh kinemaje e njohin më së miri aktoren britanike nga roli i saj i përsëritur në Harry Potter.

Por, ajo ishte tashmë një nga aktoret më të mira britanike të të gjitha kohërave përpara se të bënte magjinë e saj të parë si Minerva McGonagall.

Saga monolitike e fantazisë dhe Downtown Abbey i dhanë karrierës së Smith-it një nivel të ri shikueshmërie për më shumë se gjysmë shekulli, më e pakta që ajo meritonte pasi u bë një nga interpretueset më të dalluara të skenës dhe ekranit.

Çmimet e saj flasin vetë, Smith mori dy çmime Oscar nga gjashtë nominime, pesë Bafta, për të mos përmendur katër çmime Primetime Emmy, tre Golden Globes, pesë Screen Actors Guild Awards dhe një Tony.

Veterane e mbi 50 filmave dhe shfaqjeve të panumërta, Dama Maggie Smith rrallëherë jepte intervista, shmangte tapetin e kuq dhe nuk pa kurrë një episod të serialit ku luajti vetë.

Një person i cili ka arritur ta njohë gruan e vërtetë pas Smith-it është kritiku i teatrit Michael Coveney.

“Ajo zotëron cilësi tipike të yjeve dhe publiku dëshiron të dijë më shumë për të”, thoshte ai. “Ajo është kaq e hedhur dhe e qeshur, por edhe tragjedinë e luan shumë mirë”.

Michael e pa Dame Maggie për herë të parë në skenë kur ishte i ri dhe në vitin 1990 iu afrua asaj për të shkruar një biografi.

Ata krijuan një miqësi e cila u shtri në dekada.

“Ajo më referohej në atë kohë si obituaristi (ai që shkruan lajmërimet e vdekjes ed.) i saj i parakohshëm”, shkruante Coveney.

Michael kujton se kishte biseduar me një Dame Maggie paksa hezituese në New York në vitin 1990 për të diskutuar mbi biografinë.

Për Michael, rrënjët e privatësisë së saj intensive qëndrojnë në fëmijërinë e saj duke u rritur në Oxford, vajza e një nëne presbiteriane Glaswegiane dhe një babai i rreptë Geordie, i cili punonte në laboratorin e patologjisë në Universitetin e Oxford-it.

“Prejardhja e saj është krejtësisht e zakonshme. Prindërit e saj ishin shumë të rreptë, të klasës punëtore. Asaj dhe vëllezërve të saj më të mëdhenj iu dhanë gjashtë denarë në Krishtlindje për të blerë dhuratat e tyre”, shton ai.

Është kjo prapavijë që e formësoi atë si aktore.

Michael shpjegon: “Unë mendoj se ajo është me të vjetrën në ndërtimin e imazhit të saj si një yll. Kjo është arsyeja pse ajo e ka këtë dekor në publik”.

“Ajo nuk është në asnjë mënyrë reklamuese. Ajo ndjen se i detyrohet një lloj dinjiteti publikut”, vëren kritiku.

Një nga ndryshimet më të mëdha në jetën e Dame Maggie ishte vdekja e ish-bashkëshortit Beverley Cross në vitin 1998.

“Shkuam për drekë dhe ajo më shpjegoi se nuk e kishte kapërdirë kurrë me të vërtetë humbjen e një personi të tillë”, tregon ai.

Lidhjen e tyre të dashurisë, Maggie e përshkroi si “e dalë nga një skenar filmi”.

Ajo fillimisht e kishte lënë pasi i kishte rënë në kokë për aktorin Robert Stephens.

Ata u martuan dhe patën dy djem – aktorët Chris Larkin dhe Toby Stephens.

Beverley gjithashtu u martua me dikë tjetër, por ai dhe Maggie u ribashkuan dhe më në fund u martuan në 1975.

“Beverley ishte shkëmbi i saj. Ai ishte i fortë, i besueshëm. Se si ia ka dalë pa të, nuk e di”, vijon Coveney. “Në momentin që ajo e humbi atë, Maggie u zhyt në punën e saj edhe më egërsisht”.

Portretizimi i Michael ishte i një personi intensivisht privat, tepër i disiplinuar pas karrierës:

“Ajo nuk ha shumë, pak peshk dhe një gotë verë. Ajo është si një atlete, duke u stërvitur gjatë gjithë kohës. Ajo bën të njëjtat ushtrime vokale dhe nuk shton kurrë peshë. Ajo është një lexuese e pangopur – i pëlqen William Trevor, Virginia Woolf dhe George Eliot. Por ajo e di se si të festojë kur ia ka endja. Ajo është shumë e përkushtuar ndaj njerëzve që do”.

Sipas kritikut të teatrit, kur njerëzit e takonin për herë të parë, intimidoheshin sepse ajo ishte shumë e rezervuar.

Në mendjen e saj, bota ishte në një gjendje të tmerrshme dhe njerëzit ishin mjaft budallenj në përgjithësi.

“Dhe ajo kishte të drejtë, natyrisht”, ravijëzonte kritiku i teatrit Michael Coveney.